​Polici shqiptar ndihmon kosovarin në Rrugën e Kombit

​Polici shqiptar ndihmon kosovarin në Rrugën e Kombit

Punonjësi i qarkullimit rrugor në “Rrugën e Kombit”, komisari Gjin Bushgjokaj ka ndihmuar familjen kosovare që iu prish makina, gjest i cili është vlerësuar jo vetëm nga qytetarët por edhe nga vetë Policia e Shtetit.

Fluksi i madh i turistëve sjell dhe incidente si rasti i shtetasit të Kosovës, Adnan Arifi, i cili ishte duke kaluar në “Rrugën e Kombit”, bashkë me familjen, kur iu ndodhi e papritura.

Makinës iu ça goma, duke i lënë në korsinë e emergjencës. Ata qëndruan aty për orë të tëra, pasi asnjë makinë nuk u ndal.

Por, një makinë policie  ku ishte Gjin Bushgjokaj, nënkomisar dhe Specialist shërbimi pranë njësisë së sigurisë së autostradës, nga Drejtoria e Policisë Rrugore i ka ofruar menjëherë ndihmë.

Gjithashtu, Bushgjokaj i ka paguar të gjitha shpenzimet e gomisterit. Ai ka treguar, se shumë vetura me tabela të Kosovës as që morën mundin se paku ta pyesin se si mund t’i ndihmonin.

“Shumë vetura kaluan, askush nuk më ndihmoj, madje ishin me tabela të Kosovës. Por, në ndërkohë një veturë e Policisë Shqiptare, derisa po kalonin në krahun tjetër të rrugës, e panë në gjendjen çfarë ishim, me erdhën me ndihmuan duke e dërguar veturën të gomisteri më i afërt që ishte aty. Madje, Nënkomisari, Gjin Bushgjokaj, përveç ndihmës teknike, nuk me la të paguaj as për rregullimin e gomës”, ka sqaruar Arifi.

Policia e Shtetit ka vlerësuar gjestin e patrullës së policisë .

“Veprime të tilla nderojnë gjithë organizatën e Policisë dhe përmirësojnë imazhin e saj në sytë e vizitorëve, turistëve dhe pushuesve që frekuentojnë vendin tonë. Faleminderit Gjin!!! Faleminderit dhe ju qytetarë që i vlerësoni me mirënjohje sjellje të tilla dhe inkurajoni për më të mirën”, shprehet Policia e Shtetit./ATSH/