Kërkohet dënim për doganierët dhe të tjerët që akuzohen për korrupsion

Kërkohet dënim për doganierët dhe të tjerët që akuzohen për korrupsion

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar dënimin e zyrtarëve doganorë Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, të cilët akuzohen për marrje ryshfeti, si dhe të Isak e Habib Lutës që akuzohen për dhënie ryshfeti.

Prokuroria ka kërkuar gjithashtu që edhe zyrtari i firmës “Euro Joni Kosova”, Liridon Borovci, të shpallet fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, mbrojtësit e të akuzuarve, si dhe vet të akuzuarit kanë kërkuar lirimin e tyre nga akuza me të cilën ngarkohen.

Fillimisht, në këtë rast, akti akuzues ishte ngritur ndaj të akuzuarve Alban Krasniqi, Besnik Polloshka e Liridon Borovci, e më pas akuza ishte zgjeruar edhe për të akuzuarit Luta.

E më pas, ishte bërë bashkimi i procedurës edhe për të akuzuarit Luta, pasi sipas kryetares së trupit gjykues, Nushe Kuka – Mekaj, rasti ka të bëj me prova të njëjta.

Prokurori Rafet Halimi, në seancën e së martës, gjatë fjalës së tij përfundimtare, ka bërë edhe precizimin e aktakuzës.

Ai deklaroi se duke u bazuar në provat të cilat janë trajtuar gjatë shqyrtimit gjyqësor, e veçanërisht duke u bazuar në deklaratat e të akuzuarve Liridon Borovci dhe Habib Luta, si dhe transkriptove të përgjimeve telefonike ndaj të akuzuarit Borovci dhe dyshimit të bazuar mirë se gjatë këtij komunikimi, në veprimet e tyre janë manifestuar elementet e veprës penale, bën precizimin e aktakuzës.

Këtë precizim, ai tha se e bën ashtu që në dispozitiv të akuzës së datës 18 korrik 2018 dhe dispozitivit ndaj Habib Lutës në zgjerim të akuzës të datës 20 shtator 2018, përveç datës së paraqitur 9 nëntor 2015, shton edhe datën 10 nëntor 2015, si kohë të kryerjes së veprës penale.

Ai tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor për të akuzuarit Besnik Polloshka e Alban Krasniqi është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë e kjo vërtetohet nga deklarata e të akuzuarit Borovci.

Sipas tij, i akuzuari Borovci gjatë dhënies së mbrojtjes së tij në shqyrtim gjyqësor ka pranuar pjesërisht gjendjen faktike.

“Mirëpo, duke u përpjekur që të bëj disa ndryshime se paratë e marra i kishte thënë Habib Lutës për këta të akuzuar, mirëpo më vonë kinse kishte marr për vete”, deklaroi ai.

Prokurori Halimi, ka thënë se mbrojtja e të akuzuarit Borovci nuk ka qenë bindëse dhe ka qenë kundërthënëse edhe me deklaratën e dhënë në prokurori më 17 korrik 2018, si dhe deklaratën e dhënë para hetuesve doganorë.

Kjo mbrojtje, sipas prokurorit, ka qenë në kundërshtim edhe me transkriptet e përgjimeve telefonike të datës 10 nëntor 2015.

Ai ka deklaruar se nga këto prova konsideron se vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit Besnik Polloshka dhe Alban Krasniqi kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë.

Tutje, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave është vërtetuar se i akuzuari Liridon Borovci ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për veten dhe personat e tjerë, duke ndërmjetësuar kundërligjshëm në komunikimin në mes të akuzuarit Besnik Polloshka dhe akuzuarit tjetër Habib Luta, duke i bindur që të dy në dhënien e marrjen e ryshfetit.

Sipas tij, veprimet e të akuzuarit vërtetohen edhe nga tranksriptet e bisedave të datës 10 nëntor 2015, ku në mënyrë të detajuar siç tha ai, është përshkruar komunikimi në mes të akuzuarit Liridon Borovci dhe të akuzuarit tjetër Habib Luta, ku dy të akuzuarit bisedojnë për vlerën e parave, kohën dhe mënyrën e dhënies së parave zyrtarëve doganorë, tanimë të akuzuar.

Kurse, sa i përket të akuzuarit Habib Luta,  edhe për të prokurori ka deklaruar se është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” dhe veprimet e tij inkriminuese sipas tij, bazohen në provat të cilat janë nxjerrë gjatë shqyrtimit gjyqësor, veçanërisht transkriptet e bisedave telefonike me të akuzuarin Borovci.

