Dënohet e akuzuara që deklaroi se është penduar për shkuarjen në Siri

Dënohet e akuzuara që deklaroi se është penduar për shkuarjen në Siri

Pasi ka pranuar fajësinë, Merita Aliu është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim me kusht, për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur të martën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, dënimi ndaj saj nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës prej tre vjetësh.

Para se gjykatësi Valon Kurtaj ta shpallte aktgjykimin ndaj saj, e akuzuara ka thënë se ndihet fajtore dhe se pendohet për shkuarjen e saj në Siri.

“E pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohem, mirëpo jom pendu shumë. Prej kur jom kthy kom thanë se jom pendu dhe se një gabim të tillë me kthy kohën nuk e kisha bërë asnjëherë”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka kërkuar një dënim më të ultë, duke thënë se përpjekja e saj është ri-integrimi në shoqëri dhe një jetesë normale.

Ndryshe, tani e dënuara, është në mesin e kosovarëve që së fundi janë rikthyer nga Siria.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të përpiluar më 19 gusht 2018, Merita Aliu akuzohet për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 i KPRK-së.

Aliu pretendohet se me vetëdije dhe dëshirë më 1 korrik 2015, kishte kaluar kufirin në Maqedoni dhe përmes këtij vendi kishte udhëtuar për në Turqi, e më pas në Siri me qëllim që t’u bashkohet grupeve terroriste.

Sipas aktakuzës, Aliu thuhet se kishte përfunduar në territor të kontrolluar nga ISIS, e që më pas edhe i ishte bashkuar kësaj organizate dhe organizatës “Al Nusra”, duke vepruar në to deri më 10 dhjetor 2017. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi