AKK nuk po e lejon BQK-në t`i rrisë tarifat e sigurimit

AKK nuk po e lejon BQK-në t`i rrisë tarifat e sigurimit

RTK ka sjell sonte ekskluzivisht kronikën e cila flet për Autoritetin e Konkurrencës, i cili nuk po e lejon BQK-në t`i rrisë tarifat e sigurimit të detyrueshëm TPL prej 36.56 %.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk lejon rritjen e çmimit të sigurimit të detyrueshëm TPL për 36.56 % ashtu siç ka kërkuar Banka Qendrore e Kosovës. Kjo e fundit kishte kërkuar mendim profesional nga Autoriteti nëse rritja e propozuar e tarifave është konform ligjit të konkurrencës. Autoriteti ka vendosur që nuk mund të rritet çmimi i sigurimit TPL për 36.56 % pasi kjo është bashkëveprim i kompanive të sigurimit për caktim të çmimit.

“Një prej sugjerimeve kryesore është që të shmanget bashkëveprimi I kompanive të sigurimit me njëra tjetrën, në procesin e përllogaritjeve të përcaktimit të primit duke mos miratuar dhe duke mos u orientuar në çmim të njëjtë por ky proces të bazohet në të dhëna të siguruara në mënyrë të pavarur nga kompanitë e sigurimit. Unifikimi i çmimit është në kundërshtim me konkurrencës në një treg të lirë, dhe BQK duhet të miratoj tabela të individualizuara, mbështetur në analizën e riskut, sipas strukturës së portofolios së kompanive, karakteristikat e produkteve etj”, thotë Sakip Imeri, drejtor ekzekutiv në AKK.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurimeve, Besnik Nikqi, thotë se një propozim i tillë është edhe në kundërshtim me ligjin për sigurimet e detyrueshme.

“Nuk ka propozim kuturu apo në shuma të caktuara, është e qartë në ligjin për sigurimet e detyrueshme e nenit 8 e cila në tërësi e përcakton e cila i përcakton procedurat e përcaktimit të primeve, 12: 59 nga e cila rezulton se çdo kompani e sigurimit, duhet të përcaktoj primet e saja në lamin e sigurimit të detyrueshëm të auto-përgjegjësisë, ta njofton BQK-në, dhe nëse nuk ka reagim të BQK-së të vazhdoj me të. Kjo është e kundërta, këtu flitet për marrëveshje, për primin e caktuar të sigurimit”, thotë Besnik Nikçi, njohës i çështjeve të sigurimeve.

Në kërkesën e BQK-së drejtuar Autoritetit më 9 gusht, të cilën e ka siguruar RTK, bazuar në raportin aktual, thuhet se nga shqyrtimi i kërkesave të kompanive për rritje të tarifave, është konstatuar se siguruesit kanë konsideruar që rritja minimale prej 36.56 % është optimale për të mbuluar dëmet, shpenzimet operacionale dhe fitimet e tyre. Zëvendësguvernatori Sokol Havolli nuk ka pranuar të jap detaje se çfarë rritje është kërkuar, duke thënë se kërkesat e kompanive ende nuk janë trajtuar.

“Në BQK kanë ardhur kërkesat mirëpo ende nuk janë trajtuar nga departamenti përkatës,

pasi të trajtohen prej departamentit përkatës, ato vinë në zyrën time, dhe pas ardhjes në zyrën time, ato shkojnë për trajtim në bordin ekzekutiv, ta kemi të qartë, kur themi rishikim të tarifave, kjo nuk nënkupton rritje të tarifave, por nënkupton rishikim i tyre, mund të rritet, mund të ulen, mund të mbesin të njëjta”, tha për RTK-në, Sokol Havolli, zv.guvernator i BQK-së.

Kohët e fundit në medie ka pasur opinione se një prej arsyeve kryesore për rritjen e mundshme të çmimit të sigurimit TPL, është falimentimi i INSIG-ut, por këto pohime i ka hedhur poshtë Havolli duke thënë se nuk do të pranojnë që falimentimi i INSIG të jetë faktor në ndryshimin e tarifave.

Autor: Faton Salihu