Apeli konfirmon aktakuzën ndaj Çekut, Berishës e të tjerëve

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj Çekut, Berishës e të tjerëve

Pas konfirmimit të aktakuzës nga gjykata e shkallës së parë, edhe Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën në rastin e njohur si “Veteranët”, ku ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe të tjerët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj si dhe të akuzuarit e tjerë, në seancën fillestare të mbajtur më 14 mars, ishin deklaruar të pafajshëm se në cilësinë e anëtarëve të komisionit për verifikimin e statusit të veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së, e kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Departamenti Special i Gjykatës se Apelit, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në këtë rast, duke lënë në fuqi aktvendimin e 19 qershorit 2019, të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës së parë, ka vlerësuar dhe në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme, se kundërshtimet janë të pabazuara dhe se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka prova të mjaftueshme, të pranueshme në aspektin procedural , për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, ndërsa tani nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të cilat mund të hedhet aktakuza, ashtu siç kërkohet me dispozitat e nenit 250 par. 1 nën par. 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të Kodit të Procedurës Penale“, thuhet në komunikatën për media të Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën e rastit të njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, akuzohen edhe Ahmet Daku e Xhavit Jashari, por ndaj tyre është veçuar procedura, pasi që kishin munguar në seancën e mbajtur më 14 mars 2019.

Të akuzuarit e tjerë, në këtë seancë, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohen.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.  e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ndaljen e përkohshme të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Po gjykata më 1 prill 2019, e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi