Nisma prezanton kandidatët në Drenas, Limaj: Do të fitojmë

Nisma prezanton kandidatët në Drenas, Limaj: Do të fitojmë

Nisma Socialdemokrate në një tubim në Drenas ka prezantuar kandidatët për deputetë të kësaj ane.

Isa Xhemajlaj, Liman Krasniqi, Hajrije Gashi, Mehdi Thaçi, Qendresa Xhema dhe Shumzim Bujupi janë emrat që do t’i futen garës në zgjedhjet e 6 tetorit për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rast kreu i Nismës, njëherit edhe kandidat për kryeministër, Fatmir Limaj, kërkoi mbështetjen e qytetarëve për kandidatët.

“Ne këtu po themi se mbështesim fuqishëm çdo kandidaturë që ka ardhur nga dega dhe ju ftoj të mobilizohemi të gjithë. Fryma e re po vjen, mundësia e jashtëzakonshme po vjen, rezultatet e Nismës po vijnë”.

“Kjo parti ka do t’i fitojë zgjedhjet dhe është mirë me e kry këtë punë me 6 tetor e mos me ia humb vendit edhe disa vjet. Unë ndjehem i nderuar t’i kem këta njerëz në parlamentin e Kosovës”.

Gjatë fjalimit të tij Limaj përmendi edhe disa deputetë të kësaj ane dhe tha se “fatkeqësisht ka shumë deputetë nga ky rajon që e kanë ngritur dorën për Gjykatën Speciale”.

Ndërsa Jakup Krasniqi tha se program që ofron Nisma është më i miri për qytetarët e Kosovës.

“Motoja ‘Bashkë për Shtetin’ nuk është thirrje vetëm për anëtarët dhe simpatizantët e Nismës. Vlen edhe për të gjitha partitë politike që ta kuptojnë se ngjarjet që po ndodhin dhe gjërat që na presin përpara nuk bëhen të vetëm”.

“Me fitoren e Nismës jam i bindur që fiton shteti I Kosovës, bashkë me Nismën jam i bindur se fiton çdo qytetar i republikës tonë”.