“Mbetje plastike në trupat e fëmijëve”, të dhënat alarmante të studimit

“Mbetje plastike në trupat e fëmijëve”, të dhënat alarmante të studimit

Disa syresh janë të dëmshme për shëndetin. Gjithsej janë kërkuar 15 lëndë plastike te ndryshme te 2500 fëmijë.

Studimi bazohet në analiza të bëra në  periudhën 2003-2017. Rezultati i tyre është alarmues: “Mbeturinat e 11 lëndëve plastike janë gjetur në urinën e 97 përqind fëmijëve. “Kjo, sigurisht, është dramatike. Lëndë të tilla nuk duhet të gjenden në trupat e fëmijëve”, tha zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Të Gjelbërve në Bundestag, Bettina Hoffmann. Veç kësaj, lëndë të tilla, që dëmtojnë hormonet,  supozohet të luajnë një  rol nxitës në të ashtuquajturat sëmundjet e civilizimit, siç janë obeziteti, çrregullimet e fertilitetit, kanceri dhe vonesat në zhvillim, raporton “DW”.

Më të vegjlit janë më të prekurit

Studimi citohet në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj një pyetjeje të grupit parlamentar “Të Gjelbrit” për dëmtimin e popullsisë nga mbetjet kimike. Ai nxjerr në pah se se sa më i lartë të jetë prodhimi i lëndëve plastike, aq më shumë gjenden ato në trupat e fëmijëve, i tha bashkautorja e studimit, Marike Kolossa-Gehring, revistës së përjavshme, DerSpiegel.

Sipas saj, grupmosha më e ndjeshme është ajo e fëmijëve parashkollorë. “Është e papranueshme që çdo i katërti fëmijë – midis moshave tre dhe pesë vjeçare –  të ketë aq shumë mbeturina plastike në trup, sa të mos përjashtohet me siguri rreziku i dëmit nga këto lëndë toksike,” ankohet Hoffmann.

Më shqetësueset janë sidomos nivelet e larta të acidit perfluorooctanoic (PFOA). Ai përdoret, për shembull, për veshjet e aktiviteteve në natyrë. Sipas Agjencisë Federale të Mjedisit, kjo lëndë dëmton fertilitetin dhe mëlçinë. Vitin e ardhshëm, ky acid do të jetë i ndaluar në të gjitha vendet e BE-së.
Familjet më të varfra janë më të prekura 

Në këtë studim, Agjencia Federale e Mjedisit ka pyetur edhe për ambientin në të cilin jetojnë fëmijët, se a jetojnë buzë një rruge me shumë trafik, a pihet duhani në shtëpi, cilat prodhime përdoren më shpesh në jetën e përditshme, për shembull, a përdoren detergjentë të ashpër në pastrim ose zbutës pas larjes së rrobave, çfarë lëndësh përdoren në shtëpi për mbulesa, perde apo qilima. Rezultati: te fëmijët që rriten në familje të varfra janë gjetur më shumë mbetje plastike se te fëmijët me një status të lartë shoqëror.

Nga këndvështrimi i të Gjelbërve, këtu nevojitet ndërhyrja e politikës. Nuk mjafton përpjekja e konsumatorëve të shmangin përdorimin e panevojshëm të plastikës. “Askush nga ne nuk mund të mbrohet vetë nga ky rrezik”, thotë Hoffmann. “Ne nuk e dimë se ku janë këto lëndë. Prandaj politika duhet të marrë përsipër t’i ndalojë këto lëndë në treg.

Edhe pas shume kohe ende ne trup

Se sa e rëndësishme është që lëndë të tilla të dëmshme të hiqen nga qarkullimi, këtë e dëshmon edhe një tjetër rezultat i studimit afatgjat të Entit Federal të Mjedisit. Në trupat e fëmijëve janë gjetur edhe mbeturina plumbi ose të një pesticidi të ndaluar prej shumë kohësh, DDT, megjithëse në periudhën e studimit, 2003-2017,  ndotja me këto lëndë ka qenë shumë e ulët. Por shumë shpesh, derisa këto substanca të zhduken përfundimisht, duhet të kalojnë vite të tëra.