Gjykata skoceze: Pezullimi i Parlamentit britanik, i paligjshëm

Gjykata skoceze: Pezullimi i Parlamentit britanik, i paligjshëm

Vendimi rrëzoi aktvendimin e mëparshëm, i cili thoshte se pezullimi i Johnson-it nuk ishte në kundërshtim me ligjin.

Vendimi i kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, për pezullimin e parlamentit britanik për pesë javë është i paligjshëm, thuhet në një vendim të sotëm të një gjykate skoceze.

Një panel prej tre gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë Civile vendosi në favor të një grupi politikanësh ndër-partiak që kundërshtuan pezullimin, i cili filloi në orët e para të së martës.

Vendimi rrëzoi aktvendimin e mëparshëm, i cili thoshte se pezullimi i Johnson-it nuk ishte në kundërshtim me ligjin.

Një avokat i çështjes tha se të martën e ardhshme do të apelojë vendimin në Gjykatën Supreme, organi më i lartë gjyqësor i Mbretërisë së Bashkuar.

"Ne jemi të zhgënjyer nga vendimi i sotëm dhe do t'i drejtohemi Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të sjellë një axhendë të fortë legjislative. Pezullimi i Parlamentit është mënyra ligjore dhe e nevojshme për ta realizuar këtë", thuhet në një deklaratë nga selia qeveritare '10 Downing'.

Pezullimi i të dyja Dhomave të Parlamentit britanik deri në fjalimin e Mbretëreshës më 14 tetor ishte një hap i paramenduar për të ndalur orën deri në skadimin e afatit të Brexit-it më 31 tetor, datë kjo për të cilën Johnson insiston që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian (BE) me ose pa marrëveshje.

"Falënderime të thella për të gjithë mbështetësit tanë dhe ekipin tonë fantastik juridik të cilët sollën vendimin historik se pezullimi është i kundërligjshëm", shkroi në Twitter, Joanna Cherry, një nga deputetet e Partisë Kombëtare Skoceze, të cilët kundërshtojnë vendimin e Johnson-it.