“Po ashtu, i akuzuari gjatë dhënies së dëshmisë së tij në shqyrtim gjyqësor ishte kundërthënës me deklarimet e tij të mëhershme të dhëna para hetuesve doganorë”, ka thënë prokurori Halimi.

Kurse, për të akuzuarin Isak Luta, prokurori Halimi ka thënë se gjatë mbrojtjes së dhënë në shqyrtim gjyqësor  nuk ka mundur që të bëj sqarime për qëllimin e marrjes së parave nga i akuzuari Habib Luta dhe dërgimin te i akuzuari tjetër Liridon Borovci.

“Po ashtu, duke u bazuar edhe në provën materiale, Dokumenti Unik Doganor i datës 10 nëntor 2015, konfirmon edhe njëherë veprimet inkriminuese të të gjithë të akuzuarve si provë mbështetëse për shkak se i tërë malli ishte zhdoganuar si mall i përdorur”, ka thënë ai.

Ndërsa, sipas tij, në deklarimet e vet të akuzuarit Habib Luta, të dhënë në shqyrtim gjyqësor, i njëjti ka deklaruar se në ngarkesën ka pasur edhe mall të ri, por me defekte.

Andaj, ai ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Avokati mbrojtës i Alban Krasniqit, Behar Ejupi ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor është dëgjuar dëshmitari Fisnik Nuli, i cili, para trupit gjykues ka deklaruar se çështja e zhdoganimit të mallit lidhur me DUD-in e datës 9 nëntor 2015, është përfunduar ashtu si parashihet me kodin doganor.

“Në fjalën përfundimtare të prokurorit thuhet se gjendja faktike u vërtetua edhe me deklaratën e Liridon Borovcit të dhënë para trupit gjykues, mbrojtja ashtu si ka deklaruar edhe në fjalën hyrëse konsideron se deklarata nuk mund të merret si provë kur kemi parasysh nenin 123 të Kodit të Procedurës Penale, por edhe nëse do të merret për bazë, atëherë Liridon Borovci para trupit gjykues i ka kërkuar falje Alban Krasniqit”, tha ai.

Kurse, sipas tij, mbrojtja konsideron se është me rëndësi të potencojnë se me rastin e paraqitjes për zhdoganim të mallit me të dhëna si në DUD-in e lartcekur, importuesi në DUD ka paraqitur vlerën 743 euro të mallit që sipas tarifave doganore është dashur të paguaj 221 euro.

“Mirëpo pas shiqimit, dogana ka bërë vlerësimin e mallit që vlera e mallit është rritur dhe importuesi i mallit ashtu si deklaroi para trupit gjykues ka paguar vetëm taksa doganore në vlerë prej 710 euro që nënkupton që vlera e mallit ka qenë mbi 2000 euro”, tha ai.

Kurse, shtoi se në përgjime nuk është dëgjuar ta ketë thirrur të mbrojturin i tij, apo i mbrojturi i tij ta ketë thirrur dikë lidhur me këtë çështje.

Andaj, ka kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij të shpallet aktgjykim lirues, fjalën e tij përfundimtare e ka mbështetur edhe vet i akuzuari Krasniqi.

Avokati mbrojtës i Besnik Polloshkës, Florent Latifaj, ka thënë se për të ekzistuar vepra penale e marrjes së ryshfetit kërkohet që personi zyrtar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthortë të kërkojë apo pranojë.

“Gjatë provave të administruara në këtë shqyrtim gjyqësor, me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se Besnik Polloshka të ketë kërkuar apo pranuar ryshfet për një punë e cila nuk ka qenë fare në kompetencë të tij”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe DUD-i, i cili është administruar si provë dëshmon se Besnik Polloshka nuk ka fare të bëj me këtë çështje dhe nuk ka qenë prezent atë ditë kur është bërë doganimi i këtij malli

Sipas tij, është edhe më e paqartë situata me ndryshimin e akuzës pasi ka të bëjë me dy data të kryerjes së një vepre penale e që neni 428 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës nuk lejon që kjo vepër penale të kryhet në mënyrën dhe kohën si është paraqitur në aktakuzë ngase ose janë kërkuar apo marrë me 9 ose me 10 nëntor.

“Në rastin konkret në asnjërën nga këto data, mirëpo edhe në kuptimin formal, ky dispozitiv nuk i përmbush elementet që duhet t’i ketë një dispozitiv i aktakuzës”, ka thënë i akuzuari.

