Prokuroria kërkon 12 vjet burg, Tahiri thotë se është i pafajshëm

Prokuroria kërkon 12 vjet burg, Tahiri thotë se është i pafajshëm

Përfundon seanca e mbrojtjes në Gjyaktën e Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Në mbyllje, Tahiri dhe avokati i tij kanë kërkuar nga gjykata që të shprehet me vendim pafajësie.

Sipas Tahirit, prokuroria nuk ka dashur të bëjë verifikime për akuzat e ngritura ndaj tij.

"Sipas Prokurorisë unë jam trafikant, por shpenzimet maksimale për një natë në hotel kanë qenë 140 euro, jo 900 euro. Prokuroria mori goxha bizhuteri në shtëpinë time, por nuk vajti në banesën e mamasë se nuk i interesonte", tha ai.

Në lidhje me radarët, Tahiri  tha se i ka dërguar shkresë 6 herë ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Tahiri i ka paraqitur trupës gjykuese edhe një shkresë për procedimin që ka nisur ndaj Habiljave kur ishte ministër.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka depozituar dhe një shkresë për procedimin e grupit ë Treblovës, si dhe ka paraqitur një email që i ka dërguar Dritan Prençit për të nisur procedimin për Habilajt dhe të Treblovës.

Prokuroria kërkoi 12 vjet burg

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 12 vite burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Por me pranimin e gjykimit të shkurtuar nga gjykata, Tahirit automatikisht i ulet një e treta e dënimit. Kështu ai do të dënohet me 8 vjet burg nëse pranohet nga gjykata.

Gjatë pretencës ku organi i akuzës lexoi konkluzionet, ish-ministri akuzohet për katër episode të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë, konkretisht: 25 tetor 2013, 27 shkurt 2014, 29 korrik 2014 dhe 8 maj 2015.

Sipas prokurorisë, Tahiri së bashku me ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti, u kanë krijuar mbrojtje trafikantëve.

Në seancë u lexuan disa përgjime ambientale dhe telefonike. Në seancë, ish-ministri i Brendshëm Tahiri ka vijuar mbrojtjen.

Ai ka sjellë në sallën e gjyqit një tabelë për të paraqitur argumentat.

"Për sasinë e parë që më akuzoni kisha vetëm një javë që kisha marrë detyrën, ndërsa për sasinë e dytë vetëm dy muaj.Habilajt kanë qenë disa herë të proceduar gjatë kohes që unë kam qenë Ministër."

Tahiri ndër të tjera tha se i kishte kërkuar Ministres së Mbrojtjes të asaj kohe Mimi Kodheli që të ndërhyjë për të kontrolluar radarët pasi ishin vënë re lëvizje të dyshimta.

Ish-ministri Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela akuzohen për trafik të lëndeve narkotike, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave në kuadër të grupit të strukturuar./oranews