Rexhep Hoxha, klasiku i fundit i Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj

Rexhep Hoxha, klasiku i fundit i Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj

Xhahid Bushati

Më shumë se një muaj më parë, ndërroi jetë, në moshën 90-vjeçare (1929-2019), shkrimtari nga Kosova, Rexhep Hoxha. Siç thotë me të drejtë studiuesi Prend Buzhala: “Rexhep Hoxha ishte një klasik i letrave shqipe të Kosovës”.

Rexhep Hoxha ishte shkrimtari më i moshuar i Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Dhe, në qoftë se do t’i kërkojmë rrënjët dhe fillesat e tij letrare, do të thonim se Hoxha i takonte brezit të parë të shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë, me një herë pas Luftës së Dytë Botërore. Çka do të thotë se ishte njëri nga krijuesit më të popullarizuar për lexuesit e vegjël në Kosovë, madje njëri nga themeluesit e letërsisë për fëmijë në këtë trevë.

Rexhep Hoxha lindi në Gjakovë, ku kreu dhe shkollën fillore e të mesme. Më pas shkoi në Beograd, ku studio ne Fakultetin e Filozofisë (dega e Albanologjisë). Punoi për një kohë mësues, më pas redaktor i faqes “Rilindja për fëmijë”, redaktor në emisionet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe, vitet e fundit, pedagog i Letërsisë së vjetër shqipe dhe i Letërsisë për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Prishtinës.

Me krijimtari filloi të merrej që në bankat e shkollës fillore. Shkroi prozë e poezi, për fëmijë e për të rritur. U muar edhe me studime letrare. U muar edhe me tekste të arsimit bazë. U muar edhe me shqipërime.

Disa nga librat e tij për fëmijë e të rinj janë: “Gjethet e reja” (vjersha, P. 1953), “Picimuli” (vjersha dhe poema, P. 1956 e disa ribotime në vite), “Mbi krahët e fluturës” (poezi, Rilindja, P. 1959 e disa ribotime në vite), “Lugjet e verdha” (roman, Rilindja, P. 1959 e disa ribotime në vite), “Lugjet e verdha 1, 2” (roman, P. 1997 – 2000 e disa ribotime në vite), “Vjersha”, (Rilindja, P. 1963), “Pika vese” (vjersha, Pionieri, P. 1966 e disa ribotime në vite), “Gecatarët” (tregime, P. 1969), “Lulëzo vendi im” (poezi, Rilindja, P. 1973 e disa ribotime në vite), “Zëri i pyllit” (vjersha, Rilindja, P. 1974), “Lulet le të dalin” (vjersha, Sh. B. “Naim Frashëri”, T. 1975; vjershat janë marrë nga librat “Picimuli”, “Vjersha” e “Lulëzo vendi im”), “Micimiri” (vjersha, Rilindja, P. 1976), “Piperku” (tregime e vjersha, Rilindja, P. 1975, 1980), “Zilja e shkollës” (vjersha, P. 1980, Ilirikum, P. 1994), “Verorja” (roman, Rilindja, P. 1983 e disa ribotime në vite), “Zogu i qiellit” (poezi të zgjedhura, Rilindja, P. 1984), “Mbi krahët e fluturës” (vjersha dhe poema, Sh. B. “Naim Frashëri”, T. 1989, me vjersha nga vëllimi “Zogu i qiellit”), etj.

Shkrimtari Rexhep Hoxha e botoi librin e parë me vjersha të titulluar “Gjethet e reja”, 66-vjet më parë. Edhe në librat që shkroi më pas, edhe tek poemat, edhe tek fabulat, solli përherë “gjelbrim” poetik në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj. Ai erdhi me një profil të veçantë. Shquhej për një gëzim të brendshëm krijimi i tij, të cilin e ruajti kurdoherë. Në udhëtimin e këtij gëzimi dhe këngëzimi, rrezet e diellit të poetëve të Rilindjes ia shndritnin herëpashere vjershat, por pa i cënuar personalitetin artistik. Me kohën lidhi një pakt që, gjithashtu nuk e ndryshoi. Sensibilitetin dhe lirizmin poetik e rrëfeu natyrshëm, pa sforco e dinjitetshëm. Hapësira e Atdheut: me trimat, me plagët, me dhimbjen, me dashuritë, me ëndrrat, me amanetet, me… mbetet një nga piketat kryesore të poetikës së tij, veçanërisht në aspektin e zgjerimit tematik. Kujtesa poetike e Rexhep Hoxhës është një rrëfim interesant që duhet studiuar.

