Nisma kërkon nga komuna e Gjakovës që t’i mbulojë shpenzimet e varrimit

Nisma kërkon nga komuna e Gjakovës që t’i mbulojë shpenzimet e varrimit

Të martën është mbajtur takimi i radhës i Komitetit për Politikë e Financa i Komunës së Gjakovës ku u diskutuan dhe u përcollën për miratim në Kuvendin Komunal projektbuxheti i vitit 2020 dhe Rregullorja Komunale për tatimin në pronë.

Në këtë takim, në emër të subjektit politik Nisma Socialdemokrate, kryetari i degës së kësaj partie në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka kërkuar nga ekzekutivi i komunës që ta rikthejë vendimin 01 Nr. 400-49405 të datës 25.11.2016, mbi kompensimin e shpenzimeve funerale për qytetarët e Komunës së Gjakovës, të revokuar nga KK në mbledhjen e tretë të kësaj legjislature, me datën 23.02.2018.

“Ju rikujtoj se vendimi për revokim ishte marrë me arsyetimin që komuna kishte trashëguar mbi 200.000 euro borxhe dhe ishte e pamundur të mbuloheshin këto shpenzime. Konsiderojmë që pas gati dy vitesh udhëheqje, qeveria komunale e Gjakovës ia ka dalë që me sukses t’i paguaj të gjitha borxhet e trashëguara si dhe ta rritë buxhetin komunal duke grumbulluar më shumë të hyra nga qytetarët.

Së këndejmi edhe kërkesa jonë për rikthimin e vendimit për kompensimin e shpenzimeve funerale për qytetarët është e arsyeshme. Njëherësh kjo kërkesë është e bazuar edhe në programin e Nismës Socialdemokrate, që promovon krijimin dhe zbatimin e politikave sociale”, ka thënë kryetar i degës së Nismës Socialdemokrate në Gjakovë, Fazli Hoxha.


MË SHUME NGA Nacionale