Situata në Amazonë jashtë kontrollit, OKB shumë e shqetësuar

Situata në Amazonë jashtë kontrollit, OKB shumë e shqetësuar

Situata në Amazonë, shkatërruar nga shpyllëzimi dhe zjarret është jashtë kontrollit, denoncoi militantja ekologjiste braziliane Marina Silva, duke akuzuar qeverinë ultra të djathtë të presidentit, Jair Bolsonaro se ka lejuar një veprim të pakontrolluar që prek një ekosistem jetësor për planetin.

Ish-kandidatja për zgjedhjet presidenciale, në vizitë në Bogota, konfirmoi gjatë një interviste se gjiganti latino-amerikan ka njohuri  dhe teknologji për të kontrolluar zjarret, që po shkatërrojnë sipërfaqe të mëdha të xhunglës, sipas saj, nga neglizhenca e ekipit të Bolsonaros, një skeptik për klimën.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u shpreh sot shumë i shqetësuar nga zjarret në Amazonë.

“Në mes të krizës klimatike botërore, ne nuk mund të pranojmë më shumë dëme për një burim të madh oksigjeni dhe  biodiversiteti”, shtoi Antonio Guterres, duke kërkuar që Amazona të mbrohet.

“Rritja dramatike e numrit të zjarreve në Amazonën braziliane është shkaktuar nga progresi i shpyllëzimit”, theksoi Paulo Moutinho, studiues në Institutin për kërkimin mjedisor mbi Amazonën (IPAM).

Studiuesit hedhin poshtë argumentin e qeverisë të presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, i cili mbështet idenë për numrin e zjarreve si pasojë e thatësirës, e zakonshme në këtë periudhë të vitit.

Zjarret në pyjet e Amazonës janë aq intensive sa tymi ka mbuluar qytete që gjenden edhe mijëra kilometra larg. Këto zjarre, raportohet se janë aq të mëdha sa që mund të shihen edhe nga hapësira.

Ekspertët janë shprehur se e gjithë kjo mund të ketë pasoja të rënda te klima, ndërkohë, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro ka fajësuar organizatat joqeveritare për nisjen e flakëve.

Presidenti Bolsonaro, është kritikuar vazhdimisht se nuk ka mbrojtur pyllin më të madh të botës dhe se ka promovuar një politikë shpyllëzimi, pro bizneseve.  Amazona është një magazinë jetësore e karbonit, që ngadalëson ritmin e ngrohjes globale.