Rrjeti i ujësjellësit cak i ndërhyrjeve të personave të paautorizuar

Rrjeti i ujësjellësit cak i ndërhyrjeve të personave të paautorizuar

Banorët e rrugës “Bajram Kelmendi” në Prishtinë po përballen me mungesë të ujit prej disa javësh.

Autoritetet e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, pas inspektimit në vendngjarje, kanë konstatuar se ndërprerja e ujit ka ndodhur si pasojë e ndërhyrjes së paautorizuar në valvulat e rrjetit, shkruan sot Koha Ditore.

“Jemi në dijeni për këto ndërprerje nga ndërhyrja në valvula e personave të paautorizuar, por nuk kemi arritur t`i identifikojmë”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu.

“Në këta 6 muaj nuk kemi identifikuar persona, por e them se është e vështirë të arrihet tek identiteti i tyre”, ka thënë Abdullahu.

Ai ka bërë të ditur se ka raste kur persona të paautorizuar manipulojnë me ndërhyrjet në rrjet, ndaj Ujësjellësi detyrohet ta ndërpresë ujin në ndërtesa për t`i shmangur dëmet në rrjet.

Abdullahu ka thënë se për ta parandaluar një veprim të tillë nevojitet bashkëpunim me qytetarët.