Ismaili: Sistemi shëndetësor ka nevojë për qasje inovative

Ismaili: Sistemi shëndetësor ka nevojë për qasje inovative

Në Prishtinë ka filluar punimet Simpoziumi i 10-të Ndërkombëtar i shkencave shëndetësore, me temën Qasja Inovative në Rehabilitimin Shëndetësor dhe Social, e organizuar nga Kolegji Heimerer.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se sistemi shëndetësor ka nevojë për ndryshime e qasje inovative, të cilat sipas tij, mund të bëhen nga vet studentët e që do të ndikojë në jetëgjatësinë e shtetit.

“Kjo konferencë tregon për një qëndrueshmëri e cila do të vazhdojë për vite me radhë, për nxënësit njohuri të reja në sektorin e shëndetësisë. Ne kemi mbetur në trashëgimi të sistemeve shëndetësore, sistemi ka nevojë për një shkundje të një forme të re të shërbimeve shëndetësore”.

“Nëse ne tentojmë t’i zgjedhim problemet vetëm brenda sistemit atëherë ne nuk mund të iu afrojmë sistemit në mënyrë inovative. Sistemi shëndetësor nuk është aty ku duhet të jetë, por gjërat kanë filluar të përmirësohen, e kjo nuk mundet të bëhet vetëm me një ministër, por edhe të gjitha punëtoret duhet të përkushtohen në punën e tyre”.

“Nga ajo që dilni sot e tutje ta kuptoni që ju jeni pjesë e ndryshimit,  e një qasje inovative që Kosova ka nevojë shumë. Kjo është një dritare e jona e cila do të ndikojë në jetëgjatësinë tonë dhe shtetit tonë”, tha Isamili.

Ilir Hoxha, Prorektor për Hulumtime dhe Cilësi, në Kolegjin Heimerer, theksoi se po vazhdojnë traditën e simpoziumit ndërkombëtar, për të cilin tha ai se do të vazhdoj edhe në vitet në vazhdim.

“Jam falënderues ndaj partnerëve nga vendet e ndryshme të botës, si dhe përkrahjen e ministrit Ismaili. Po arrijmë të mbajmë traditën çdo vjet. Është mbajtur në tre vendet e rajonit me dhjetëra partner që i kanë kontribuuar suksesit të simpoziumit”, tha Hoxha.

Menaxheri i projektit SOCRE, Panu Karhinen, theksoi se studentët janë ata të cilët mund të ndryshojnë sistemin shëndetësor në Kosovë.

Siç tha ai, ky projekt hynë në krahasim me kornizën evropiane në përputhje me procesin e Bolonjës, prandaj duhet të implementohet ky proces në Kosovë.

“Projekti SOCRE ka qenë projekt i ndërtimit të urave në shume vende. Ndikimi në shërbimet te cilat i ofrojmë ka të bëjë me temën e sotme. Ka pasur punë shumëvjeçare e cila ka ndërtuar këtë rrjet për të bashkëpunuar me SOCRE. Studentët mund të përfitojnë njohuri të reja, me një arsim e cila është e krahasuar me kornizën evropiane”.

“E tërë kjo ka qenë e një kombinimi i pazakonshëm. Detyra e tyre ka qenë që të trajtojnë dhe të impelemtojmë procesin në Kosovë me këtë ekip. Menaxhimi i rehabilitim social praktikat e dëshmuar në vazhdimësi dhe mirëpres t’i dëgjoj mendimet dhe përvojat e përmbylljes se projektit në këtë përmbajtje dhe reflektime në këtë rast”, tha ai.

Simpoziumi është një ngjarje vjetore që ngërthen në vete një spektër të larmishëm të çështjeve që kanë të bëjnë me shkencat shëndetësore. Qëllimi i këtij Simpoziumi është integrimi i mëtejshëm i komponentëve përkatës teorik me ata praktik.