Dështon seanca ndaj të akuzuarve se nxorën sekrete tregtare

Dështon seanca ndaj të akuzuarve se nxorën sekrete tregtare

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin ku Isa Shiti, Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala, akuzohen se më 10 mars 2016, në Doganën Rajonale në Ferizaj, si persona zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishin tejkaluar kompetencat e tyre, duke hapur sistemin “Asyeuda” në kompjuterin e punës në zyrën e të akuzuarit tjetër, Isa Shitit dhe kishin printuar Deklarata Unike Doganore (DUD), të importuesit “MAKCAR” LL.C, me seli në Prishtinë, me pronar Besnik Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, i njëjti “DUD”, thuhet se ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen “MAKCAR” dhe pronarit të saj, Mustafa.

Ndërsa, Isa Shiti bashkë me Enliat Shalën, akuzohen gjithashtu se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale të komunikimit të paautorizuar të sekretit tregtar.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Shala, avokatit Fitim Shabani.

Në fillim të këtij shqyrtimi gjyqësor, nga i akuzuari Shala u bë e ditur se mbrojtësi i tij gjendet jashtë vendit.

“Javën e kaluar, të mërkurën, ai më ka njoftuar përmes telefonit që nuk do të marrë pjesë në seancë, dhe më ka thënë që ka paraqitur kërkesë për shtyrjen e këtij shqyrtimi, me arsyetimin se gjendet jashtë vendit”, ka thënë Shala.

Në mungesë të avokatit të tij, i akuzuari Shala nuk ka pranuar që të vazhdohet ky gjykim.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, tha se Shabani ishte ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kishte arsyetuar.

“Deri para fillimit të shqyrtimit gjyqësor, nuk është dorëzuar asnjë parashtresë e mbrojtësit tek kryetari i trupit gjykues për shtyrjen e këtij shqyrtimi gjyqësor, andaj nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit të sotëm për shkak të mungesës së avokatit Fitim Shabani”, tha Idrizi.

Ndryshe, prezent në këtë seancë ishte dëshmitari Selim Tahirsylaj, kurse kanë munguar dëshmitarët Besnik Mustafa dhe Arben Mustafa.

“Mungon dëshmitari Besnik Mustafa, i cili e ka njoftuar gjykatën se gjendet jashtë shtetit, kurse lidhur me dëshmitarin Arben Mustafa, në bazë të fletëkthesës, adresa ka rezultuar e pasaktë, por nga ana e gjykatës është kontaktuar përmes telefonit, dhe ai e ka konfirmuar ardhjen për shqyrtimin e sotëm gjyqësor, por që mungesën nuk e ka arsyetuar”, tha Idrizi.

Seancat e radhës janë caktuar më 19 dhe 23 shtator 2019, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 janar 2019, Prokuroria Themelore në Ferizaj, po akuzon Ramadan Latifajn dhe Enliat Shala, se më 10 mars 2016, në Doganën Rajonale në Ferizaj, si persona zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me kërkesë të pandehurit Enliat Shala, i akuzuari Ramadan Latifaj kishte hapur sistemin “Asyeuda” në kompjuterin e punës në zyrën e Isa Shitit dhe kishte printuar Deklaratën Unike Doganore (DUD), të importuesit “MAKCAR” LL.C me seli në Prishtinë, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës “BMW”, nga ndërmarrja “Delta Motors” D.O.D me seli në Beograd, Republika e Serbisë, e cila ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen dhe pronarit të saj.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, të njëjtit akuzohen edhe për kryerjen e veprës penale komunikimi i paautorizuar i sekretit tregtar nga neni 292 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se më datë dhe vend të njëjtë, si persona zyrtarë i kishin komunikuar personave të tretë sekrete afariste të ndërmarrjes “MAKCAR” dhe atë numrin e DUD-it.

Ndërsa, Isa Shiti dhe Enliat Shala, akuzohen se më 16 mars 2016, afër vendkalimit Hani  i Elezit, si person zyrtar dhe të i akuzuari Shala, doganier në Degën Rajonale të Doganës në Ferizaj, kurse i akuzuari Shiti shpediter në “Interevropa”, me seli në Han të Elezit, me pronar Arben Mustafa, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm.

Sipas aktakuzës, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që me kërkesën e të pandehurit Enliat Shala, i akuzuari Shiti e kishte hapur sistemin “Asyeuda” në kompjuterin e punës në zyrën e tij dhe kishte printuar DUD-in të importuesit “MAKCAR” LL.C, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës “BMW”, nga ndërmarrja “Delta Motors” D.O.D, me seli në Beograd të Serbisë, e cila ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen dhe pronarit të saj.

Me çka akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Isa Shiti dhe Enliat Shala akuzohen edhe për veprën tjetër se në bashkëkryerje kanë  kryer veprën penale “komunikimi i paautorizuar  i sekretit tregtar”, nga neni 292 paragrafi1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, si persona zyrtarë i kishin komunikuar personave të tretë sekrete afariste të ndërmarrjes “MAKCAR”. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi