Shala: Vazhdoj të jem zë i prodhuesve

Shala: Vazhdoj të jem zë i prodhuesve

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se do të angazhohet që Kosova të bëhet destinacion atraktiv për turistët ndërkombëtar.

“Përkrahja e prodhimit vendor ka qenë kryefjala dhe kryefokusi i MTI-së, gjatë mandatit tim”, ka shkruar Shala në llogarinë e vet në “Facebook”.

“Jo vetëm me masa mbrojtëse, por edhe me grante e subvencione, për ta rritur prodhimin e punësimin, për ta rritur eksportin”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se është shumë i lumtur që si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë, bashkë me KIESA-në, kanë mundësuar që prodhuesit nga Kosova të prezantohen nëpër botë.

“I tillë është rasti i përpunuesve të drurit nga Kosova, që po marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Mobilierisë “M.O.W”, i cili mbahet në Bad Salzuflen në Gjermani. Në këtë panair që do të zgjas deri me 19 shtator, prodhuesit nga Kosova po ekspozojnë produktet e tyre në mesin e mbi 460 ekspozuesve nga rreth 37 shtete të botës. Njëherësh kompanitë nga Kosova po njoftohen me blerës dhe shitës të shumtë të cilët po vizitojnë këtë panair. Unë do të vazhdoj të jem zë i prodhuesve, përpunuesve, punëtorëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Shala.