MMPH realizon katër projekte në vlerë rreth 1 milion euro në Kamenicë

MMPH realizon katër projekte në vlerë rreth 1 milion euro në Kamenicë

Ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot në Kamenicë, së bashku me kryetarin Qëndron Kastrati ka nënshkruar katër memorandume për financimin e katër projekteve që këtë vit do të realizohen në këtë komunë.

“Rregullimi i shtratit të lumit Desivojcë - Shipashnicë në vlerë 700.000 euro, granti “Ta pastrojmë Kosovën”, në vlerë 150.000 euro, administrimi i banesave në bashkëpronësi, në vlerë 50.000 euro si dhe pastrimi i zonave emergjente dhe kritike  në vlerë 10.000, janë 4 projekte tjera që MMPH po i financon në Kamenicë krahas edhe 3 projekteve tjera që janë  në realizim e sipër me financimin e MMPH-së”, deklaroi ministri Matoshi.

Ai u shpreh optimist që procedurat e tenderimit dhe kontraktimit të përfundojnë sa më shpejt dhe të fillojnë punët në këto projekte.

Ndërsa, kryetari Kastrati falënderoi ministrin Matoshi dhe vlerësoi se këto projekte janë shumë të rëndësishme dhe do të realizohen me sukses.

Ndryshe, projektet në vlerë totale prej 910.000 euro që do të financohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, do të implementohen nga Komuna e Kamenicës dhe ato do të përmirësojnë kushtet e jetesës për banorët e komunës.