Inspektorati i Prishtinës paralajmëron gjoba për partitë politike që ndotin

Inspektorati i Prishtinës paralajmëron gjoba për partitë politike që ndotin

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri u ka bërë thirrje partive politike që të mos ndotin ambientet me fletushka të fushatës zgjedhore.

Tahiri përmes Facebook-ut ka shkruar se Drejtoria të cilën e drejton ka pranuar një varg ankesash nga qytetarët lidhur me këtë çështje.

“Drejtoria e Inspekcionit qysh sot ka pranuar një varg ankesash nga qytetarët, për shpërndarje të fletushkave të subjekteve politike, nëpër objektet kolektive. Shpërndarja e fletushkave nëpër makina, shtëpi, hyrje kolektive, e gjetiu, është e ndaluar dhe cilësohet si ndotje e mjedisit”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se subjektet e kanë obligim që brenda ditës së sotme të pastrojnë lokacionet në të kundërtën do të përballen me gjoba.

“Subjektet që tashmë e kanë bërë këtë veprim, obligohen që brenda ditës t’i pastrojnë të gjitha lokacionet. Në të kundërtën, nga nesër (18 shtator), kudo që hasim në fletushka të tilla, do ta zbatojmë Udhëzimin Administrativ për Gjobat Mandatore, njësoj sikur për fletushkat e bizneseve. Pra, nga 90 euro gjobë për secilin lokacion (veturë; shtëpi; kat banese)”, ka thënë ai.

Adonis Tahiri i cili i përket Partisë Socialdemokrate ka thënë se nuk do ta tolerojë askë e as subjektin që i përket.

“Nuk do të ketë tolerime për askë, as për subjektin që unë i përkas, nëse e bën të njëjtën shkelje. Ekipet e Inspekcionit, në bashkëpunim me qytetarët e Prishtinës, do të angazhohen maksimalisht për mjedis sa më të pastër edhe gjatë fushatës”, është shprehur Tahiri. 


MË SHUME NGA Nacionale