​Kontaminohet uji për pije në Kamenicë

​Kontaminohet uji për pije në Kamenicë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka kërkuar nga KRU “Hidromorava” të ndërpritet prodhimi i ujit nga pusi në lagjen ‘Malësia’ dhe sa më shpejt të normalizohet prodhimi i ujit nga pusi i kontaminuar, ndërsa deri në normalizimin e prodhimit të ujit, të bëhet furnizimi me ujë nga cisternat për këtë pjesë të qytetit të Kamenicës.

Pas marrjes së informatës për dyshimin për kontaminimin e ujit në një pjesë të ujësjellësit të Komunës së Kamenicës, të menaxhuar nga “Hidromorava” , IKSHP  dje ka dalë në terren dhe ka marrë menjëherë mostrat e ujit, të cilat janë analizuar në laboratorët e IKSHPK.

Në bazë të analizave kimike, uji i pijes nuk i plotëson kushtet për përdorim sipas standardeve dhe Instituti Kombëtar rekomandon “Hidromoravën” që të vazhdojë kontrollin e ujit të pijes në tërë territorin e komunës së Kamenicës dhe të përforcojë kontrollin.

Po ashtu, KRU “Hidromorava” duhet të pastrojë rezervuarët dhe rrjetin e shpërndarjes me tretje hiper-klorike dhe rregullisht të dezinfektojë ujin, duke krijuar zonë të rreptë mbrojtëse sipas ligjeve dhe rregulloreve të MMPH-së.

“Me këto rekomandime kemi parandaluar ndonjë shpërthim eventual hidrik me përmasa të pakontrolluara. Situata epidemiologjike dhe sanitacioni janë në kontroll të vazhduar nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës epidemiologjike do të pasojë me rekomandime të reja”, thekson IKSHP.