Humbur në kanalizimin e konsumit III

Humbur në kanalizimin e konsumit III

“O sa mirë po më rri fustani”

Ballsor Hoxha

Nëse thua - m’kalli m’kalli m’kalli fustani im - ti nuk je më duke shprehur fjalë publike por urrejtjen për fustanin e tjetrës, për fustanin e meshkujve qoftë, dhe për fustanin e Mbretëreshës. Por është një gabim paradoksal të cilat i sjellë lufta e klasave dhe shpërthimi i urrejtjes së klasave e që është të qenit i kallur nga fustani yt, gjë që kalon në një lloj tjetër marrëdhënie njerëzore e qoftë edhe seksuale jo më të njeriut me njeriun por të njeriut me fustanin e vet. Qoftë edhe si revoltë dhe qoftë edhe si ngadhnjim i klasës së ultë të njerëzimit në këtë fustani që të kalli ty jo mua, në të vërtetë është fustan që më çon gërrdinë është ikja yte më e largët e mundshme nga njeriu dhe ndaj njeriut, ikje në fustan që i ngjanë kostumografisë së filmit Mad Max dhe nuk është asgjë e re. Dhe pikërisht pasi që nuk është asgjë e re nuk përbën asgjë të konsiderueshme përpos marrëdhënies së re në zhvillim të femrës/disa femrave jo më me njeriun, as me femrën as me mashkullin, por me fustanin e saj.

Lufta e klasave dhe kërcënimet e atyre lartë në sistem me të poshtit kurrë nuk është ndalë, jo prej revolucionit francez dhe as prej Engelsit, dhe sidomos në Britani, por ajo është duke arritur shkallën më të lartë të kësaj lufte jo vetëm të përgjaishme (me viktimat e drogave, karteleve të drogave, uzurpimeve të shteteve por edhe politizimin e religjioneve), por edhe të luftës së uzurpimit të fjalës publike.

Si mund të paramendohet vetëm disa vite më parë një tekst i një kënge tejet të popullarizuar “O sa mirë po më rri fustani/ m’kalli m’kalli m’kalli”? SI mund të paramendohet po e njëjta në një sistem edukimi ku muzika është lëndë mësimore dhe ku muzika është e quajtur ‘fisnikërim i shpirtit’?

Fjala publike, pavarësisht imitimeve të shtetit në politikën kosovare dhe globale, fjala e edukimit, shkencës, mjekësisë dhe inxhinierisë është e pavlefshme ndaj Hip Hopi-it sot. Dhe është pikërisht Hip Hop-i tregimi (narrativi) më i lartë dhe më i fuqishëm i klasës së ultë në luftën e përgjakshme të klasave. Fjala publike tanimë i takon tregimit të kriminelit (thug), i takon bukuroshes që e ka “arritur” pronësimin e trupit të saj, fjala tanimë i takon fustanit më të bukur.

Disi gjuha dhe fjala publike kanë rënë nën përgjakjen e luftës së klasave dhe ajo është duke u transformuar në shpërthim të vrazhdë, të ultë dhe të banalizuar. Sigurisht kjo është fitore e klasës së ultë dhe kjo është ngadhnjim i klasave të rendit të ultë të edukimit i cili ka pësuar lartësi enorme të kapitalit dhe të të pronësimit të dijes përmes universiteteve të njohura dhe atë vetëm në disa prej tyre, mirëpo nëse thua m’kalli m’kalli m’kalli fustani im ti nuk je më duke shprehur fjalë publike por urrejtjen për fustanin e tjetrës, për fustanin e meshkujve qoftë dhe për fustanin e Mbretëreshës.

Për përfundim, ka pasur edhe shprehje të tjera dhe shumë më herët në Kosovë si kënga “Kalle Kalle” dhe atë pikërisht kur kallehin shtëpitë e shqiptarëve nga serbët. Ka pasur edhe këngë si Oj loptë e mia derisa në Britani kërcënohej e tërë raca nga lopët e çmendura, ka pasur çdo gjë edhe më herët, dhe kjo do të thotë se pikërisht kjo luftë e përgjakshme ku përgjakja ndodh në viktimat e drogave dhe karteleve të mafisë së drogave e prej aty në armatim e në produksion muzikor e filmik e kulturor, gjë që do të thotë lufta e Hip Hop-it siç do ta deklaronin shumica e të rinjëve sot në Kosovë, fillon qysh në fillet e revolucionit francez dhe jo vetëm në këngët e Public Enemy.

Por në të vërtetë problemi më i madh është gjuha. Ajo është shndërruar në territor të gjakderdhjes së njerëzores dhe shpirtërores dhe si shpirtërore e konstelueshme nuk arrinë të dalë prej vullgaritetit të dekonstruksionit të sistemit (Derrida), dhe me këtë është duke mbetur konfuzion që atë që e quajmë “fisnikërim i shpirtit” po e bastardhon vetë shpirtin e njerëzimit, pra gjuhën.