Lirimi i inspektorit të KPMM-së nga akuza, konstatohet shkelje

Lirimi i inspektorit të KPMM-së nga akuza, konstatohet shkelje

Gjykata Supreme e Kosovës ka konstatuar shkelje në rastin e lirimit nga akuza për marrje të ryshfetit, me të cilën ngarkohej inspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Lulzim Çitaku.

Nga një akuzë e tillë, ai ishte liruar nga Gjykata Themelore në Pejë, e më pas pafajësinë ia kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, Supremja ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë dhe ajo e dytë, kanë shkelur ligjin penal, duke vepruar në favor të inspektorit Çitaku.

Gjykata Supreme një konstatim të tillë e ka dhënë më 11 korrik të këtij viti, pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë që e ka paraqitur prokurorja Sahide Gashi, pas aktgjykimeve të Themelores e Apelit.

Lulzim Çitaku akuzohej se në cilësinë e inspektorit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), më 8 nëntor 2013, në Klinë, së bashku me kryeinspektorin e dënuar Nuredin Bislimi, kishin marrë 1000 euro ryshfet nga i dëmtuari Bedri Elezaj për të mos i shqiptuar gjobë në punishten e tij të zhavorrit.

Përveç kësaj, Çitaku akuzohej edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi prokuroria pretendonte se nga pronarët e bizneseve ishte qerasur me dreka e darka për të mos i shqiptuar gjoba operatorëve të zhavorrit, të cilët ushtronin veprimtarinë e tyre pa licenca.

Por, kjo aktakuzë nuk kishte arritur të vërtetohej nga të gjykatat e të dy shkallëve, pasi sipas tyre i akuzuari nuk kishte qenë prezent gjatë pranimit të të hollave dhe se ai nuk kishte qenë në dijeni lidhur me marrjen e 1000 eurove ryshfet.

“Gjykata e shkallës se parë dhe ajo e dytë në aktgjykimet e veta, me lirimin e të pandehurit sa i përket veprës penale, kanë nxjerrë përfundime të gabuara për ekzistimin e saj dhe kanë aplikuar ligjin i cili nuk ka mundur të aplikohet, sepse me aplikimin e drejtë të ligjit penal ai do të shpallej fajtor për veprën penale që ishte objekt i akuzës”, thuhet në vendimin e Supremes.

Sipas Supremes, rezulton se i pandehuri Çitaku, nga përgjimet e bëra nga ana e policisë, kishte qenë në dijeni për bisedën e të dënuarit Nuredin Bislimi dhe të dëmtuarit Bedri Elezaj, për marrjen e ryshfetit prej 1000 euro dhe se ai ishte pajtuar me këtë fakt.

“Është fakt i pakontestueshëm se i dënuari Nuredin Bislimi e ka njoftuar të pandehurin Çitaku se të nesërmen do të shkojnë tek Bedri Elezaj dhe kjo vërtetohet edhe nga dëgjimi i bisedave telefonike në mes tyre. I dënuari Nuredin Bislimi e njofton të pandehurin Çitaku se i dëmtuari do të jap edhe një bakshish dhe se i pandehuri Lulzim më pas nuk e vazhdon bisedën në këtë drejtim, por i drejtohet me fjalët “e për Gjakovën qysh po e lojmë”. Pra i pandehuri nuk e mohon apo nuk e refuzon me asnjë fjalë faktin se i dëmtuari do të jap një bakshish”, thuhet në vendimin e Supremes.

Ndërsa, në lidhje me faktin e mos prezencës së të akuzuarit në momentin e dhënies së parave, Supremja ka arsyetuar se i pandehuri Çitaku ishte larguar me qëllim nga vendi ku janë dhënë paratë dhe se ishte në dijeni se të hollat do të merren nga shefi i tij, tani i dënuari Nuredin Bislimi.

“Nga video incizimi vërtetohet se i pandehuri Lulzim largohet nga vendi i ngjarjes në momentin kur i dëmtuari Bedri i jep të hollat të dënuarit Bislimi, i cili ia vërteton se i pandehuri Lulzim është në dijeni për marrjen e të hollave dhe se për këtë arsye është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Ndërkaq, për veprën penale të keqpërdorimi të detyrës zyrtare, Supremja e ka refuzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, për shkak se nuk ishte vërtetuar aktakuza në këtë pjesë.

Gjykata Themelore në Pejë, dy herë radhazi, e kishte liruar nga aktakuza inspektorin Lulzim Çitaku dhe atë me vendimin e saj të 18 korrikut të vitit 2018 dhe më 23 shtator të vitit 2015.

Kurse, Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rivendosje më 20 shtator 2016, ndërsa me aktgjykimin e saj të 14 shkurtit të këtij viti, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kishte refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, si të pabazuar, duke vërtetuar pafajësinë e Çitakut.

Ndërsa, kryeinspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Nuredin Bislimi, në janar të vitit 2014, ishte dënuar me 10 muaj burgim dhe 2000 euro gjobë pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë, mirëpo i njëjti nuk ka mbajtur as edhe një ditë burg pasi ka qenë i pakapshëm për organet e drejtësisë dhe si rrjedhojë e kësaj ekzekutimi i dënimit me burgim ndaj Bislimit është parashkruar më 5 maj 2019, për të cilin rast “Betimi për Drejtësi”, ka realizuar edhe një hulumtim.

Ndryshe, Lulzim Çitaku akuzohej se në cilësinë e inspektorit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), më 8 nëntor 2013, rreth orës 14:15, në fshatin Gremnik të Komunës së Klinës, përfiton për vete në atë mënyrë që pas marrëveshjes të një nate më herët tani me të dënuarin Nuredin Bislimi, shkojnë në vendpunishten e dëshmitarit Bedri Elezaj dhe derisa i dënuari Bislimi, i merr të hollat prej 1000 euro nga dëshmitari Elezaj, i pandehuri Çitaku, kontrollon terrenin se mos është duke i vëzhguar dikush dhe pas marrjes së të hollave largohen së bashku me veturë zyrtare me ç’ rast ndalohen nga hetuesit e policisë, të cilët i kishin nën përcjellje, ku të hollat e fotokopjuara gjenden në xhepin e të dënuarit Nuredin. Dhe, me këtë akuzohej ka kryer vepër penale të marrjes së ryshfetit.

Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se gjatë periudhës 2011, deri më 8 tetor 2013, në regjionin e Pejës, Klinës, Deçanit e Gjakovës, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete, kërkon nga pronari i operatorit “Ndërtimi, Gëzon Berisha, “Benita Compani”, me pronar Naser Kalludra, “Ermali”, me pronar Jeton Aliqkaj, e vëllezërit Podrimja nga Gjakova, ta qerasin me darka e dreka nëpër lokale të ndryshme, për të mos u shqiptuar gjoba për operimin e të njëjtave pa licencë ose jashtë licencës së lëshuar nga KPMM-ja. /BetimipërDrejtësi