Turizëm nafte, jahtet luksoze blejnë lirë në portin e Durrësit

Turizëm nafte, jahtet luksoze blejnë lirë në portin e Durrësit

Çdo ditë e më shumë porti i Durrësit po tërheq vëmendjen e lundruesve elitarë, të cilët e përfshijnë këtë port mallrash në ndalesat e tyre për shërbime, por edhe në guidat e tyre turistike.

Lehtësirat portuale dhe fiskale ndaj turizmit detar, kryesisht tregtimi i naftës duty free dhe përshtatja e kalatave për jahtet në portet shqiptare e ka shtuar ndjeshëm numrin e tyre në këto porte. transmeton TCH.

Vetëm gjatë muajit shtator janë bregëzuar (ankoruar) në kalatat portuale të Durrësit rreth 35 jahte, ndërsa që nga fillimi i këtij viti, sipas Autoritetit Portual Durrës, numri i jahteve që kanë vizituar Durrësin ka arritur në 378, po aq sa mbërritën në Durrës gjatë të gjithë vitit 2018.

Mëngjesin e së hënës në kalatat e portit detar më të madh të vendit u bregëzuan 3 jahte luksoze. Dy prej tyre mbërritën nga porti i Splitit, ndërsa i treti nga porti grek i Argostolit.

Përveç shërbimeve portuale për t’u furnizuar me karburant, pronarët e turistët e këtyre jahteve qëndrojnë dhe për të vizituar qytetin dhe qendrat e tij arkeologjike.