Ndeshja Kosovë-Çeki, Policia do të ndërpresë qarkullimin në dy rrugë

Ndeshja Kosovë-Çeki, Policia do të ndërpresë qarkullimin në dy rrugë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura policore për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit për ndeshjen e futbollit në mes Kosovës dhe Çekisë, e cila do të zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Policia thotë se pas pranimit të kërkesës nga Federata e Futbollit të Kosovës, Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt.

“Policia e Kosovës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të  automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.  Në këtë kontekst, policia nesër prej orës 08:00 deri në përfundim të planit operativ për ndeshjen,  do të ndërpres qarkullimin dhe ndaloj parkimin e të gjitha automjeteve në rrugët Enver Zymberi dhe Rinia. Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt stadiumit të qytetit  me vetura”, thuhet në njoftim.