Filmi shqiptar “Derë e hapur”, në garën kryesore të Festivalit të Sarajevës

Filmi shqiptar “Derë e hapur”, në garën kryesore të Festivalit të Sarajevës

Filmi “Derë e hapur” me regji nga Florenc Papasi, është në garën kryesore të Festivalit të Filmit në Sarajevë, që këtë vit mban edicionin e 25-të.

Personazhi kryesor është Elma, një vajzë e re shqiptare e cila jeton ilegalisht në Itali. Ajo është shtatzënë dhe babai i fëmijës është në burg. Pas deportimit nga policia italiane, duke mos ditur kujt t’i drejtohet për ndihmë, vendos të kthehet tek motra e saj e madhe, Rudina. Të dy motrat do të nisin një rrugë të gjatë me veturë, drejt shtëpisë së babait të tyre tradicional.

Tema që trajtohet është përplasja mes tradicionales dhe modernes  midis brezave.

Mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, me producent Eno Milkanin, “Derë e hapur” është bashkëprodhim midis Shqipërisë, Kosovës, Italisë dhe Maqedonisë.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit të Filmit në Sarajevë do të zhvillohet nga 16 deri më 23 gusht.