Intervistë me prof.dr.Xhejn Shugarman-etnomuzikologe amerikane

Intervistë me prof.dr.Xhejn Shugarman-etnomuzikologe amerikane

Muzika shqiptare tashmë është një brend!

Etnomuzikologia amerikane dr. Xhejn Shugarman, për gati një muaj, qëndroi në Kosovë për të përmbyllur punën rreth librit me temë: Muzika e shqiptarëve të ish Jugosllavisë, në veçanti nga Kosova, që nga fillimi i punës së Radio Prishtinës e deri në vitin 2008. Tema e bisedës tonë ishte pikërisht ky libër i cili pritet të botohet së shpejti.

Profesoresha Shugarman, para disa vjetësh kur ju ishit në Kosovë patët thënë se jeni në fund të hulumtimit? Aso kohe patët bërë shumë intervista, çfarë nuk është e qartë, çfarë informacionesh shtesë ju duhen për të përfunduar librin?

Kisha nevojë për disa informacione të sakta. Kam pasur kronologjinë e ngjarjeve por jo datat e vitet e sakta. Më duhej të dija saktë: kur ka ardhur radioja nga Prizreni në Prishtinë, në cilin vit kanë filluar t’i incizojnë këngët  ngase në fillim I kanë kënduar drejtëpërdrejtë, në cilin vit kanë filluar Akordet e Kosovës

Keni të drejtë,  janë dhënë disa data! E kuptuat më në fund kur saktësisht kanë filluar Akordet?

Isha disa ditë në Bibliotekën Kombëtare duke parë gazetën “Rilindja”. Gjeta edhe vitin e saktë të fillimit të Akordeve, ishte viti 1963!. Mësova se në fillim organizoheshin në maj, pastaj në vjeshtë. Në fillim, nisnin e përfundonin në një ditë. Gjatë ditës organizoheshin këngët për fëmijë ndërsa në mbrëmje këngët popullore edhe ato argëtuese. Ishte ditë shumë e gjatë. Në vitin 1974 kanë vendosur ta zgjasin festivalin në tri net dhe e kanë zhvendosur atë në vjeshtë. Vlen të theksohet se në vitin 1974, nata e tretë, nata e këngëve argëtuese,  është transmetuar edhe nga TV Beogradi dmth në gjithë Jugosllavinë. Do të vazhdoj kërkimet për të mësuar a kanë vazhduar me këtë edhe në vitet vijuese dhe deri kur. Kam ende punë!

Gjatë hulumtimit tuaj në Bibliotekën Kombëtare më thatë se keni hasur edhe në disa artikuj interesantë, disa raporte të Jusuf Gërvallës. Për çfarë bëhet fjalë?

Jusuf Gërvalla për një kohë ishte gazetar I muzikës te “Rilindja”. Ai ka raportuar cdo natë, për disa vjet, për Akordet e Kosovës. Kjo më bëri shumë përshtypje. Poashtu në vitin 1974 Jusufi ka shkruar edhe për SH.K.A “Afërdita”. I kam lexuar ato shkrime.

Ju keni hulumtuar por edhe mbledhur shumë materiale nga këtu. Sigurisht libri do t’u hyjë në punë shumë studiuesve e studentëve apo jo?

Edhe profesorëve, hulumtuesve dhe cdo njeriu që mund ta lexojë anglishten. Sigurisht edhe  etnomuzikologëve në Amerikë, Angli , sepse ta zëmë, libri I parë që kam shkruar për këngët e Prespës lexohet shumë nëpër programet për etnomuzikologji. Edhe kosovarëve sigurisht, të rinjëve që nuk kanë njohuri për atë kohë. Sidomos njerëzve të ish Jugosllavisë që nuk dijnë fare për Kosovën sidomos për muzikën e Kosovës.

Pra libri do të jetë më shumë histori për muzikën që është krijuar në Kosovë apo jo?

