Vreshtarët ankohen për ulje të çmimit të rrushit

Vreshtarët ankohen për ulje të çmimit të rrushit

Në rajonin e Rahovecit, po vazhdon fushata e vjeljes së rrushit. Vreshtarët thonë se përveç rendimenteve më të ulta, shqetësuese është edhe ulja e çmimit nga bodrumet që mbledhin rrushin. Por, këta të fundit mohojnë se janë ulur çmimet.

Avni Haxhimurati nga Rahoveci është njëri nga vreshtarët e shumtë që këto ditë po vjelë rrushin. Ky fermer që ka disa hektarë me vresht i tha Radio Kosovës se përveç rendimenteve më të ulta, këtë vit ka edhe ulje të dukshme të çmimit të rrushit, cka po e shqetëson shumë atë. 

“Afër tre hektarë më rrush punoj. I kam me qira. Sivjet sëmundjet e kanë prishë rrushin shumë. Edhe ajo që është pare s’po bënë. Bodrumet s’po e marrin. Nuk e paguajnë çmimin që duhet me e pagua. Tash çmimi i një kilogrami është 11 centë për klasën e fundit, ndërsa klasa e parë është 30 centë”, thotë ai.

Vreshtari Haxhimurati thotë se kjo ulje e çmimit ka bërë që ai të mendoj të heqë dorë nga vreshtaria. Sipas kryetarit të Shoqatës së Vreshtarëve, Habib Dina, vreshtarët me ulje të çmimeve po përballen çdo vit. 

“Varitetet e rrushit që tash paguhen 30 centë, dy tre vite më herët e kanë pasur çmimin 50 centë. Por, bodrumet e kanë ulur këtë çmim nga 50 në 25 centë, apo edhe nga 45 në 30 centë. Thënë thjeshtë, çmimi çdo vit është duke pësuar rënie”, tha Dina.

Përderisa vreshtarët ankohen, në verarinë “Stone Castle”, jashtë mikrofonit të radios kanë thënë se nuk ka ulje të çmimeve.

Këtë e ka pohuar edhe Fidan Haxhijaha nga veraria “Bodrumi i Vjetër”.

“Kemi të kontraktuar bujqit si çdo vit tjetër dhe kontratat respektohen. Sa i përket pyetjes suaj, ne nuk e kemi lëvizur fare çmimin, për dallim prej viti të kaluar. Jo zyrtarisht kemi dëgjuar nga disa bujq për ulje të çmimit që kanë marrë në ndonjë verari, por tek ne, çmimet janë të pa prekura, si vitin e kaluar”, tha ai.   

Rahoveci tradicionalisht merret me kultivimin e rrushit dhe në këtë komunë llogaritet të jenë të mbjella mbi 3 mijë hektarë rrush.

 

 

 

Autor: Pajtim Çuni