​YouTube gjobitet me 170 milionë dollarë

​YouTube gjobitet me 170 milionë dollarë

Kompania Google dhe shërbimi i saj për video YouTube do të paguajnë 170 milionë dollarë gjobë, për "t`i dhënë fund" akuzës për shkelje ligji duke mbledhur informacione private për fëmijët, tha sot Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA (FTC).

YouTube, sipas aktakuzës, ka monitoruar shikuesit e kanaleve të fëmijëve përmes të ashtuquajturave “cookie”, pa pëlqimin e prindërve, dhe më pas ka përdorur ato për të ofruar reklama të synuara për ata shikues.

Marrëveshja mes FTC dhe Zyrës e Prokurorit të Përgjithshëm në Nju Jork, e cila do të marrë 34 milion dollarë, është më e madhja qëkur ligji që ndalon mbledhjen e informacionit për fëmijët nën-13 vjeç, hyri në fuqi në 1998.

Ligji u rishikua në 2013 për të "mbuluar cookie", të cilat përdoren për të ndjekur zakonet e shfletimit në internet.