Është histori me analizë, analizë sociologjike

Ju thatë se do të jetë një libër për studiuesit, profesorët, etnomuzikologët etj. Në veçanti për ata studiues të ish Jugosllavisë, në veçanti serbë të cilët ta zëmë thonë se në Kosovë nuk ka pasur rok. Ju në disa raste keni reaguar për këtë konstatim madje, keni debatuar për t’ua dëshmuar të kundërtën.

Është interesante vërtet kjo. Njerëzit në Slloveni, Kroaci, Serbi etj nuk kanë ditur se ka pasur rok në Kosovë. Ka disa hulumtues të rinj, një është në Kanada, një në Skandinavi, ata janë me origjinë nga ish Jugosllavia të cilët kanë shkruar se nuk ka pasur rok në Kosovë.  Në një konferencë njëri tha se nuk kishte rok në Kosovë! Unë fola me të dhe I thash që keni informatë të gabuar. Në Kosovë ka pasur rok që nga vitet ’60. Të njejtën gjë e ka përsëritur në një film dokumentar dhe sërish kam reaguar dhe tani jo nuk e thotë më!

Faleminderit Xhejn për këtë reagim dhe insistim tuajin që të bindni të tjerët dhe u jepni informacione të sakta se cfarë ka ndodhur në Kosovë! Pra, e gjithë muzika që është krijuar në Kosovë do të jetë në këtë libër në disa kapituj!

Po, është e ndarë në disa kapituj. Ka një parathënie për teorinë, si e kam bërë hulumtimin, ka një kapitull për kohën e socializmit, si ishte situata e shqiptarëve në atë kohë në ish Jugosllavi, në kohën e Titos pra, është vetëm histori. Ka vetëm një kapitull, dhe për këtë më vjen shumë keq, për Radio Prishtinën. Do duhej të kishte më shumë, por edhe materialet nuk ishin të digjitalizuara kur unë kam filluar studimin. Në disa kapituj flas vetëm për disa njerëz të muzikës. Është më interesante të flas për më pak njerëz dhe të flas për më shumë këngë, për më shumë ngjarje që kanë ndodhur. Pastaj një kapitull do të jetë për vitet 70-80. S’pari për grupin “Afërdita” , për fillimin e muzikës folklorike këtu , grupet me orkestër me cifteli e sharki dhe pastaj do të jetë për rok.

Më keni thënë se një kapitull titullohet Rok me çifteli? Është ky kapitulli për rokun?

Jo jo, ky është më vonë. Jo ky do të jetë rokerët dhe rapsodët. Sepse kanë bashkëegzistuar të dyja këto lloje të muzikës në vitet ’80 dhe ishte një konkurencë shumë e fortë mes muzikës folklorike dhe asaj rok.  Do të flas më shumë për dallimet që kishte. Kush ka dëgjuar rok e kush muzikë folklorike sepse kishte të bënte edhe me politikën. Njerëzit që shkuan pas muzikës folklorike kishin më shumë interes ndoshta për Shqipërinë dhe sistemin atje. Pastaj do të ketë një kapitull përsëri, më shumë histori, për vitet ’90 si ka qenë situata këtu nën Milloshevicin, me sistemin paralel të qeverisjes, zhvillimin e produkcionit muzikor privat, me aranzherët që kanë dalë në atë kohë dhe cfarë muzike kanë prodhuar.

Me sa di unë ju, që në vitin 2000, keni filluar punën për këtë libër. Kujtoj që më keni thënë që intervistën e parë keni bërë me Florent Boshnjakun!

