Pejë, vazhdon nisma e Kfor-it për edukimin shëndetësor të nxënësve

Pejë, vazhdon nisma e Kfor-it për edukimin shëndetësor të nxënësve

Në palestrën e sporteve të shkollës fillore të mesme të ulët “Asdreni”, KFOR-i Italian në bashkëpunim me komunën e Pejës, sot kanë organizuar aktivitetin për edukimin shëndetësor të nxënësve që merren me sport.

Në këtë aktivitet tejet të rëndësishëm për edukimin dhe formimin e sportistëve të rinj, mjekët profesionist Italian sportistëve fillestar u ofruan trajnime të shumta, për t’i mësuar ata se si duhet të reagojnë në raste emergjente.

Në një prononcim për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, drejtori i dikasterit për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Pejës, Engelbert Zefaj, e vlerësoi lartë iniciativën e ushtarakëve, siç tha ai, KFOR-i është një organizatë serioze e sigurisë e cila sjell dobi për qytetaret e Pejës.

“Është një iniciativë shumë e mirë. Ne jemi të lumtur që fëmijët e Pejës po marrin mësime të dobishme për shëndetin e tyre nga ana e profesionisteve. KFOR-i është një organizatë serioze e sigurisë dhe bashkëpunimi me ketë organizatë ushtarake çdo herë sjell dobi për qytetaret e Pejës”, tha drejtori Zefaj.

Në anën tjetër, drejtori i arsimit komunal në Pejë, Besim Avdimetaj, pasi e vlerësoi lartë aktivitetin e sotëm, tha se bashkëpunimi me KFOR-in gjithherë ka qenë i frytshëm dhe se aktivitetet e tilla duhet të përkrahen gjithmonë.

“Bashkëpunimi me ushtarakët e KFOR-it gjithherë ka qenë i frytshëm. Ne si drejtori e kemi obligim moral dhe njerëzor, që ti përkrahim të gjitha aktivitetet e tilla që organizohen nga KFOR-i e që janë në të mirën e arsimit dhe të rinjve tanë”, tha drejtori Avdimetaj.

Mes tjerash, vlen të theksohet se shënimi i aktiviteteve për edukimin shëndetësor të nxënësve dhe sportistëve të rinj, ka filluar në muajin gusht dhe se deri më tani gjithçka po ecën sikurse është planifikuar.

Për fund, duhet theksuar se i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. /Zarfi Info