"Sulmi ndaj objekteve saudite të naftës u krye me armë iraniane"

"Sulmi ndaj objekteve saudite të naftës u krye me armë iraniane"

Një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite që lufton lëvizjen Huti në Jemen ka njoftuar se sulmi ndaj objekteve saudite të naftës u krye me armë iraniane dhe se nuk kishte origjinë nga Jemeni.

Këto janë rezultatet e një hetimi paraprak të njoftuar nga një zëdhënës i koalicionit, Turki el Malki, në një konferencë shtypi në Riad.

Ai tha se hetimi për sulmin, përgjegjësinë për të cilin e morën Huti, është ende në vazhdim, dhe se autoritetet po përpiqen të përcaktojnë se nga ku nisi sulmi, raporton Reuters.

Dy ditë pas sulmit në objektet e naftës “Saudi Armako”, udhëheqësit ekonomikë dhe politikë në botë po diskutojnë implikimet për tregun e lëkundshëm të naftës, dhe se si do të zhvillohet situata pasi SHBA pretendon se Irani qëndron pas sulmit, dhe jo Huti, të cilët kanë marrë përgjegjësi.

Shtetet e Bashkuara kanë publikuar imazhe satelitore, si dhe pretendime të inteligjencës që Irani është fajtor për sulmet ndaj objekteve të naftës saudite.

Irani hodhi poshtë çdo përfshirje në sulmet e së shtunës.

Sulmi ndaj ‘Saudit Armako’ ka paralizuar prodhimin e më shumë se gjysmës së eksporteve globale ditore të Arabisë Saudite dhe më shumë se pesë për qind të prodhimit të përditshëm të naftës bruto në botë.