Edhe para kësaj. Në vitin ’99 isha 6 muaj në Zvicërr dhe intervistat e para ishin me producentët në Zvicërr dhe Gjermani.  Në fillim mendova se ky do të jetë vetëm një studim për diasporën se si lëvizë muzika nga Kosova, Maqedonia në Zvicërr, Gjermani, Amerikë dhe kështu bëra disa intervista me producentët atje.  Atë kohë pata blerë qindra kaseta e videokaseta prej këtu por në vitin 2001 isha në një concert për muzikën popullore në Neë York dhe Florent Boshnjaku ishe aty, bënte muzikë me një grup. Unë e njihja si aranzher për Gilin, Adelinën.  Ua, thash ka një aranzher këtu! Unë pastaj bëra një intervistë me të. Ishte interesante si intervistë se Florenti ka qenë edhe roker në vitet ’80. Ka qenë te “Ilirët”, “Oda” te disa grupe. Pastaj ka qenë te “Besnikët” për muzikën popullore. Pastaj u bë aranzher dhe unë kisha shumë pyetje për të se si ka qenë në vitet ’90. Ai më ka folur psh për kafiteritë që ishin në Kurriz, për problemet që kanë pasur njerëzit të shkonin nga një vend në tjetrin për koncerte ose dasma. Kam mësuar shumë nga kjo intervistë . Në vitin 2002 pastaj në 2004 erdha këtu dhe qëndrova 6 muaj. Pastaj në 2006, 2012 e kështu vit pas viti vij me shumë kënaqësi në Kosovë.

Cila periudhë e muzikës shqipe do të përfshihet në libër? Cilat vite janë për ju më interesante, ndoshta?

Unë mendova që ta përfshij muzikën e krijuar këtu deri në vitin 2008. Më lejo të vazhdoj edhe pak me kapitujt: për vitet ’90 do të ketë dy, një për muzikën popullore të krijuar edhe në Kosovë edhe në Maqedoni, muzika e parë komerciale

Pse është interesante për ju muzika e viteve ‘90-2000?

Sepse për herë të parë ishte prodhimi privat. Ishte një situatë krejt tjetër.  Në fillim të viteve ’90 duhej të prodhoheshin këngët ashtu lirshëm ! Ishin këngët e protestes, këngët patriotike. Shkurte Fejza, Ilir Shaqiri kanë incizu shumë këngë atë kohë por pastaj kanë fillu nga Maqedonia ato këngët popullore si të dasmave . Janë vitet e hyrjes së kapitalizmin në prodhimin muzikor. Gjithmonë ka pasur një element të kapitalizmit në Jugosllavi sepse firmat si Jugoton, RTB ata donin t’I merrnin paratë për vete prandaj edhe mendonin se kush do t’I blejë pllakat ose kasetat. Në vitet ’90 ka shkuar cdo gjë sipas tregut.

Mendoni se e ka dëmtuar muzikën e mirëfilltë kjo kohë për të cilën po flisni?

Unë nuk jam kundër këngëve popullore të asaj kohe sepse s’pari unë jetova në Shkup tri vjet dhe shumë prej këngëtarëve ishin nga Shkupi ose Kumanova dhe muzika vinte nga jeta që bëhej atje. Shumë prej tyre flisnin shqip edhe turqisht. Televizioni atë kohë në Maqedoni në gjuhën shqipe ka qenë shumë i varfër dhe kështu ata kanë shikuar shumë programet turke. Ka pasur 24 kanale nga Turqia në vitet ’90! Ndikimi ka qenë shumë i madh nga këto programe. Unë doja të dija kush i dëgjonte, pse i dëgjonte dhe pse pëlqeheshin kaq shumë këto këngë!

Çfarë mësuat?

Gurbetcarët shumë e kanë dëgjuar këtë muzikë. Ata njerëz që duhej të iknin nga Kosova e Maqedonia që të shkonin në Gjermani e Zvicërr. Ishin shumë të rinj që mendonin për familjen, vendlindjen. Janë shumë këngë të gyrbetit që kanë dalë në vitet ’90. Por gjithashtu ka shumë këngë të dasmave që këndohen mu në momentin e dasmës sepse janë kthyer në Kosovë e Maqedoni dhe kanë bërë dasmat.  Të ju them të drejtën unë kam simpati për ta. Nuk janë njerëz të qytetit, nuk e kanë shijen e qytetit por kanë shijen e vet dhe muzika është pjesë e jetës së tyre.

