Trupi gjykues thotë se ka legjitimitet për gjykimin e rastit “Stenta 2”

Trupi gjykues thotë se ka legjitimitet për gjykimin e rastit “Stenta 2”

Procesi gjyqësor në rastin “Stenta 2”, ku për korrupsion janë duke u gjykuar 42 mjekë të spitaleve publike të Kosovës, do të vazhdojë të gjykohet nga trupi i njëjtë gjykues, i përbërë nga kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri dhe gjykatësit Shashivar Hoti dhe Agim Kuçi.

Një gjë të tillë, ky trup gjykues e vendosi pas një konsultimi që patën gjatë seancës të së hënës, pasi paraprakisht, çështjen e ligjshmërisë së këtij trupi, e ka ngritur avokati Arianit Koci, i cili në këtë gjykim mbron të akuzuarin Elfedin Muhaxheri.

Siç tha avokati Koci, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Gjykatat, neni 42 paragrafi 2, i këtij ligji përcakton se gjyqtarët e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, mund të angazhohen në trupa gjykues në Departamentin e Krimeve të Rënda, por jo të ndodh edhe e kundërta.

Në rastin konkret, vetëm gjykatësja Gërguri është pjesë e Departamentit Special, kurse dy gjykatësit e tjerë jo.

E kësaj vërejtje të Kocit, i është bashkëngjitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Xhevdet Krasniqi, avokati Visar Rrecaj, kurse i akuzuari Lulzim Kamberi tha se është i kënaqur me këtë trup gjykues dhe se sipas tij, krejt këto paqartësi po e zvarrisin procesin dhe po e pengojnë atë dhe kolegët e tij edhe në aspektin profesional, pasi shkak i kësaj aktakuze, nuk po mund as të avancohen në punë.

Pas një pauze disa minutëshe, kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, tha se në bazë të nenin 42, paragrafi 4 të Ligjit për Gjykata, është precizuar se lëndët për të cilat është mbajtur shqyrtimi fillestar, në rastet e akuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale, do të vazhdojnë të gjykohen në ato gjykata të njëjta deri në fund, çka është edhe rasti konkret te gjykimi “Stenta 2”.

Për këtë arsye, Gërguri tha se ky proces gjyqësor do të vazhdojë të mbahet me këtë trup gjykues.

Ndryshe, gjatë seancës të së hënës, dëshminë e tyre e kanë dhënë dëshmitarët, Agim Ukaj dhe Nexhat Dragaj.

Të dy këta dëshmitarë, kanë mohuar se janë të dëmtuar, duke shtuar se as nuk paraqesin kërkesë pasurore juridike.

Dëshmitari Ukaj tha se gjatë vitit 2013, nëna e tij, kishte qenë e sëmurë nga zemra për çka edhe e kishte dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës.

Pas kontrollit që i ishte bërë në atë spital, dëshmitari tha se i kishin propozuar që ta dërgonte nënën e tij në spitalin privat turk, apo atë amerikan për vendosjen e stentave.

Megjithatë, Ukaj tha se kishte vendosur që ta sjell nënën e tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku e kishte kontrolluar mjeku Rexhep Manaj, i cili gjithashtu i kishte thënë se ka nevojë për stenta, ndërsa e kishte udhëzuar që të shikojë mundësinë për kompensim nga Ministria e Shëndetësisë.

Pasi që kishte biseduar me mjekun Manaj, dëshmitari tha se i njëjti e kishte informuar se vendosja e stentave nuk mund të bëhet në QKUK, prandaj edhe operimi ishte bërë në spitalin turk, ku i ishin vendosur dy stenta nënës së tij, për çka ishin paguar 5300 euro.

Këto mjete, dëshmitari tha se janë paguar nga ana e MSH-së.

Prokurorja Speciale, Florije Salihu-Shamolli e pyeti dëshmitarin se a ishte takuar në Spitalin e Pejës me doktorin Sali Shala, mirëpo dëshmitari tha nuk i kujtohet emri momentalisht, por mund të ketë përmendur në prokurori.

Prokurorja Shamolli, e pyeti po ashtu dëshmitarin lidhur me disa SMS që doktori Sali Shala kishte shkëmbyer me një doktor tjetër, Astrit Bakiqin, mirëpo dëshmitari tha se nuk ka pasur njohuri lidhur me ato SMS.

“Veç në bazë të prokurorit. Doktori në Pejë Sali Shala më ka thënë se duhet direkt me dërgu në spitalin privat, turk ose amerikan. Unë e kom kërkuar fletë-lëshimin dhe me atë fletë-lëshim jam paraqitur te Rexhep Manaj në QKUK. S’jom i dëmtum as kurrgjë, gjendja shëndetësore e nanës është e mirë dhe nuk paraqes kërkese pasurore juridike”, deklaroi dëshmitari.

