Hoti: Do të garantojmë gara të dinjitetshme nacionale

Hoti: Do të garantojmë gara të dinjitetshme nacionale

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, është takuar sot me Nënkryetarin e Komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi.

Hoti e Mjekiqi biseduan rreth organizimit të Garave që parashihen në Programin Nacional për Rininë, e të cilat do të fillojnë këtë muaj për të gjithë nxënësit e republikës. Gara do të organizohet në tri nivele duke filluar nga ai shkollor, komunal dhe republikan.

“Nga të dy garat që kemi organizuar gjatë këtij viti, Obiliqi ka pasur 449 fitues të cilët do të shpërblehen dhe unë jam i impresionuar me këtë sukses. Për herë të parë Qeveria e Kosovës ka arritur t’u ofrojë nxënësve hapësirën e nevojshme për aktivitete jashtëkurrikulare dhe krahas kësaj t’u japë shpërblime secilit nxënës fitues. Këtë muaj do të fillojmë me Garën Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik si dhe Garën Nacionale në Sport të cilat do të jenë një mundësi e shkëlqyeshme për t’i vënë në lëvizje si nxënësit, ashtu edhe personelin arsimor. Kuptohet, edhe këtë vit ne do vazhdojmë me parimin e gjithëpërfshirjes dhe vijueshmërisë sepse vetëm kështu garantojmë një garë të dinjitetshme”, tha Koordinatori Hoti, thuhet në njoftimin për media.

Në anën tjetër, nënkryetari Mjekiqi e falënderoi Koordinatorin Hoti për punën që po bën për nxënësit duke thënë se përkrahja do të vazhdojë edhe më tutje. “Ne do t’i mbështesim këto gara dhe më lejoni të ju them se jemi shumë të kënaqur me numrin e fituesve, ani pse nuk është befasi për komunën tonë ngaqë kemi një traditë në këtë aspekt. Ju përgëzoj për punën që jeni duke bërë dhe sa i përket anës sonë ne do të fillojmë me organizimin e nevojshëm”, tha Mjekiqi.

Pos Garës Nacionale në Sport, të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe në Garën Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik që do të fillojnë gjatë muajit shtator.