Kamerierët dhe zgjedhjet historike

Kamerierët dhe zgjedhjet historike

Ballsor Hoxha

Si është e mundur t’i quajmë këto zgjedhje “kthesë historike” kur kjo histori, apo thënë më saktësisht kjo ardhmëri, as nuk është në duart tona dhe as nuk jemi paraprijës të këtij ndryshimi. Jei vetëm kope që “grahet”.

Qoftë edhe kamerierët në kafenetë e Prishtinës dhe kudo në Kosovë janë përfshirë në debatet, në pazaret, në arenat e përzgjedhjeve të figurave të lidershipit të ardhshëm. Në të vërtetë kamerierët janë shumë të vlefshëm në mizorinë dhe meskinitetin e kësaj arene dhe këtyre zgjedhjeve.

Sa me seriozitet jepen politikanët tanë pas zgjedhjeve. Sa me seriozitet mundohemi të jemi të rëndësishëm. Sa me seriozitet votojmë. Para kujt, para njërri tjetrit që as nuk dijmë të shpjegojmë pse po ndodh kjo dhe as nuk marrim mundin të jemi vendimmarrës në jetët tona.

Ka kaluar në arenë krejtësisht të afërt me të vërtetën lufta për kryeministër dhe për pozitat e pushteteve politike. Njerëzit janë dhënë pas çdo fjale të politikanëve tanë. E në të vërtetë as nuk vendosim dhe as nuk vlenë ajo që vendosim.

Një gjë është e sigurtë, çdo gjë që po ndodh nga thirrja në intervistë e kryeministrit në pushtet e deri tek paracaktimi i zgjedhjeve për në tetor janë për shkak të marrëveshjes Serbi – Kosovë. Kjo është e tëra. Ne mund të imitojmë të gjitha mekanizmat e shtetit dhe të shtetësisë, qoftë edhe të zhvleftësojmë gatishmërinë e Kosovës dhe jo vetëm kryeministrit në pushtet për t’u përballë me mekanizmat e gjykatave ndërkombëtare, dhe mund edhe të krijojmë sport porej zgjedhjeve dhe të mekanizmit të vetëm përcjellës të zhvillimeve politike dhe të pushteteve politike, por asnjëherë nuk jemi ne ata që vendosim dhe ata që marrimvendime.

Pse ndodh kjo? Apo pse jemi kaç të nënshtruar? Apo pse jemi të parëndësishëm deri në zhvleftësim të një fisnikërie shoqërore të pashembulltë në historinë moderne ndërkombëtare me dorëzimin e tërë qeverisjes dhe të shoqërisë në diçka që nuk është fare e lidhur me gjykatën gjykimin dhe akuzën?

Sigurisht ne jemi duke çaluar, me qenë se nuk mund të ecim mirë, në zhvillimet e Bashkimit Evropian dhe të ndërkombëtares së bashkëkohësisë, por ajo që po kalojmë dhe ku jemi nisë nuk ka asnjë plan, projeksion dhe as vullnet të natyrshëm të kësaj shoqërie.

Marrëveshja Serbi – Kosovë duhet të arrihet. Duhet të ndalet vrima e zezë e kalimit të krimit dhe të terrorit nëse jo të terrorizmit ndëretnik, edhe nëse ai është i bardhë, dhe duhet të ecet para. Në të vërtetë Bashkimi Evropian nuk mund t’ia lejoj një tunel nëntokësor terrori ndaj shoqërive të tyre si në Kosovë dhe po ashtu edhe në Serbi, dhe pikërisht kjo është e tëra. Ne mund të krijojmë arena si të olimpiadave të grekëve të vjetër, ne mund të krijojmë imitime të shtetësive të niveleve më të larta por asnjëherë nuk mund të vendosim, qoftë me kryeministrin e majtë qoftë me kryeministrin ekstremist, dhe qoftë edhe me kryeministrin e “kthesës historike”.

Duhet të ndalemi dhe të pyetemi, të pyesim njëri tjetrin, të shmangemi nga këto rituale fëmijërore dhe të pyesim njëri tjetrin: ç’është historike këtu? Intervistimi i liderëve tanë të zgjedhur nga votimet paraprake apo bindja jonë qoftë edhe e pavetëdijshme, gjykatave ndërkombëtare.