U largua nga Milani pas 10 sezonesh, Abate pranë Brescia-s

U largua nga Milani pas 10 sezonesh, Abate pranë Brescia-s

Inacio Abate i dha fund aventurës me Milanin pas përfundimit të sezonit të kaluar, teksa ishte pjesë e kuqezinjve prej 10 vitesh.

Mbrojtësit italian i përfundonte kontrata me Milanin në fund të qershorit, dhe të dyja palët vendosën të mos e rinovojnë atë duke e lënë Abaten, si një lojtar të lirë. Tashmë 32-vjeçari është në kërkim të një skuadre të re, për të vazhduar karrierën e tij si futbollist.

Sipas lajmeve të fundit në gjurmën e italianit është vënë skuadra e sapo ngjitur në Serie A, Brescia. Drejtuesit kanë nisur kontaktet e para me lojtarin, dhe janë të gatshëm ta bashkojnë atë me Balotelin, me të cilin luante para pak vitesh te Milani.

Abate kërkon një kontratë 2-vjeçare, dhe drejtuesit e Brescias kanë planifikuar një takim ditën e nesërme me futbollistin, me shpresën se do të arrijnë një marrëveshje, për ta marrë atë në skuadrën e tyre.