Privatizimi i ndihmës së shpejtë,a do të paguajnë qytetarët me parat e tyre

Privatizimi i ndihmës së shpejtë,a do të paguajnë qytetarët me parat e tyre

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe paralajmëroi privatizim të ndihmës së shpejt, por tha se paraprakisht do të ketë debat publik për lidhjen e partneritetit publiko-privat për shfrytëzim më efikas të ndihmës së shpejtë.

Në debat, siç tha do të përfshihen ekspert të mjekësisë edhe të fushës ekonomike. Ministri tha se kjo do të jetë në të mirë të qytetarëve dhe se kjo nuk nënkupton rritje të participimit që e paguajnë qytetarët.

“Marrëveshje private-publike donë të thotë vetëm shfrytëzim më racional të mjeteve të cilat vetëm se po harxhohen, me të vetmin qëllim të sigurojmë sistem shëndetësor më efikas. Të kemi qasje sa më të lehtë në cilëndo pjesë në të cilat i kemi filluar përgatitjet dhe analiza dhe harxhimi të ngelet i njëjtë apo eventualisht sipas analizave edhe të zvogëlohen. Në asnjë moment cilido shërbim shëndetësor për pacientët si harxhim nuk do të thotë rritje e participimit nga ana e tyre”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Reaguan menjëherë nga OBRM-PDUKM. Nga atje thonë se Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në institucion privat.

“Me siguri meqë veç më e ka paralajmëruar, ka ndonjë kompani potenciale e afërt me LSDM-në dhe Zoran Zaevin e cila do të mund ta merrte edhe këtë pjesë të funksionimit të shëndetësisë. Gjithçka që nisën paraprakisht në atë mënyrë, qoftë me partneritet publiko-privat, qoftë me tenderë me afate më të gjata, të mos i përmend tenderin për sterilizim dhe reagent ka vetëm një qëllim, vetëm ta fitojnë njerëz të afërt me LSDM-në, apo të Filipçes që në një të ardhme do të mund të përfitonin”, u shpreh Dimçe Arsovski, zëdhënës i OBRM-PDUKM-së.

Pyetëm disa qytetarë se çfarë mendojnë për privatizimin e ndihmës së shpejtë.

“Harxhimet gjithnjë janë më të mëdha në sektorin privat. Këtë e ndjejnë qytetarët të cilët kanë nevojë për shërbime mjekësore”, tha një qytetar.

“Gjithsesi, private duhet të mbushet me para. Do të jetë e vështirë edhe për vet pacientët. Nuk do të kenë para të mjaftueshme për të mirëmbajtur shëndetin e tyre”, tha një qytetare.

“Sigurisht do të jetë më mirë. Secili privatizim nëse është i suksesshëm është i mirë. Nuk besoj se do të kenë harxhime më të mëdha”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Nuk e di çfarë të them, me të vërtetë nuk dij. Tani gjithçka ka ndryshuar, nuk e di”, potencoi një tjetër qytetare.

Ndryshe, paralajmërimin për lidhjen e partneritetit publiko-privat ministri i shëndetësisë Venko Filipçe e bëri dje, por ai pohoi se kjo nuk do të ndodhë nëse nuk kalon në debatin publik që pritet të mbahet në muajin nëntor.