Jo vetëm vrapim me dema, spanjollët kanë edhe nxirjen me bojë

Jo vetëm vrapim me dema, spanjollët kanë edhe nxirjen me bojë

Kur mendojmë për festat tradicionale spanjolle menjëherë na shkon mendja te vrapimi me dema (San Fermin) ose te lufta me domate (La tomatina). Por, në Spanjë ka edhe një traditë tjetër që ka të bëjë me vrapimin dhe përlyerjen e njëri-tjetrit.

Rreth 15 000 spanjollë u mblodhën në Granada për të ndjekur Cascamorras-in, personazhin historik që nga Guadix shkoi për të rrëmbyer padronen e Baza, Virgjëreshën e Mëshirës.

Siç e do tradita, për të mos lejuar këtë personazh që të shkojë i pastër në tempullin e Mëshirës, përgatiten mbi 2 kuintalë bojë e zezë ekologjike.

Fasadat e ndërtesave që ndodhen në rrugën ku kalon Cascamorras-i u mbuluan në mënyrë që të mos përlyheshin edhe ato me të zezë.

Sipas andaluzianëve, një punëtor që po punonte në komunën e Baza gjeti një statujë të Virgjëreshës së Mëshirës. Kjo gjetje bëri që të niste një konflikt, pasi ai që e gjeti, duke qenë se ishte nga Guadix, thonte se duhet ta merrte statujën në qytetin e vet. Ndërkohë, kishte persona që mendonin se meqë statuja u gjet në qytetin e tyre, aty duhet të rrinte.

Çështja u zgjidh me gjyq dhe u vendos që statuja do të qëndronte në Baza, por mund të shkonte në Guadix nëse një emisar i këtij qyteti do të ishte i aftë që të shkonte i papërlyer deri në Tempullin e Mëshirës. Kështu, çdo 6 shtator, dikush përpiqet pa sukses që ta marrë statujën, por është e pamundur të mos nxihesh gjatë rrugës nga periferia e Baza deri në tempull.