 

Po kapitujt të tjerë cilët janë?

Përvec kapitullit për muzikën popullore do të ketë edhe një kapitull për muzikën argëtuese, muzikën pop që ka dalë në vitet ’90. Është interesante se ka pasur më shumë femra këngëtare. Kanë qenë Gili, Adelina, Leonora, Ganja, Aida, Edona Llalloshi…ka pasur shumë. Në fund të viteve ’90 ka dalë edhe një grup me tri femra me emrin “Bam”. Ky është një fenomen! Janë femrat që kanë dominuar sepse shumë prej meshkujve ishin jasht Kosovës atë kohë. Edhe në Angli e Amerikë ka pasur shumë këngëtare si: Madona, Xhenet Xhekson, Kajli Minou, ka qenë kohë që ka pasur shumë VIP-a  femëror, yje të Holyvudit ose modele që kanë dalë atë kohë . Ishte krijuar një atmosferë këtu kur femrat kishin shumë ndikim për modën…

Edhe këtu u krijuan atë kohë modelet! Kush ishin më tipiket sipas jush?

Po Adelina ishte për modën. Kur ka dalë kaseta e Adelinës në vitin 1996 ka pasur 8-9 foto me veshje të ndryshme. Ishte kohë interesante por ishte edhe një kohë kur kosovarët kanë krijuar këngë për veten e tyre, nuk kanë mendu per Jugosllavinë, nuk kanë mendu për ndërkombëtarët. Ishte muzikë për qejfin e vet.  Mendoj se ka patur një lloj lirie atë kohë, ishte e cuditshme.

Ishte një farë bumi, le të themi, por kishte edhe interes ekonomik mendoj unë.

Sigurisht. Këtë e kam përfshi nën titullin “Rok me cifteli” sipas titullit të këngës së Gilit. Sepse nuk kishte mundësi një album të dalë në treg me muzikë argëtuese nëse nuk do të kishte elemente të folklorit. Producentët mendonin që nëse nuk do të kishte folklor programi nuk do të shitej.  Prandaj Ilir Berani me Gilin kanë gjetur një formulë për këngët që janë gjysëm folklorike e gjysëm pop.

Një zhanër I ri I krijuar!

Po zhanër I ri. Adelina ishte më shumë pop por megjithatë I ka kënduar disa këngë popullore  nëpër kaseta, ka elemente të folklorit. Ta zëmë “Ushtrinë time do ta bëj” duket muzika si nga folklori.

Këtë këngë me sa kam unë informacion e ka kopjuar nga Adelina një këngëtare serbe!

Po është e vërtetë. Kënga që ka kënduar Adelina ka dalë 2 vjet para se këngëtarja serbe Mira Shkoric ta këndojë. Pra Mira Shkoric e e ka huazuar nga Adelina. Dhe merre me mend, si është e mundur, një këngë që është për Ibrahim Rugovën!

Isha në një konferencë, kam një kolege prej Bosnjes, ajo ka shkruajtur tezën për “Nova komponovana muzika të viteve ’80” ajo mbajti një ligjeratë për turbofolkun dhe ajo e lëshoi këtë këngë të Mira Shkoric. Unë isha atje dhe u cudita por në Serbi mendojnë se ka qenë këngë serbe por jo nuk është e vërtetë. Serbet kanë marrë disa këngë nga shqiptarët.

Cilët këngëtarë do të përfshihen në këtë libër? Keni bërë shumë intervista me shumë këngëtarë por jo të gjithë do të jenë në libër, sigurisht vetëm këngëtaret më përfaqësues, më tipik apo jo?

Akoma nuk e di me siguri sepse shtëpia botuese nuk dëshiron që libri të jetë shumë voluminoz kështu që ka mundësi që duhet të shkurtoj shumë dhe më vjen shumë keq për këtë. Psh në vitet ’90 vendosa të flas më shumë për femrat kurse me siguri ka patur edhe grupe hip hop dhe disa lloje tjera të muzikës.  Për kohën e Radio Prishtinës kam marrë disa njerëz me histori të vecanta.  Kam marrë më shumë këngëtaret nga fillimi si Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Cavolli. Është interesante që, që herët ka pasur këngëtare që kanë kënduar shumë. Pastaj foli për Ismet Pejën i cili ka qenë këngëtar i rregullt në radio por i cili kishte vendosur të kthehej në Gjakovë dhe të këndonte në një ansambël atje. Ai udhëtonte me autobus dhe vinte të regjistronte këngët në Prishtinë. Ka regjistruar shumë këngë të reja në stilin popullor si Zambakun e Prizrenit, Martesa e lumtur etj. Është interesant se kur këndon këngët e Gjakovës, këndon me një zë me një stil ndërsa kur ka kënduar në Radio Prishtinë ka kënduar krejt në një stil tjetër, si tenor me një teknikë të muzikës serioze. Ka një dallim shumë të madh dhe ne kemi folur për këtë. Ishte sikur të ishin dy këngëtarë të ndryshëm.  Do të jetë në libër edhe Sabri Fejzullahu sepse ai ka ardhur në radio tamam kur ka ardhur një kohë tjetër në Jugosllavi, në kohën kur ishin hapur pakë lidhjet me Shqipërinë. Ai ka kënduar psh me tekste nga poetët e Shqipërisë si Migjeni, Asdreni, Dritëro Agolli, ose këngët që ka krijuar Reshat Randobrava si “O moj ti me sytë e zi”, kanë marrë shumë prej folklorit sepse në atë kohë kishte shumë ndjenja për Shqipërinë . Edhe në muzikën zbavitëse kishin dëshirë të kishin element të folklorit, pastaj tekste nga Shqipëria në gjuhën standarde. Më heret e përdornin gegërishten në Kosovë. Poashtu në libër do të flas shumë për ShKA “Aferdita”. Për rok grupet si: Minatori, Gjurmët, Ilirët TNT, selekcioni 039, grupi 403, Teleksi pra, për grupet më tipike që ishin. Për vitet 90 do të jenë në libër: Adelina, Leonora Jakupi, Gili dhe grupi Bam. Më është dashur të shkurtoj shumë. Më vjen keq që më është dashur t’I nxjerr disa këngëtare. Kam dicka edhe per rok grupet e viteve ’90 sepse ata filluan të bëjnë rok me cifteli. Poashtu flas pak edhe për MS Beken se ai ka kombinuar hip hop me folklor. Pastaj kam një kapitull për këngët e luftës. Sigurisht aty është Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, përsëri Adelina, Gili, disa rok grupe. Janë interesante edhe këngët por edhe videot. Kam folur edhe për videon në kohën e luftës .  Atë kohë ka qenë edhe programi satelitor nga Shqipëria ndërsa kam vetëm një kapitull për kohën e pasluftës. Kisha dëshirë të shkruaja shumë më shumë por nuk kam vend në libër.

Mbase në një libër tjetër!

Ose në një libër tjetër ose do të shkruaj artikuj. Situata me ndërkombëtarët dhe këngëtarët që kanë vendosur të krijojnë këngë që kritikojnë shoqërinë shqiptare në Kosovë ose e kritikojnë Unmikun dhe situatën me ndërkombëtarët. Ky do të jetë kapitulli I fundit.

Të ndalojmë edhe pak te kapitulli I fundit!

Në fillim flas për disa këngë që kanë dalë në lidhje me një organizatë joqeveritare  ose OKB pas kësaj flas për disa këngë që I kanë kruijuar vet këngëtarët jo me mendimin që të jenë pjesë e ndonjë fushate por vetëm të bëjnë një kritikë për gjendjen në Kosovë. Pastaj do të flas për grupin “Xheriko”. Unë i pata dëgjuar kur isha për herë të parë këtu pas luftës, e dëgjova këngën me video “Zgjohu” në televizion e cila më ka interesuar shumë, ishte një këngë me nivel shumë të lartë si me vokalin, kitaren cdo gjë shumë bukur. Merr elemente të folklorit por melodia nuk është folklorike por është melodi origjinale e Petritit. Edhe videoja ka qenë shumë interesante. Kisha shumë pyetje për këtë këngë: për çfarë rasti është kënga, pse i kanë futur vallëtarët e Rugovës në mes të videos, pse janë me maska… disa herë kam folur me Petritin. Kuptova që ai vjen nga një familje që kanë bërë muzikë gjithmonë se babai i tij ka qënë kryetar I orkestrës së “Hajdar Dushit”në Gjakovë, se ka një traditë me këndimin. Disa këngë kanë dalë pas luftës që bënin kritikë për dhunën që ka pasur këtu në Kosovë edhe për frikën që kanë pasur njerëzit që të dalin në rrugë, nuk kishte siguri. Nuk është vetëm kënga e Xherikos por edhe Adelina e Beka kanë bërë një këngë “Boll ma” me të njejtën temë por Petriti I Xherikos ka qenë student I arkitekturës dhe është vrarë një prej profesorëve të tij, Rexhep Luci ky ishte motive që bëri këngën. Nuk e bënë vetëm një video, kanë bërë film 10-12 minuta, Yll Çitaku e ka bërë. Fillon me këngën “Zgjohu” pastaj e ka një interlud , janë dy ndërkombëtarë që flasin për kosovarët, flasin në anglisht dhe mendojnë se a duhet të jenë këtu apo jo! Pastaj vjen kënga “Më pastor” dhe pastaj vjen dicka tjetër në fund. Ishte një film eksperimental dhe për mua ishte shumë interesant.  Kur ka dalë albumi me këngën “Zgjohu” çdo njeri më ka folur në Prishtinë për këtë për kualitetet muzikore por edhe për mesazhin që përcillte. Edhe teksti ishte jo pa qëllim sikur të fliste tradita. Fjalën “Zgjohu” e kanë përdorë disa organizata politike më pas: një në Maqedoni pastaj edhe Vetvendosja e ka përdorë këtë fjalë për disa aktivitete, nja shoqatë këtu gjithashtu kështu që unë mendoj se ka qenë një inspirim për njerëzit.

Sipas mendimit tuaj, ku qëndron muzika shqiptare në hartën e përgjithshme muzikore?

Ne etnomuzikologët mendojmë se cdo vend i botës ka vend në atë hartë. Do të flisja për muzikën tradicionale muzikën burimore se ka disa karakteristika që janë shumë specifike për shqiptarët në njërën anë, polifonia në anën tjetër, këngët e kreshnikëve, këngët e vajzave, këngët majekrahut por në anën tjetër dicka që më intereson mua është muzika që sillet nëpër media, nuk është për koncertet, për muzikën live. Pra, është për muzikën në media.

Dmth libri do të jetë për muzikën në media që nga themelimi I Radio Prishtinës e deri pas luftës në vitin 2008 diku apo jo?

Po

Është interesant që situata këtu në vitet ‘90 ishte shumë serioze, shumë e vështirë, e kishin mbyllur Radio Prishtinën për shqiptarët, në anën tjetër ky ka qenë një hap për të krijuar një industry private dhe shumë shpejt u arrit një nivel shumë i lartë. Menjëherë pas luftës të gjitha studiot u desh të rindërtoheshin nga fillimi se ishin rrënuar gjatë luftës, filluan me teknika të reja dhe ecën shumë përpara. Pas një kohe edhe njerëzit tjerë të Ballkanit kanë dëgjuar muzikën shqiptare. Është interesante që sot muzikën shqiptare nuk e dëgjojnë vetëm shqiptarët! Kur futesh në youtube e sheh që shumë njerëz të botës e dëgjojnë dhe janë të interesuar për ritmet, meloditë, produkcionin, për videot që janë në një nivel shumë të lartë.Tash është interesant se po dalin edhe në tregun amerikan, ose në Angi me Era Istrefin me këngëtaret si Rita Ora dhe Dua Lipa nuk janë të pavarur në një mënyrë, janë lidhur situate  e Ritës dhe Duas janë të lidhura me situatën këtu dmth muzika shqiptare ndoshta është një brend, ka shumë njerëz që e konsumojnë. Eshte interesant për mua, është fenomen!