Ai ka pyetur se si është e mundur kur nuk je as fizikisht në një vend të kryesh veprën penale të marrjes së ryshfetit, si dhe ka propozuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, ndërkaq Besnik Polloshka ka mbështetur fjalën e tij dhe ka deklaruar se ndihet i pafajshëm.

Mbrojtësi i Liridon Borovcit, avokati Alban Makolli, deklaroi se nuk është arritur të vërtetohet se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Nga provat e administruara nuk u vërtetua elementi kyç i figurës së kësaj vepre penale përkatësisht nuk u vërtetua se i mbrojturi im ka qenë person zyrtar e as nuk ka pasur ndonjë autorizim publik si pronar i firmës “Euro Tregu Joni”, ka thënë ai.

Sipas tij,  nuk ka pasur as mundësi objektive që të përmbushen edhe elementet tjera të kësaj vepre penale, respektivisht tejkalimi i kompetencës.

I akuzuari Borovci, ka kërkuar falje nga gjykata si dhe gjithë të akuzuarit e tjerë.

“Krejt kjo është bërë pa dashje, mirëpo me presionin e paraburgimit menjëherë pas lirimit nga arresti shtëpiak kanë bërë që ato deklarata të mia të jenë të atij lloji”, ka thënë ai.

Sipas tij, ai kishte qenë i dëmtuar nga ana e doganës që i ka kushtuar me hyrje në kredi për pagesë të avokatit dhe ishte i mllefosur me oficerë doganorë.

Ai mes lotësh, ka thënë se faktor kishte qenë edhe fakti se gjatë kësaj kohe në shtëpi kishte pasur bashkëshorten e tij me djalin gjashtë muajsh.

Avokati i Isak Lutës, Ali Beka , ka thënë se asnjëherë nuk janë evituar dilemat as për kohën, as për vendin, e as për mënyrën si është pretenduar se është kryer vepra penale nga i mbrojturi i tij.

“Kur them këtë kam parasysh se gjykata e bazon aktgjykimin vetëm në provat e administruara në shqyrtim gjyqësor, nga ato prova si personale edhe materiale, në asnjë mënyrë nuk u vërtetua se i mbrojturi im ka dhënë mito”, ka thënë ai.

Ai ka pyetur se cila ka qenë logjika e dhënies e marrjes së mitos, nëse nuk ka zvogëlim të pagimit të taksave doganore.

I akuzuari Habib Luta, ka thënë se mbështet fjalën përfundimtare të avokatëve dhe se nëse ka bërë ndonjë gabim që ka dhënë të hollat kërkon falje, por veten nuk e ndjen fajtor.

Paraprakisht, para paraqitjes së fjalës përfundimtare, mbrojtjen e tyre në gjykatore e kanë paraqitur të akuzuarit Habib e Isak Luta.

I akuzuari Isak Luta, ka deklaruar se në nëntor të vitit 2015, ka ardhur në Kosovë sepse kanë pasur rast vdekje dhe se të akuzuarit Habib Luta e ka familjar, respektivisht xhaxha.

Derisa, kanë qëndruar në të pame që sipas tij, kishte zgjatur përafërsisht një javë, ai ka thënë se i akuzuari Habib Luta kishte kërkuar nga ai që t’i sjell 500 euro deri te Dogana e Kosovës.

Ai tha se këto para i kishte thënë t’ia dorëzonte Liridon Borovcit dhe i njëjti kishte shkuar që t’ia dorëzonte, por se nuk i kujtohet se a e ka telefonuar ai të akuzuarin Borovci apo ky i fundit atë.

“Nuk më kujtohet saktë a e kam thirr a jo, jemi takuar te Dogana diku te parkingu i Doganës, përkatësisht prej parkingut para se me hi te dera e doganës. Në Prishtinë te terminali “ Devolli””, tha ai.

Tutje, deklaroi se këto para ia kishte dorëzuar Liridon Borovcit dhe kur ishte takuar me të kishte qenë vetëm dhe se nuk njeh zyrtarët doganorë të akuzuar e se i kishte njoftuar në gjykatë.

Sipas tij, arsyeja pse ishte kërkuar që t’i dërgonte 500 euro kishte qenë për shkaqe doganore, për pagesa të doganës.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka – Mekaj, i ka thënë të akuzuarit se në dispozitivin e akuzës që e ngarkon thuhet se të hollat ia ka dorëzuar të akuzuarve Polloshka e Krasniqi, kurse këtë e ka mohuar i akuzuari.

“Thotë në mënyrë të drejtpërdrejt u ofron të holla në shumë prej 450 euro të pandehurve Besnik Polloshka dhe Alban Krasniqi”, ka thënë në vijim gjykatësja Kuka– Mekaj duke iu referuar dispozitivit të akuzës.

Këtë sërish e ka mohuar i akuzuari Luta duke thënë se nuk është e vërtetë.

Ai ka thënë se për faktin se a janë kthyer paratë nga ana e të akuzuarit Borovci, ka njohuri i tij xhaxhai i tij, përkatësisht i akuzuari Habib Luta.

Duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, Nushe Kuka – Mekaj, ai ka thënë se ka dhënë deklarata para hetuesve doganorë dhe se e kishte nënshkruar këtë deklaratë.

Mirëpo, gjykatësja Kuka- Mekaj, deklaroi se në shkresa të lëndës nuk po e gjen atë deklaratë, e këtë deklaratë edhe prokurori Halimi ka deklaruar se nuk e posedon në shkresa.

“Mendoj që vitin e kaluar, nuk më kujtohet muaji, e di që ka qenë muaji gusht 2018 para zyrtares doganore Valbona Ymeri. Para prokurorit të shtetit nuk kam dhënë deklaratë”, ka thënë i akuzuari Luta.

Kurse, i akuzuari Habib Luta, ka deklaruar se në mëngjes të datës 9 nëntor 2015, ka ardhur me kamion në Doganë te terminali “Devolli” , është parkuar dhe ka shkuar në shtëpi.

“Më vonë jam kthy, më ka thirr shpetiteri më ka lajmëru pasi që kamionin është dashur ta vë në inspektim. Gjatë inspektimit ka qenë veç doganieri Alban Krasniqi edhe gjatë shiqimit të mallit kanë dal se disa artikuj nuk janë të shënuar në listën e përpiluar me shkrim nga ana ime. Edhe aty e ka ndërpre doganieri inspektimin”, tha ai.

Tutje, ka thënë se gjatë shkarkimit të mallit nga kamioni për të verifikuar @ka ka në kamion, e kanë dëmtuar një set të karrigave dhe një pasqyre e madhe.

“U ndërpre, kamionin u duft me largu.  Më vonë pas 2 -3 orë, Liridoni m’ka telefonu të njëjtën ditë dhe më ka thënë për qata mall gjoja se duhet me pagu”, tha ai.

Sipas tij, të akuzuarin Borovci e kishte njohur edhe më parë sepse ka pasur firmë dhe përmes kësaj firme është doganuar malli.

“Përmes telefonit më ka thënë se zhdoganimi i mallit kushton rreth 500 euro. Pasi kisha rast vdekje në shtëpi, kam kërkuar nga Isaku që shumën prej 500 euro t’ia dërgoj Liridonit dhe ka shku ky ja ka dhënë Liridonit”, ka thënë ai.

Ndërsa, sipas tij, të nesërmen, më 10 nëntor 2015, kur kishte shkuar në terminal për ta marrë kamionin, ka menduar që është kryer kjo punë.

“Më ka thënë shpetiteri se është caktuar një shumë tjetër nga ajo që e kam shkruar unë në listë me shkrim. Pas këtij rasti, e kam telefonuar Liridonin dhe jemi takuar në lokalin e tij në Fushë Kosovë dhe isha i mllefosur me të sepse i kishte marr të hollat dhe nuk e kishte zhdoganuar kamionin.”, ka thënë i akuzuari Luta.

Sipas tij, atë ditë , i akuzuari Borovci ka pranuar se të hollat i kishte marrë për vete dhe jo për të paguar apo për t’ia dhënë doganierëve.

“Ato të holla mi ka kthyer pas tre apo katër dite”, ka thënë ai.

Prokurori Halimi ka pyetur të akuzuarin a ka pasur në ngarkesën e dërguar në terminal pë[email protected] mallrave të vjetra edhe mallra të reja.

“Ceken mallra të vjetra, po janë me defekte dhe janë me çmime shumë të lira”, ka thënë ai.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast pritet të bëhet më 6 shtator, ne orën 13:10.

Më 20 shtator 2018, prokuroria kishte bërë zgjerimin e akuzës ndaj të akuzuarit Habib Luta, e më 22 gusht 2018, ndaj të akuzuarit Isak Luta për veprën penale “dhënie e ryshfetit”.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 14 dhjetor 2018, i akuzuari për dhënie ryshfeti, Habib Luta, kishte pranuar se u kishte dhënë ryshfet dy zyrtarëve doganorë, Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, por kishte mohuar që të ketë kontaktuar drejtpërsëdrejti me ta, siç thuhet në aktakuzë.

“Unë kam dhënë para, por jo drejtpërsëdrejti, paratë ia kam dhënë Liridon Borovcit”, kishte deklaruar Habib Luta.

Por, Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë pranim e kishte konsideruar si të pjesshëm, me ç’rast e kishte refuzuar.

Lidhur me pranimin e fajësisë, mbrojtësi i të akuzuarit Habib Luta, avokati Bahtir Troshupa, kishte deklaruar se duhet të bëhet përmirësimi i akuzës, pasi që sipas tij, i mbrojturi i tij nuk kishte dhënë ryshfet drejtpërsëdrejti, por përmes të akuzuarit tjetër, Liridon Borovci, i cili kishte qenë në cilësinë e ndërmjetësit.

Lidhur me refuzimin e pranimit të fajësisë, prokurori Kujtim Munishi kishte deklaruar se epilogu i kësaj ngjarje shihet të jetë lirimi i të akuzuarve, ngase gjykata vazhdimisht i refuzon marrëveshjet e arritura midis tij dhe të akuzuarve.

Paraprakisht, gjykata kishte mbajtur një seancë dëgjimore, për shqyrtimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, e cila ishte lidhur midis prokurorit Kujtim Munishi dhe të akuzuarit tjetër Isak Luta, marrëveshje kjo e cila ishte refuzuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Metaj.

Në këtë rast, seancat fillestare janë bërë ndaras ndaj të akuzuarve, pasi që fillimisht i akuzuari Isak Luta kishte pranuar të hynte në negocim të marrëveshjes për pranim fajësie, por që më pas ajo ishte refuzuar nga gjykata.

Pas refuzimit të kësaj marrëveshje, ai ishte deklaruar i pafajshëm.

Gjithashtu, ndaras ishte mbajtur edhe seanca ndaj Liridon Borovcit, që gjithashtu kishte arritur marrëveshje për pranim fajësie, por që në seancën e 7 shtatorit të vitit 2018, ishte refuzuar nga gjykata.

Shkak i mos pranimit të kësaj marrëveshje, sipas gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj, është se veprimet e të akuzuarit Borovci në raport me shkresat e lëndës nuk përkojnë me një vepër të tillë penale.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 korrik 2018, ndaj  Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, zyrtarë doganorë, si dhe zyrtarit të firmës “Euro Joni Kosova”, Liridon Borovci.

Sipas aktakuzës, zyrtarët doganorë Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari tjetër Liridon Borovci, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Siç pretendon prokuroria, më 9 nëntor 2015, të akuzuarit Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, të dy në cilësinë e zyrtarëve doganorë, për ekzaminimin e mallit në Drejtorinë Rajonale të Doganës në Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre e tyre e qëllim që të përfitojë dobi pasurore, ku me rastin e zhdoganimit të mallit, kishin kërkuar nga Isak Luta dhe Habib Luta, si vozitës i kamionit, shumën prej 450 euro.

Ndërsa, siç pretendon prokuroria, i akuzuari tjetër, Liridon Borovci, si zyrtar i kompanisë “Euro Joni Kosova” duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të fitojë çfarëdo dobie pasurore, për vete apo për personin tjetër, dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, vazhdimisht ka biseduar me të akuzuarin Besnik Polloshka, dhe atëherë të akuzuarin Habib Luta, duke i bindur që të japin ryshfet shumën prej 450 euro, me qëllim të zhdoganimit të mallit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 7 qershor 2018, kishte pranuar kallëzim penal shtesë, për dy të dyshuarit për dhënie ryshfeti, Isak dhe Habib Luta.

Kështu, Prokuroria Themelor, në Prishtinë më 20 shtator 2018, kishte bërë zgjerimin e akuzës ndaj të akuzuarit Habib Luta, e më 22 gusht 2018, ndaj të akuzuarit Isak Luta, për veprën penale dhënie e ryshfetit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Isak Luta, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar të holla në shumën prej 450 euro,  zyrtarëve doganorë, Besnik Polloshka dhe Alban Krasniqi.

Sipas prokurorisë, këto veprime i kanë bërë me qëllim që mallin e sjell nga Habib Luta, ta zhdoganojnë, duke mos e lajmëruar si mall të ri, por si të vjetër sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës.

Me këto veprime të akuzuarit Isak dhe Habib Luta, akuzohen se kanë kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” nga neni 429 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi