Brazili autorizon ushtrinë për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në Amazonë

Brazili autorizon ushtrinë për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në Amazonë

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka urdhëruar ushtrinë për të ndihmuar në luftimin e zjarrit të madh që ka përfshirë hapësirat pyjore dhe zonat tropikale të Amazonës.

Një dekret i lëshuar nga presidenti Bolsonaro, autorizon praninë e ushtarëve në hapësirat pyjore dhe në zonat kufitare në tërë rajonin.

Ky njoftim vjen pas një presioni të vazhdueshëm nga liderët evropianë.

Bolsonaro ka kritikuar reagimin e shteteve të tjera, duke theksuar se zjarri nuk mund të përdoret si pretekst për vendosjen e sanksioneve.

Këto deklarata vijnë pasi Franca dhe Irlanda thanë se nuk do të ratifikojnë një marrëveshje tregtare me shtetet e Amerikës jugore derisa Brazili nuk ndërmerr masa për zjarrin në Amazonë.

Zjarri dhe tymi në këto pyje ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin Sao Paolo ditën e hënë.

Kjo ndërprerje që ka zgjatur për një ditë, ka qenë pasojë e erëra të forta që kanë dërguar tymin e zjarreve të qyteteve Amazonas dhe Rondonia, në të cilat janë djegur më shumë se 2,700 kilometra hapësirë pyjore.

Mbrojtësit e ambientit kanë fajësuar Bolsonaron për këtë situatë, duke thënë se ai ka inkurajuar prerësit e pyjeve dhe bujqit për shpyllëzim të tokës.

Bolsonaro mund të përballet me sanksione ndërkombëtare. Ministri i Financave i Finlandës, ka bërë thirrje ndaj Bashkimit Evropian për të ndaluar importet e mishit të Brazilit.

Amazona që ndryshe njihet si “mushkëritë e botës” ngadalëson ritmin e ngrohjes globale dhe është shtëpi e rreth tre milionë gjallesave dhe bimëve e kafshëve dhe një milion njerëzve indigjenë.