Lidhur me dëshminë e Ukajt, vërejtje pati i akuzuari Gani Bajraktari, i cili tha se ky dëshmitar në prokurori ka thënë se doktori Sali Shala e ka udhëzuar të shkojë në QKUK, kurse në seancën e së hënës po deklaron se i ka thënë të shkojë direkt në spital privat.

Për këtë arsye, Bajraktari propozoi që për këtë rast, të dëgjohet si dëshmitar doktori Irfan Daullxhiu, i cili sipas shkresave del se ka qenë mjeku që i ka bërë koronarografinë nënës së dëshmitarit.

E një sqarim lidhur me atë se a i ka thënë dëshmitarit të shkojë drejt në spital privat apo jo, kërkoi të dijë nga dëshmitari edhe vet doktori Sali Shala, i cili është i akuzuari në këtë rast.

“Mu më vjen keq, letrën nuk e kom e veti, po mas pari ma keni jep letrën me shku në spital privat turk apo amerikan dhe më ke thënë se nuk bon me tërhek nënën nga spitali pa ardhur kombi se gjendjen nuk e ka shumë të mirë…kam kërkuar nga ju fletëlëshimin dhe mezi ma keni jep”, tha dëshmitari.

Se nuk e ndien veten të dëmtuar, e as nuk paraqet kërkesë pasurore juridike e tha edhe dëshmitari tjetër që është dëgjuar të hënën, Nexhat Dragaj.

Ai tha se në vitin 2012, kishte pasur probleme me zemër, me ç’rast kishte shkuar në Spitalin e Pejës, e ku një EKG ia kishte bërë mjeku Sali Shala.

Përkundër insistimit të Shalës që të kalonte natën në spital, Dragaj tha se kishte shkuar në shtëpi pasi e kishte ndier vetën më mirë.

Rreth orës 2 pas mesnate, Dragaj tha se kishte pësuar një sulm në zemër dhe përsëri të nesërmen kishte shkuar te mjaku Shala, i cili i kishte thënë se duhet bërë një koronografi, mirëpo e njëjta nuk mund të bëhet në spital publik, por në njërën nga spitalet private, në Prishtinë apo Gjakovë.

Nga këto spitale, Dragaj tha se kishte vendosur të shkojë në spitalin “EDA”, të cilën tha se kishte zgjedhur vet pasi që kishte llogaritur në doktorin Borche Petrovski, si mjek i mirë.

Në spitalin “EDA”, Dragaj tha se i kishte vendosur dy stenta, të cilat kishin kushtuar nga 3500 euro secila.

Për shërbimet që kishte marr në atë spital, dëshmitari tha se është i kënaqur me trajtimin nga mjeku Borche Petrovski, mirëpo, stenta e dytë tha se i ishte vendosur nga një asistent i Petrovskit, për të cilin tha se kishte dëgjuar se është djali i mjekut Petrovski, e për të cilin tha se mendon se nuk kishte qenë profesionalisht i përgatitur.

Pas vendosjes së stendës së dytë, dëshmitari tha se asistenti në fjalë e kishte informuar se kishte edhe një trombë anësore, mirëpo siç tha dëshmitari, ai nuk kishte pranuar të operohej sërish nga ai asistent.

Kur nga prokurorja Shamolli u pyet se a kishte kërkuar kompensime nga ana e MSH-së, për shpenzimet e operimit, Dragaj dha se nuk kishte bërë kërkesë pasi nuk e kishte ndierë vetën të dëmtuar.

Krejt në fund të dëshmisë së tij, prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin me deklarimin e tij në prokurori, ku sipas prokurores, i njëjti kishte thënë se doktor Sali Shala e kishte udhëzuar të shkojë në spital privat, kurse gjatë seancës të së hënës po e deklaron të kundërtën.

“Doktori s’ka mujt me ma përzgjedh mu spitalin. E vërteta është se më ka thënë tri spitale private ku muj me bo koronografinë, dy në Prishtinë dhe një në Gjakovë. Pastaj me ato analiza mu kthy te doktori me kqyr cka me bo. Unë personalisht kom shku në QKUK dhe e kom verifiku që koronografia nuk mund të bëhet aty”, ishte përgjigja e dëshmitarit për prokuroren.

Seanca është duke vazhduar e ku pritet që dëshminë e tyre ta japin edhe dëshmitarët, Shefket Abdullahu dhe Shaban Shala.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2”, kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Ferid Susuri, Murat Abazi dhe Ferihane Sefa.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 42 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galin Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Sami Gjoka, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Këta të akuzuar ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private është ende në fazën fillestare.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.  Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi