Shtyhet gjykimin ndaj dy zyrtarëve të Arkivit Komunal të Prishtinës

Shtyhet gjykimin ndaj dy zyrtarëve të Arkivit Komunal të Prishtinës

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj dy zyrtarëve të Arkivit Komunal në Prishtinë, Naim Shasivarit dhe Nexhmije Krasniqi, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak i shtyrjes së seancës ishte mungesa e prokurores Merrushe Llugiqi, e cila sipas gjykatësit Hamdi Ibrahimi, përmes një komunikimi verbal e ka njoftuar atë se nuk është mirë me shëndet,andaj nuk do të vijë në gjykim.

Sipas Ibrahimit, prokurorja Llugiqi, kishte thënë se ishte munduar të siguronte një zëvendësim, por një gjë e tillë nuk ishte arritur, andaj në mungesë të kushteve seanca është shtyrë për 12 nëntor 2019, në orën 09:30.

Për seancës e së hënës nuk prezantoi as dëshmitari Kolë Rama, i cili sipas gjykatës, nuk ka provë se ka pranuar ftesën, por që ai do të ftohet sërish për seancën e ardhshme.

Në seancën e mbajtur më 20 maj të këtij viti kishte dhënë dëshmi dëshmitari Mumqillo Trajkoviq, i cili kishte deklaruar se për pronën që është objekt i aktakuzës kishte pasur dokumente të falsifikuar.

Ndryshe, më 31 maj të vitit 2017, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat për të cilat akuzohen.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë të ngritur më 3 maj 2017, Naim Shasivari, akuzohet se deri më 7 dhjetor 2016, si person zyrtar në Arkivin Komunal të Prishtinës, në pozitën e shefit të sektorit të depos nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare ku gjatë pranimit nuk ka kontrolluar lëndët arkivore në dosjet e lëndëve të cilat kanë qenë në depon e këtij arkivi, ashtu që kishte pranuar dokumentin e falsifikuar, Marrëveshja e Arondimit e datës 24.01.1964, pa u përfillur procedurat, pa procesverbal për pranimin e lëndëve në depo të këtij arkivi.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Naim Shasivari, si shef i depos një kopje të kësaj marrëveshje ia ka dorëzuar palës, tani të ndjerit Mirosllav Joksimoviq, i cili me këtë dokument të falsifikuar ka bërë bartjen e kësaj prone në emër të tij, e që në fakt këto ngastra janë pronë e ndërmarrjes bujqësore “Ratar” të Llapllasellës.

Edhe Nexhmije Krasniqi, sipas aktakuzës, akuzohet se në pozitën e ndihmës-arkivistes si dhe duke ushtruar pozitën e shefit të depos, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare në atë mënyrë që më 9 janar 2015, në kërkesën e Zyrës Katastrale të Komunës së Prishtinës për verifikimin e vendimit të lëshuar nga KK-Prishtinë nr.44/63 të datës 24.01.1964, e kishte kthyer përgjigjen me shkrim se lënda me numër 44/63 nuk gjendet në dosjen e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës edhe pse pas kontrollit nga ana e policisë më vonë është gjetur dhe sekuestruar lënda origjinale.

Sipas aktakuzës, Nexhmije Krasniqi më 29 shtator 2014, të njëjtin dokument, Marrëveshjen e Arondimit nr. 44/63, ia kishte gjetur dhe ofruar palës Stojaniviq Vanka, ashtu që mbi këtë bazë ka mundësuar që të bëhet bartja e ngastrave të lartcekura në emër të tani të ndjerit, Mirosllav Joksimoviq. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi