Apeli e anulon aktgjykimin e Themelores në Pejë

Apeli e anulon aktgjykimin e Themelores në Pejë

Si i paqartë dhe në shkelje të dispozitave të procedurës penale është cilësuar nga Apeli aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin ishte shpallur i pafajshëm i akuzuari për fajde, Artan Gjocaj.

Gjykata Themelore në Pejë, më 17 maj të këtij viti, në mungesë të provave, Gjocajn e kishte liruar nga akuza për fajde, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, ky aktgjykim sipas Apelit rezulton të jetë marrë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, shkelje të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktgjykimit të Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, gjykata e shkallës së dytë thekson se Gjykata e Pejës vetëm ka përshkruar provat materiale dhe ato jo materiale, duke mos e arsyetuar secilën provë.

“Gjykata e shkallës së parë ka përshkruar provat materiale dhe jo materiale, por të njëjtat nuk i ka arsyetuar në atë masë duke dhënë për secilën provë se çka ka vërtetuar ose jo si të vetme dhe të gjitha provat në përgjithësi si tërësi, të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Po ashtu, Apeli nuk është pajtuar me konstatimin e Gjykatës Themelore në Pejë se i dëmtuari nuk kishte pas gjendje të rëndë të banimit apo varfërisë, e sipas Apelit, këto janë cilësuar si interpretime subjektive nga gjykata e shkallës së parë.

“Për këtë gjykatë nuk është e qartë se si gjykata ka ardhur deri të një gjendje faktike siç e ka konstatuar, duke marrë aktgjykim lirues”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Për fund, Apeli ka propozuar që gjykata e shkallës së parë të bëjë përsëri administrimin e provave veç e veç, t’i vlerësojë dhe arsyetojë dhe të merr një vendim të ligjshëm dhe të drejtë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 30 nëntor 2017, i pandehuri Artan Gjocaj akuzohet se gjatë periudhës 13 mars 2015 e gjerë më 29 janar 2016 në Deçan, ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit Rifat Jasiq, me qëllim që të përfitojë pa asnjë angazhim duke kontraktuar kamatë joproporcionale për borxhin e dhënë.

Sipas akuzës, pasi të dëmtuarit i kishte arritur për pagesë shuma prej 140 mijë euro nga “ProCredit Bank”, i njëjti ka kërkuar hua nga i akuzuari Gjocaj për ta shlyer kreditin, në mënyrë që  pastaj me kredi tjetër t’ia kthej huan të akuzuarit.

I pandehuri pasi ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë eurove, me kusht kthimi prej një muaji, në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi ta kthejë këtë shumë brenda këtij afati, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar për çdo muaj vonesë 4.2 %, gjegjësisht 1900 euro në muaj, përveç borxhit bazë, duke përfituar kështu shumën prej 26 mijë euro. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi