Industria e sigurimeve në Kosovë u dëmtua mbi 60 milionë euro

Industria e sigurimeve në Kosovë u dëmtua mbi 60 milionë euro

Edhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka konfirmuar se me miratimin e Ligjit mbi të ardhurat e Korporatave, siç ka thënë ai, i është dhënë fund diskriminimit disa vjeçar të industrisë së sigurimeve të Kosovës, duke e hapur një etapë të re për këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas tij, industria e sigurimeve të Kosovës është detyruar me vite të tëra të paguaj tatim ekstra në qarkullim prej 5 për qind, pagesa e së cilit vlerësohet se i ka dëmtuar kompanitë e sigurimeve për mbi  60 milionë euro. “Vlen të theksohet se një tatim i tillë nuk e ka paguar asnjë biznes tjetër, përpos kompanive të sigurimeve, në Republikën e Kosovës. Tashmë është pranuar edhe nga Rregullatori, pra Banka Qendrore e Kosovës, se për shkak të tatimit ekstra prej 5 për qind, për shkak të 1 përqindëshit që kanë paguar kompanitë e sigurimeve për Kryqin e Kuq të Kosovës, kompanitë e sigurimeve për vite të tëra kanë operuar me humbje”, ka thënë Mazreku, duke shtuar se gjatë dy viteve të fundit industria e sigurimeve në Kosovës është duke performuar me fitime, përderisa me miratimin e këtij Ligji kjo industri do të ketë mundësi të zhvillohet edhe më tej.

Ai ka bërë të ditur se Shoqata e Sigurimeve të Kosovës vazhdimisht ka avokuar tek institucionet kompetente të Republikës së Kosovës se kompanitë e sigurimeve ishin të vetmet biznese që kanë qenë të diferencuara në kuptim të tatimit që i janë nënshtruar, përkatësisht në primet bruto të grumbulluara dhe jo në fitimet e deklaruara, siç ka ndodhur rëndom me të gjitha bizneset tjera në Republikën e Kosovës. “Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kuptuan qartë mesazhin tonë dhe në seancën mbajtur në pjesën e parë të muajit korrik 2019 përfundimisht e korrigjuan një defekt ligjor, i cili e ka dëmtuar në masë të madhe industrinë e sigurimeve të Kosovës. Përpos punës që ka bërë Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, për të ardhur deri në këtë fazë është dashur edhe një angazhim i madh i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, z. Fehmi Mehmeti, ministrit të Financave, z. Bedri Hamza, Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, etj.”, ka pohuar ai.