Tahiri: 100% shtet, nuk do të kishte kuptim pa Prishtinën Kryeqytet

Tahiri: 100% shtet, nuk do të kishte kuptim pa Prishtinën Kryeqytet

Kandidati për deputet nga AAK-ja, Besnik Tahiri, ka folur të arriturat e komunës së Prishtinës, dhe proceset e tjera të cilat thotë se janë bërë si rezultat i bashkëpunimit qeveritar dhe komunalë.

“Një proces që ishte kërkesë kushtetuese, e që po zvarritej për 10 vite, tregon më së miri dallimin në mes të atyre që kanë dijen, guximin e përkushtimin dhe të tjerëve që Prishtinën e kishin diskutim elektoral e rast për t’u ankuar. Bëjeni vetë dallimin kur qeveria sillej me Prishtinën si padron dhe tash kur ishim partner në zhvillim. Pas 20-vitesh degradim, Prishtina ka nisur të marrë frymë. Janë një sërë ligjesh e vendimesh që kanë hapur kapitull të ri për zhvillim”, ka thënë Tahiri.

Ai ka përmendur ndryshimet të cilat thotë se janë të dukshme së fundi, duke përmendur, Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetit, Spitalin e Përgjithshëm, BERZH-in, Pallatin e Rinisë, etj.

“Prishtina dhe komunat kanë pasur rastin ta shohin dallimin. Tashmë, ata dhe qytetarët janë pronar të vërtetë të pasurisë për ta mundësuar zhvillimin. 20 vite pas flasin për trajtimin e ndërtimeve e legalizim, në kohën kur ky proces ka marrë drejtim. Prishtina tashmë me status të veçantë është njëmend kryeqytet, pasqyrë e Republikës e pjesë e identitetit shtetëror”, thekson Tahiri.

Këto janë ndryshime lehtë të krahasueshme e që bëjnë dallimin:

– Financim shtesë vetëm për tri vite, 35 milionë euro;

– Drejtoria e Policisë për Kryeqytetin;

– Spitali i përgjithshëm i Kryeqytetit;

– Ndërmarrjet Publike Komunale.

Marrëdhëniet mes Qeverisë Qendrore dhe Kryeqytetit:

– BERZH (Unaza e madhe e Prishtinës);

– Zgjerimi i rrjetit të ngrohjes;

– Kthimi i pronësisë në objektin e Gërmisë;

– Pallati i Rinisë dhe Sporteve;

– Pagesa e borxheve nga shpronësimet;

– Inicimi i procedurave për ndërtimin e Prishtinës së Re.

Pa llogaritur qindra projekte kapitale nga ministritë e linjës.

Më tej, ka theksuar se përveç tjerash, në Komunën e Prishtinës, ka ndryshime pozitive edhe në prona, buxhet, shkolla, hapësira etj.

“Prishtina ka më shumë prona e buxhet, për më shumë çerdhe, shkolla e parqe e sheshe; më shumë mjekë, mësues, administratë e inspektorë; më shumë ndërmarrje e shërbime publike cilësore; më shumë hapësira për rini, kulturë e sport; më shumë tregje e prodhime vendore; më shumë përkrahje e mundësi për zhvillim rural e bujqësi. Ka plot mundësi e dinjitet si Kryeqytet.

Prishtina, e Kosova nuk kthehen prapa në rrugën e stagnimit, tashmë është i qartë dallimi në mes inskenimit e nëpërkëmbjes dhe shtet-ndërtimit. 100% Kosovë, ka kryeqytet me dinjitet”, ka shkruar në 'Facebook' Tahiri.