Mbi 25 vjet burg për të akuzuarit për përgatitje të sulmeve terroriste

Mbi 25 vjet burg për të akuzuarit për përgatitje të sulmeve terroriste

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë gjashtë të akuzuarit për vepra penale që lidhen me terrorizmin, Bujar Behrami, Resim Kastrati, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Mustaf Tahiri, i akuzuari Bujar Behrami, është dënuar me 10 vjet burgim efektiv, për dy vepra penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, si dhe “kryerja e veprës terroriste”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të njëjtat vepra penale, me katër vjet burg është dënuar edhe i akuzuari Resim Kastrati.

I akuzuari për përgatitje të veprave terroriste dhe për rekrutim në terrorizëm, Gramos Shabani është dënuar me dënim unik prej shtatë vjet burgim.

Kurse, Edona Haliti është dënuar me një vit burgim, për “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, dhe veprën penale “kryerja e veprës terroriste”.

Albert Ademaj është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, për mos lajmërim të veprave penale.

Për mos lajmërim të veprave penale dhe armëmbajtje pa leje, Leotrim Musliu është dënuar me dënim unik prej dy vjet e tre muaj burgim. .

Të akuzuarit Bujar Behrami, si dënim plotësues do t’i konfiskohet shuma prej 9000 mijë euro, ndërsa të akuzuarit Musliu, armët dhe fishekët e sekuestruar.

Të akuzuarit janë të obliguar të paguajnë nga 50 euro në emër te shpenzimeve procedurale dhe nga 50 euro për fondin për kompensim të viktimave.

Të gjithë të akuzuarve, do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 tetor 2018, të akuzuarit Bujar Behrami e Resim Kastrati, gjatë periudhës kohore nga muaji dhjetor 2017 e deri me datën 29 qershor 2018, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Bujar Behrami ka tentuar ta krijojë grupin me emër “Ndihmëtarët e shtetit Islam në tokën e shqiponjave”, për të vepruar në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Veçmas janë përgatitë për sulme terroriste në diskotekat “Insomnia” dhe “Kamboxha” në Graçanicë, si dhe ndaj kishës ortodokse afër kafenesë “Moskva”, në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe vende të tjera të frekuentuara me qytetarë.

Në aktakuzë thuhet se Resim Kastrati është angazhuar në drejtim të furnizimit me armë të zjarrta dhe materiale plasëse, si dhe gjetjen e personave për vendosjen e jelekëve me eksploziv.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK – së.

I akuzuari Bujar Behrami, sipas pretendimit të prokurorisë, gjatë muajit prill – maj të vitit 2018, me qëllim të kryerjes së akteve terroriste në Kosovë, e gjatë komunikimit me personin e quajtur Mursel Murseli, i njëjti nga Gjermania ka dërguar mjete financiare për të dyshuarin Resim Kastrati, me qëllim të blerjes së materialeve eksplozive dh armëve të zjarrta.

Në aktakuzë thuhet se me datë 20 prill 2018, 24 prill 2018 dhe 14 maj 2018, përmes institucioneve për transferimin e parave “Money Gram” dhe “Ëestern Union”, tërthorazi ka dërguar shumën e të hollave prej 2629.45 euro, 3117.01 euro dhe 3255.00 euro (gjithsej 9001.46 euro), në emër të personit të quajtur Petrit Gashi, e që edhe të njëjtat transaksione me implementimin e masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit janë konfirmuar nga vet i dyshuari Behrami.

Me këtë, sipas prokurorisë, Bujar Behrami, ka kryer veprën penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, nga neni 138, par. 1 i KPRK – së.

Aktakuza e ngarkon edhe Gramos Shabanin me veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144, par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste”, nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.

Kjo sepse, sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri më 02 qershor 2018, i akuzuari Gramos Shabani, me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë, meqë është edhe shtetas belg.

Sipas prokurorisë, ai ka planifikuar sulm vetëvrasës me eksploziv në vende ë frekuentuara me qytetarë, e që me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, përkatësisht monitorimin e bisedave ne vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës – DKT, në Prishtinë, më 05 qershor 2018, i njëjti arrestohet.

Po ashtu, Gramos Shabani, me 02 qershor 2018, me dashje direkte i ka bërë thirrje bashkëshortes së tij Edona Haliti nga Hajvalia, në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke e udhëzuar që të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet, ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë dhe në vendet e tjera të frekuentuara me qytetarë, e duke e planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materiale eksplozive, me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

Për këto veprime, prokuroria e ngarkon me veprën penale “rekrutimi për terrorizëm”, nga neni 139 i KPRK – së.

E akuzuara Edona Haliti, sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri më 02 qershor 2018, duke vepruar sipas udhëzimeve të të akuzuarit Gramos Shabani, është përfshirë bë veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë, si dhe në vende të tjera të frekuentuara me qytetarë, duke u furnizuar me armë të zjarrta dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

Për shkak të këtyre veprimeve, aktakuza e ngarkon Edona Halitin me veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.

Dy të akuzuari e tjerë Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, prokuroria i akuzon se nga muaji dhjetor 2017, e deri më 29 qershor 2018, në Prishtinë dhe vende të tjera në Kosovë, edhe pse kanë qenë në njohuri dhe të informuar se Bujar Behrami dhe Resim Kastrati janë duke përgatitë akte terroriste në Kosovë, nuk i kanë lajmëruar në polici për veprimet inkriminuese të veprave penale nga kapitulli XIV – veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 1, lidhur me veprën penale nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.

Me këtë, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, sipas aktakuzës, kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, nga neni 386, par. 1, nën paragrafi 1.4 i KPRK – së.

Të akuzuarit Leotrim Musliu, i vihet barrë edhe vepra penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Kjo sepse, sipas aktakuzës, në kohë të pa vërtetuar, pa leje valide, e në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, i akuzuari Musliu, ka siguruar dhe mbajt në pronësi armë të zjarrtë – pushkë automatike, që me rastin e bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse nga ana e Policisë së Kosovë, e njëjta, bashkë me municion, i janë sekuestruar. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi