Veseli:Qeveria ime do të përbëhet nga profesionistë dhe njerëz pa aktakuza

Veseli:Qeveria ime do të përbëhet nga profesionistë dhe njerëz pa aktakuza

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në një intervistë ka folur rreth zgjedhjeve të parakohshme dhe kandidimit të tij për kryeministër të Kosovës. Më poshtë e gjeni intervistën e plotë.

Z. Veseli pse nuk e publikuat listën për deputetë në ditën kur i publikuan edhe subjektet tjera por dy ditë më vonë?

Veseli: Lista e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë është më e mira dhe i përfaqëson denjësisht qytetarët e Kosovës. Është lista e besimit dhe guximit për të vepruar për reformat e mëdha që duhet të ndodhin në vendin tonë. E kemi bërë me shumë kujdes të veçantë këtë listë dhe u kemi dhënë hapësirën më të madhe kuadrove të reja që i janë bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës. Nëse e analizoni me vëmendje, në listën e PDK-së janë 68 kandidatë për deputetë që garojnë për herë të parë dhe janë mbi 40 kandidatë të moshës së re. Pastaj, kemi një përfaqësi shumë cilësor të grave. Ajo çfarë është më e rëndësishmja, në listën e PDK-së nuk është asnjë kandidat për deputetë që ka aktakuzë për korrupsion, nepotizëm apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, një zotim që e kam dhënë tash e disa muaj. 

Cili ishte mesazhi që donit të përqonit në Konventën ku u nominuat për Kryeministër?

Veseli: Mesazhi ishte se vetëm ata që e njohin rrugëtimin e Kosovës, i pranojnë vlerat, mundin, sakrificat, sukseset dhe gabimet. E dinë saktë se cili është drejtimi më i mirë që duhet ta marrë vendi ynë. Të gjithë duhet ta dimë se 6 tetori nuk është thjesht një ditë votimi. Është referendum për të ardhmen e Kosovës. Nëse duam të ecim fuqishëm drejt rrugëtimit euro-atlantik, drejt ballafaqimit me sfidat reale të korrupsionit, nepotizmit, abuzimit, dështimit dhe rrezikimit të shtetit. Apo, të futemi në dilema, konflikte dhe ikje nga përgjegjësitë. Para nesh qëndron një moment kthese historike. Dhe, në të tilla momente, ajo që del në pah gjithmonë është Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka guximin dhe ekipin më të përgatitur për ta realizuar vizionin e qytetarëve tanë.

Në fjalimin tuaj në Konventë thumbuat kundërshtarët tuaj politik se nuk mund të udhëheqin me vendin. Në çka i bazoni këto deklarime?

Veseli: Në dy dekada liri, dhe një dekadë pavarësi, Partia Demokratike ka udhëhequr proceset vendimtare për Kosovën. Të tjerët, ose janë ankuar, ose vetëm na kanë shikuar dhe janë munduar të na gjykojnë. Por, kanë bërë pak ose aspak. Ka pasur edhe të tillë që janë përpjekur ta mohojnë dhe shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar tash e 20 vjet liri. Edhe sot, ata nuk janë të zotët që t’u dalin ballë sfidave të shtetit. Ose ju mungon guximi, ose zgjedhin rrugën e gabuar. Kosovën nuk mund ta udhëheqë dikush që hyn në borxh para liderit dhe partisë, më shumë sesa para qytetarëve dhe Kosovës. Jo ata që s’kanë guxim të marrin vendime. Kryeministri i Kosovës duhet t’i përgjigjet vetëm popullit të Kosovës dhe nevojave te qytetarëve. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja për shtetin e Kosovës nga ata që dyshojnë në të, që e mohojnë identitetin e shtetit të Kosovës, nga ata qe s’kanë zemër ta çojnë lart flamurin e Kosovës. Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që vënë në dilemë dhe cenojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që nuk kanë vullnet dhe guxim për ta luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe abuzimet me pushtetin. Nëse duam ta luftojmë korrupsionin, gjëja e parë është ta pranojmë problemin dhe ta fillojmë ndryshimin nga shtëpia. Sepse, të gjitha partitë e Kosovës kanë qenë dhe janë në pushtet dhe kanë bërë e po bëjnë gabime. Por, PDK është partia e vetme që ka edhe vullnetin, edhe guximin për t’i ndrequr këto gabime. Ne kemi një plan si ta luftojmë korrupsionin, si t’i mbajmë të rinjtë tanë këtu, si ta ndërtojmë një të ardhme. 

Në çdo paraqitje tuajën ju po folni për luftën kundër korrupsionit por partia e juaj më së shumti është akuzuar për këtë dukuri. Si do ta realizoni këtë premtim?

Veseli: Gjatë gjithë jetës sime, unë kam jetuar duke punuar për Kosovën. Asnjëherë nuk kam pasur frikë të luftoj për vendin tim. As kur themeluam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e as tash kur ka nevojë që ta luftojmë korrupsionin dhe që ta zhvillojmë vendin tonë. Asnjëherë unë nuk kam vepruar vetëm për realizim të ëndrrës sime. Por, gjithmonë në bazë të një dëshire dhe një ëndrre të përbashkët të kombit tonë. Edhe sot, ëndrra jonë, vizioni ynë, nuk ka të bëjë vetëm me 6 tetorin. Është shumë më e madhe se kaq. Shumë kohë para se ta dija se kishte zgjedhje, vendosa të veproj kundër fenomenit të korrupsionit dhe mashtrimit me listat e veteranëve. Shumë kohë para se ta dija se do të kishte zgjedhje, vendosa t’i largoj nga detyra këdo që kishte aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm. Sepse, besova që për të bërë ndryshimin, duhet që ndryshimin ta fillojmë nga vetja. Partitë tjera më shikuan, përfolën dhe akuzuan, por ju po e shihni se efekti po arrihet. Si standard i ri etik në politikë që po vendoset nga PDK, në institucione nuk do të ketë njerëz me aktakuza. Shumë kohë përpara se ta dija se do të kishte zgjedhje, promovova të rinj në pozita udhëheqëse në Qeveri dhe PDK, duke ua dhënë shansin atyre. Ata e dëshmuan veten. Shpëtuan miliona euro nga Buxheti i Kosovës, duke e luftuar korrupsionin dhe i kthyen ato në të mira për qytetarët. 

Nëse e merrni besimin e qytetarëve për ta udhëhequr Qeverinë e ardhshme, çfarë qeverie do të krijoni?

Veseli: Qeveria që do të udhëheqë unë do të jetë një Qeveri me Ministra të rinj që do të punojnë për qytetarët. Do të jetë Qeveria me më shumti të rinj ndonjëherë. Unë dhe PDK besojmë tek të rinjtë dhe u japim hapësirën e merituar, për dallim nga partitë tjera që i largojnë ata. Do të jetë qeveri me ministra pa aktakuza për korrupsion e nepotizëm. Një Qeveri që do të jetë e vogël në numër, por shumë efikase dhe përfshirëse në punë. Një Qeveri që nuk do të abuzojë me taksat e qytetarëve, por do t’i mbrojë ato. Qeveria që do ta udhëheqë unë do të jetë lehtësuese për bizneset ekzistuese dhe duke i ndihmuar ato të rejat me një plan strategjik, të saktë dhe konkret, në përputhje me nevojat e qytetarëve, kërkesat e tregut dhe drejtimin zhvillues ekonomik. Kjo Qeveri do ta ndërtojë të sotmen më të mirë dhe një të ardhme të sigurt. Do ta forcojmë bashkëpunimin me SHBA-të, BE dhe demokracitë  e lira, duke sjell investitorë të jashtëm, duke rritur konkurrencën dhe duke liruar shpirtin kreativ të rinisë.

Z. Veseli, ju keni hyrë vonë në politikë dhe është hera e parë që po synoni pozitën e kryeministrit. Çfarë ju shtynë të besoni në fitore më 6 tetor?

Veseli: Unë i kam hyrë garës për Kryeministër me një qëllim të qartë. Kosova nuk guxon të kthehet pas. Kosova nuk guxon të ndalet. Kosova nuk guxon të qëndrojë e izoluar. Kosova duhet të ecë përpara. 6 tetori është shans që nuk guxon të humbet. Unë e di se shumë qytetarë janë zhgënjyer nga politika dhe sot nuk besojnë në të. Unë e di arsyen. Dhe, e di përgjigjen. Na duhet përfundimisht një kod etik në politikë. Na duhet më shumë nder, besim dhe guxim. Dhe i siguroj të gjithë qytetarët se me një politikë të mirë, të gjitha sfidat kalohen, të gjitha problemet zgjidhen dhe ëndrrat e rinisë bëhen realitet. Kam luftuar dhe do të luftoj me gjithë shpirt, bashkë me gjithë qytetarët për ta zhvilluar vendin tonë. Unë nuk i kam gënjyer asnjëherë qytetarët e vendit tim, edhe pse ndoshta s'kam ditur ta them gjithnjë si duhet të vërtetën. Unë kam hyrë në luftë për Kosovën. Sot jam në politikë për Kosovën dhe vetëm për Kosovën. I përgjigjem vetëm qytetarëve, kombit tim dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nuk do të ndalem deri në fund në luftën time për një Kosovë perëndimore, të zhvilluar, pa korrupsion, me ekonomi të fuqishme dhe anëtare e barabartë e familjes evropiane. Prandaj, për të mirën e Kosovës, për të mirën e fëmijëve, grave dhe burrave, të rinjve dhe të moshuarve, i thërras të gjithë qytetarët që të bëhemi bashkë dhe ta ndërtojmë të ardhmen./kosovapress


MË SHUME NGA Intervista