E njohu për së mbari botën e psikologjinë e fëmijës. Elementet edukative të kësaj moshe. Jo më kot, vjershat në palcat e tyre kanë: kurreshti, lojë, humor, fjalë pafund onomatopeike, lirizëm, gurrë folklori, etj. Kujtohuni për këto emërtesa që po i përmend, që nuk janë gjë tjetër veçse kodet e përkëdhelive të botës fëmijërore dhe domethëniet e zemrës së poetit, si: Picimuli, Mbi krahët e fluturës, Pika vese, Lulëzo vendi im, Micimiri, Piperku, Zogu i qiellit, etj.

Në lidhje me veçoritë e krijimtarisë poetike të Hoxhës, paraqesin interes edhe dy definicione, ato të studiuesit Ramazan Çadri dhe shkrimtari Anton Pashku. Ramazan Çadri shprehet: “… vjershat e R. Hoxhës fitojnë gjallërinë dhe freskinë e nevojshme poetike në sajë të konkretësisë së rrëfimit e përshkrimit të dukurisë a ngjarjes në frymën e këngëve popullore, tek të cilat ai u mbështet për të marrë më shumë sesa motivet, thjeshtësinë e të shprehurit, mënyrën gazmore të të rrëfyerit, karakterin lodrues të veprimit si dhe muzikalitetin e ritmit të tyre”. Kurse Anton Pashku e cilëson magjinë e poetit në këtë mënyrë: “Kudo nëpër poezitë e tij gjejmë vargje të lëmueta, tinguj që kumbojnë freskët, vjersha që në vetvete kanë ritëm të mrekullueshëm e humor jashtëzakonisht të qëlluar.”

Duke njohur poetikën e Hoxhës, mendoj se ka nevojë për një analizë të mëtejshme, më të thelluar në drejtim të rrathëve me motiv patriotik që kanë ardhur duke u zgjeruar nëpër kohë, nuk kanë zbehur as edhe një frekuencë të kësaj koherence. Studiuesja Dije Demiri Frangu arsyeton se te krijimtaria poetike e Hoxhës “Poezia është e ndërtuar mbi personifikimin”, është “motivisht e ndryshme”, edhe në këtë gjini ruan “rrëfimin romanesk dhe përrallor”. Ndërsa, studiuesi Astrit Bishqemi është i mendimit se “Motivet kryesore që i ndeshim në poezinë e Rexhep Hoxhës janë atdheu, vendlindja, fshati, nëna, natyra, etj.” Për rrjedhojë është ruajtur paprekshmërisht deri në shenjtëri marrëdhënia mes poetit dhe tokës që e lindi. Besoj se nuk duhet harruar shkrimi autorial me titull: “Kosova është e të gjithë atyre, që jetojnë në Kosovë.”

Mes leximeve të opusit krijues të Hoxhës, ndeshim edhe gjykimet e studiuesit Ramadan Musliu. Mendoj, që këto gjykime janë më të avancuara se të studiuesve të tjerë. Intenca edukuese e poezisë së Hoxhës, për të cilën shprehet Musliu, na dritëson një kod të rëndësishëm të zhvillimit të poezisë së Rexhep Hoxhës, ku “problem i tendencës edukative është i pranishëm edhe si formë e plasimit të një norme, ku shpesh “morali” dhe tendenca edukative shkrihen në tekst me komponentet e tjera, duke dalë si një imperative immanent i tekstit poetik”. Më tej Musliu na thotë se ”Sa i përket aspekteve ritmike-metrike, ku Rexhep Hoxha i ka veçoritë dalluese nga e gjithë kjo klasë krijuesish, të themi shkarazi se edhe këtu autori ndjek paradigmën e ritmit të rregullt dhe rimës efektive, që është në përputhshmëri me ritmin e ngjarjes së rrëfyer. Nëse i vështrojmë me vëmendje këto kualitete, lirisht mund të konstatojmë se autori është në vazhdën e një tradite të tij të ngulitur në kultivimin e vlerave të vargut klasik.”

Edhe studiuesi Fatmir Terziu e ka një vështrim për poezinë e Hoxhës në raport me kohën. Ai thotë: “Rexhep Hoxha është një nga shkrimtarët që i dhuroi kohës debutin real të komunikimit intelekt dhe vlerës së lidhjes autor-lexues mjeshtërinë e komunikimit…. Poezia e Rexhep Hoxhës dallohet nga tri lidhje që pasojnë formën didaktike të saj. Lidhja e parë e saj është një arsye që vjen nga shkrimi me energji dhe vrull nëpërmjet rrjedhave të jetës si një pasqyrë e reales sublime ku diktohet forma dhe hapësira si një mekanizëm sintaksor në hapësirën e komunikimit me lexuesin. Lidhja e dytë është ndikimi i ardhur mes arsyes së lidhjes së mesazhit me faktorin lexues, ku komunikimi didaktik i saj kalkulon dhe pohon termin kohë dhe hapësirë duke e kthyer qëllimin poetik në një periudhë të ndikuar, ku udhëzimi, mbetet për një kënaqësi. Lidhja e tretë, ajo më kryesorja që shihet te ky poet është e lidhur me faktin që ka vetë misioni i poezisë së tij si një ‘muzë didaktike’ për moshat që ai e referon atë.”

Prozatori Rexhep Hoxha është autor edhe i romaneve “Lugjet e Verdha” (1959), “Verorja” (1984), “Ermali” (2000). Këto tre romane, më shumë i pari dhe i dyti, më pak i treti, kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe krijuesve, të cilët herë pas here në kohë kanë dhënë mendimet e tyre. Krahas veprave të njohura nga ana ime, qëmtimeve e shqyrtimeve letrare, mendoj që marrëdhënie e tyre lidhur me sagën romaneske të Rexhep Hoxhës, duhet grupuar në këtë mënyrë: – autorë që janë ndalur tek përmbajtja (subjekti) e librit dhe e kanë rrëfyer atë shpesh imtësisht; autorë që tentuan të hynin në tipologjinë e romaneve të autorit; autorë – dhe kjo me vlerë – që këndvështruan statusin e romaneve të Hoxhës, si veçori bindëse.

Astrit Bishqemi thotë: “’Romani “Verorja’ ka në bazën e vet disa përralla të zgjedhura popullore, të cilat janë lidhur bukur, duke formuar një fabul kompakte… Subjekti zhvillohet në dy rrafshe: në atë real dhe fantastik, personazhet veprojnë në mjediset e fshatit e herë në botën e përrallave… si në aspektin përmbajtësor, ashtu edhe në atë artistik, mund të veçohet si një nga romanet më të mira të letërsisë për fëmijë në Kosovë. Ai trajton një temë të rëndësishme, atë të besës së dhënë dhe të mbajtjes së saj, temën e ekzistencës së individit në rrethana të rënda jetësore, temën e drejtësisë njerëzore, e cila ndonëse vonon, gjithmonë fiton mbi të këqijat njerëzore. Edhe ky roman, ashtu si ‘Lugjet e Verdha’ i të njëjtit autor, është ndërtuar mbi shtratin e përrallës popullore. Rexhep Hoxha subjektin e përrallës e trajton në mënyrë origjinale. Është një rrëfim mbi anët e bukura e të shëmtuara të jetës, rrëfim në të cilin jetën e shohim ashtu siç është dhe shumë episode të romanit paraqiten nën petkun e përrallës fantastike.”

Studiuesja Dije Demiri Frangu thotë: “’Lugjet e Verdha’ me 24 tregime që krijojnë tërësinë romanore, me plot episode të montuara një pas një, që kanë unitetin kuptimor dhe një kompozicion kronikal, falë mistikes popullore, mbetet roman i lexueshëm edhe sot… Romanet e R. Hoxhës kanë një rrëfim linear, nisen dhe fare pak kthehen, deri në fund, vetëm përmes digresionit të shkurtër, ku autori thyen deri në fund, herë-herë këtë vijë rrëfimi… Situatat dramatike te Verorja janë një element mjaft funksional ashtu si në ‘Lugjet e Verdha’ dhe lexuesi deri në fund të romaneve mbetet në ankth për fatet e heronjve të tij, derisa tek Ermali, pavarësisht nga tema, dramatikja është me e ftohtë dhe ajo funksionon brenda një racionaliteti.”

Studiuesi Fatmir Terziu thotë: “Librat e këtij autori, ‘Lugjet e Verdha’ (1963); ‘Verorja’ (Luli i Vocërr) (1983) dhe dhjetëra të tjerë që formojnë strukturën e plotë të shtresë-krijimtarisë së tij, që nga poezia lirike, poema humoristike-shpotitëse dhe romani që vjen në një formë tipike me anësi karakteristike që ngjizet me modelin e përrallave, mbesin vlera të padiskutueshme në krijimtarinë shqiptare.”

Sipas studiuesit Ramazan Çadri: “Studiues të ndryshëm kanë shprehur mendimet e tyre nëse ‘Lugjet e Verdha’ është roman i vërtetë apo një imitim besnik i romanit. Në lidhje me këtë çështje, kritiku Hasan Mekuli, fill pas daljes së veprës do të shprehej me rezervë për përkatësinë romanore të saj. Sipas tij, ‘… ajo i afrohet romanit, kufizohet me të, por ende nuk asht roman në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ndërsa kritikët e tjerë nuk gjejnë ndonjë arsye serioze për të mos e pranuar si roman’”.

Praktika e mëvonshme krijuese, e cila afirmon romanin në formën e përrallës, si nënlloj i veçantë i këtij zhanri, e bëri të padiskutueshme përkatësinë e “Lugjeve të Verdha” në llojin e romanit për fëmijë. Këtij mendimi i përmbahet edhe Agim Deva, i cili shkakun e diskutimeve e gjen te vetë studiuesit që deri atëherë nuk ishin mësuar të shihnin përrallën edhe në trajta të tjera: “Rruga e përrallës nëpër të cilën romani ynë për herë të parë arriti në letërsinë tonë për fëmijë, pat lënë përshtypje të një rruge jo të natyrshme, kah mund të vijë një vepër e llojit të romanit, kurse vetë përralla gjer vonë u konsiderua si burim i cekët që të mund të furnizojë tematikisht romanin tonë për fëmijë, gjë që u demantua shumë shpejt nga vetë prezenca e elementëve përrallore në krijimet e shkrimtarëve tanë”.

Mendime të ndryshme janë shfaqur edhe në lidhje me vendin që zënë në vepër elementet reale dhe ato imagjinare. Kështu, përballë mendimit të Hasan Mekulit se “Rexhep Hoxha tekstin e veprës së vet do të duhej ta gërshetonte më tepër me elemente reale”, qëndron vlerësimi i Vehap Shitës, i cili shprehet se në “Lugjet e Verdha” nuk mungojnë elementet reale, përkundrazi “Shkrimtari e lidh këtu shumë bukur të treguarit fantastik për Shpendin e vogël me elemente reale të jetës, kështu që fëmija mundet të zhvillojë më tutje në imagjinatën e vet mendimin duke u shkrirë kështu edhe vetë në botën e përrallave dhe të realitetit që e rrethon”.

Në rastin e veprave me karakter përrallor duhet të kemi parasysh se vlera e tyre nuk kushtëzohet nga vendi i elementeve reale dhe fantastike, por nga mënyra se si motivohet kalimi i veprimit nga njëri rrafsh në tjetrin, si dhe nga përdorimi me efektivitet i personifikimit, alegorisë dhe i figurave të tjera. Sipas këtij këndvështrimi na duket më i drejtë dhe më i argumentuar mendimi i kritikut Vehap Shita. “Kështu, edhe pse vepra është më e pasur me situate e personazhe fantastike, me konvencione e simbolizma të cilat autori i ka ndërthurur me ngjarjet e rrafshit real, për të përmbushur kështu shestimin e vet ideoartistik, përsëri ajo e ruan orientimin realist të saj, sepse përcjell mesazhe jetësore te lexuesit e vegjël, kuptohet në mënyrën siç e kërkon specifika artistike e llojeve fantastike, duke u dhënë përparësi figurave e mjeteve, që i kërkon poetika e llojit letrar.”

Studiuesi Ramadan Musliu thotë: “Romani ‘Verorja’ i Rexhep Hoxhës ndërtohet sipas një procedimi të njohur dhe të shfrytëzuar, mjaft nga autorë të tjerë, në veçanti botëror, përmes përpunimit të motivit të përrallave popullore…. Qëllimi i autorit nuk është që të bëjë rikonstruksionin e subjekteve të përrallave tona, por që ky i kthehet domenit të përrallës, botës së saj, ambientit, atmosferës, esencave të mesazheve që ngërthejnë ato, i kthehet këtyre për një qëllim të vetëm: që të zbulojë vlera të reja (etike, sociale, estetike, poetike), të cilat do t’i shërbejnë bukur dhe funksionalisht për të ndërtuar sistemin e vet simboliko-metaforik…. Me interes është të shihet kompozicioni i romanit, përkatësisht mënyra e sintetizimit dhe realizimit të fabulës brenda rrëfimit romanor. Romani ‘Verorja’ nuk ka kompozicion që shkëputet në fragmente e as që ndahet në kapituj, ai ka rrjedhë të pandërprerë dhe ndërtohet përmes lidhjes suksesive të situatave… Në momentin e tashëm, kur një pjesë e letërsisë për fëmijë është e ‘intoksionuar’ nga didaktizmat, romani ‘Verorja’ i Rexhep Hoxhës vjen si model i prozës në të cilin ‘porosia’ e autorit, ndonëse realizohet me rekuizita tradicionale, është e paimponueshme… Mund të thuhet madje simbolika e romanit nxjerr në shesh një frymë polemizuese të autorit me kohën, me realitetin e të sotmes… Simbolika e romanit kështu zbulon angazhimin e autorit rreth trajtimit të moralit të kohës, bile mund të thuhet edhe të moralit universal, ku e mira, si kategori etike, ndeshet me të keqen dhe duhet patjetër të ngadhënjejë mbi të… Qëllimi i romancierit është i qartë: krijimi i analogjive mes realitetit të sotëm dhe atij përrallor-mitik, të cilat do të dëshmojnë se ekzistenca e njeriut që nga shfaqja e tij deri më sot gjendet në zgripc mes së mirës dhe së keqes, mes ë bukurës dhe së shëmtuarës, jetës dhe vdekjes, por që e vërteta duhet të jetë ajo, e cila do t’i prijë nga progresi.”

Teksa shkruaj këto rreshta për romancierin e parë për fëmijë në Kosovë, shkrimtarin e talentuar Rexhep Hoxha, vetiu më lindi pyetja: “A ka vertikalitet, në vite e dekada, Letërsia shqipe për fëmijë e të rinj?” Një të tillë lartësi ia ka dhënë edhe prozatori Hoxha që me ardhjen e tij të parë në fushën e botimeve. Romani i tij “Lugjet e Verdha” ishte një befasim për kohën. Romani në fjalë e kaloi dhe kohën e tij dhe sot, po, mbetet një vepër e frymëzuar dhe e shkruar nga një dorë mjeshtri. “Lugjet e Verdha” zgjoi dhe interesin e studiuesve dhe kritikëve. Shqyrtimet e tyre u munduam t’i paraqesim edhe në këtë shkrim. Në këtë aspekt shkrimtarin Hoxha e shoqëroi, e pse jo edhe një “kalvar”, kur sot po ta analizosh imtësisht veprën në fjalë shumë dukuri kanë mbetur pa u trajtuar.

Disa mendime i shfaqa edhe unë lidhur me objektivitetin e veprës e disa rrafshe të krijimtarisë së Rexhep Hoxhës. Nga ajo shumësi mendimesh, analizat e studiuesit Ramadan Musliu janë më të arrirat. Pra, vështrimet për veprat e këtij krijuesi kanë qenë më shumë horizontale, ndërsa vetë ai ishte në një pikë tjetër të vertikalitetit të tij dhe dimensionit letrar. P.sh. edhe sot më bën përshtypje, pse “u harrua” së analizuari mistika e veprave të tij (?). Një fenomen i tillë, lidhur me mistiken ka ndodhur edhe me veprën “Shpella e piratëve” të Petro Markos. S’u kujtua askush, megjithë kalvarin që e shoqëroi në rrugën prej njeriu dhe shkrimtari, Petron e Madh.

Krijimtaria e shkrimtarit nga Kosova Rexhep Hoxha, me mesazhet e tij brenda veprave që na dhuroi në shumë gjini e zhanre, kohës i ka dhënë lavdinë e tij. Patjetër që koha, nuk do të vonojë, koha nuk do të hesht, e do t’ia ktheje këtë lavdi të merituar… E meriton shkrimtari Rexhep Hoxha!

Bibliografi:
– Esad Mekuli, “Jeta e re” 1960, nr. 3, f. 297.
– Vehap Shita, “Jeta e re”, 1968, f. 622.
– Agim Deva, Romani ynë për fëmijë, Prishtinë, 1977, f. 48.
– Rexhep Hoxha: Kritika I, Phoenix International, Prishtinë 2002; shkrimi: Kosova është e të gjithëve, që jetojnë në Kosovë, f. 211.
– Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi: Histori e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj, Botimi i tretë, i plotësuar dhe i përmirësuar, dy Lindje dhe dy Perëndime, Tiranë 2008; zëri: Rexhep Hoxha, f. 446.
– Ramadan Musliu: Ekskurs në letërsinë për fëmijë (kritikë letrare), TLS&FRIENDOS Kumanovë 2009; shkrimi: Intenca edukuese e poezisë, f. 12 – 15.; shkrimi: Sublimim artistik i të vërtetave të jetës, f. 151 – 154.
– Rexhep Hoxha: Vjershat për Vendlindjen, f. 3 Vendlindja ime (Vjersha të zgjedhura për fëmijë Lektyrë shkollore për klasën e dytë), Sh. B. Lugjet e Verdha, Prishtinë 2018.