Përkujtohet ish- veterani i UÇK-së në Rahovec, Astrit Thaçi

Përkujtohet ish- veterani i UÇK-së në Rahovec, Astrit Thaçi

Në një vjetorin e vdekjes së veteranit të UÇK-së, asamblistit dhe humanistit Astrit Thaçi komuna e Rahovecit gjatë ditës sotme ka mbajtur një mbledhje përkujtimore për të nderuar veprimtarinë e tij.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se vdekja e Astrit Thaçit i lëndoi të gjithë qytetarët e Rahovecit, teksa tha se ai ka dhënë shumë për këtë komunë.

“Kontributi dhe përkushtimi i tij nuk ndalet as pas përfundimit të luftës për liri. Gjendja shoqërore ekonomike, përmirësimi i kushteve jetike, përmirësimi i jetës së qytetarëve ishte motivi i punës dhe veprimtarisë së tij deri në çastin e fundit të jetës së tij”, tha Latifi.

I pari i degës së PDK-së në Rahovec, Idriz Vehapi shprehu fjalët më të mira për ish -bashkëpartiakun e tij.

Ai tha se Astriti iu gjend Kosovës, atëherë kur pati nevojë më së shumti, ndërsa sipas tij në liri punoi shumë për zhvillim të Rahovecit.

“Astriti iu gjet Kosovës në luftë, për të mos kursyer asgjë nga vetja, për të jetuar lirinë që e ëndërronin të parët e tij dhe e përcillnin si amanet brez pas brezi”, tha ai.

Vajza e Astritit, Doruntina nën emocione u shpreh se gjithë familja e tyre janë krenar për veprimtarinë e babit të tyre.

“O Babi o hëna ime. o hëna ime që i jep çdo natë dritë shtëpisë sime. O i vetmi im, o shpirti më human dhe i pasur që kam njohur në jetë. Po të ishe këtu me mua do të thoja vetëm një fjalë, jam krenare që jam bija jote. Jam krenare që kam një baba si ti”, tha ajo.

Fjalë të mëdha për Astrit Thaçin shprehu dhe kryetari i kuvendit komunal të Rahovecit, Afrim Dina dhe shokët e tij, teksa thanë se ai u ka ndihmuar të gjithë njerëzve në nevojë.