Ju përcillni komentet që bëjnë njerëzit për këngët në yotube!

Po, po,  psh kur doli kënga Rio Rio, ka shumë njerëz nga Brazili të cilët po komentojnë këtë këngë të cilën e ka bërë djali yt Florë Besian Durmishi dhe thonë se kjo këngë na pëlqen.

Xhejn, vazhdon të mbetët edhe më tutje dashuria më e madhe për ju polifonia?

Jo vetëm! Gjithmonë do të jetë në zemrën time sepse kam filluar me polifoninë. Ka shumë stile të këngëve që më pëlqejnë këtu në Kosovë:  këngët qytetare, këngët e Gjakovës si I këndojnë si në kohën e vjetër edhe në mënyrën e sotshme. Para dy javësh isha në Gjakovë dhe dëgjova Nezafete Shalën, sa bukur këndonte, e shkëlqyer, sikur të dëgjoje Hafsa Zyberin, Fitnete Rexhën, me gjithë shpirt këndonte, me atë stil që nuk mund të krijohet sot. Është stil që vjen nga familja nga koha, shumë më pëlqen. Edhe këngët e reja që dalin më pëlqejnë shumë sepse janë origjinale. Më vinte interesant në atë periudhë kur ka pasur shumë grupe alternative, unë nuk e di sa ka tani, kanë shkuar më shumë tek komercializmi, edhe kjo ka qenë një periudhë shumë e mirë, njerëz si Shpat Deda ose Genc Salihu unë e njoh Gencin shumë mirë albumet kanë qenë shumë të forta. Kështu edhe me Xherikon e kanë dëgju në disa faqe të internetit për Ëorld muzik, nga Franca, Gjermania, i kanë future këngët alternative se ishin krejt origjinale dhe kombinimi I folklorit me rok, rep është dicka shumë origjinale.

Po studentët tuaj sa janë të interesuar për muzikën shqipe?

Veçantërisht ata që janë si asistentë për mua. Unë kisha një student që ka punuar me mua një vit. Kisha shumë videokaseta me këngë të viteve të 90-2000 dhe duhej të digjitalizoheshin. Kishte një student që i ka digjitalizuar videoclipet për mua. Ai është adhurues i Adelinës, Gilit. Edhe hip hopi ka qenë shumë interesant për ta. Tash studentët e mi janë student për doktoratë. Janë më të rritur. Janë të interesuar për kontekstin e muzikës, si ka qenë situata në Kosovë sidomos për vitët e 90-ta kur kosovarët kanë krijuar një shtet paralel është një fenomen I jashtëzakonshëm, janë interesuar si kanë bërë muzikë në atë kohë si ishin mundësitë për të bërë një industry private të marrin satelit nga Shqipëria lidhjet qe kanë bërë aso kohe. Studentët janë të interesuar shumë për këngët që bëjnë protestë, këngët që rezistojnë dicka. Gjithmonë kosovarët kanë pasur muzikë të rezistencës.

Keni student që ka tezën e doktoratës për muzikën shqipe?

Jo tani por kam pasur një student në fakultetin që kam punuar më herët. Ai ka qenë një shqiptaro amerikan. Ai ka qenë disa herë në Shqipëri. S’pari ishte me bursë fullbrajt ishte shumë i interesuar për hip hopin sepse ai ishte i ri dhe e kishte qejf hip hopin pastaj ka punuar me serenatat korcare por edhe me aktivitetet e diasporës në fillim të shekullit 20. Por festivali I këngës është interesant. Ka punuar shumë në arkive, ka gjetur shumë dokumente…..

 

Autor: Flora DURMISHI