Tusk apel te vendet anëtare: Të fillohen negociatat me Shkupin

Tusk apel te vendet anëtare: Të fillohen negociatat me Shkupin

Një muaj para vendimit të Bashkimit Evropian për caktimin eventual të datës për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, në Shkup u dhanë mesazhe me pritshmëri pozitive.

Kreu i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, porositi vendet anëtare për një vendim në favor të Shkupit duke theksuar se ai ka qenë i bindur për gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut që në qershor.

"Vendi juaj ka bërë gjithçka. Kjo është arsyeja se pse kam ardhur në Maqedoninë e Veriut. Do të doja ta bëj shumë të qartë se nuk ka dyshime në Bruksel për angazhimin tuaj politik për sundimin e së drejtës dhe për të luftuar korrupsionin. Shkupi është në pozitën më të mirë prandaj bëj ftesë deri te liderët e Bashkimit Evropian; tani ju bëni pjesën tuaj sepse Maqedonia e Veriut tashmë e ka bërë pjesën e saj", tha Donald Tusk, president i Këshillit të Evropës.

Zaev deklaroi se ka njoftuar Tuskun për angazhimin e institucioneve për gjetjen e një zgjidhjeje për ligjin e Prokurorisë Publike dhe kalimin e testit me rastin “Reket” duke qenë në pritje që brenda vitit të fillojnë zyrtarisht negociatat për anëtarësim.

"Pas dhjetë rekomandimeve pozitive nga KE-ja, përfundimeve optimiste edhe të Këshillit në vitin 2018 dhe në vitin 2019 dhe rezultateve që krijuam, gjithmonë e më shumë bindemi t’i mbizotërojmë të gjitha sfidat që i sjellë procesi i negociatave për anëtarësim. Pritshmëria dhe ambiciet tona për Këshillin e BE-së më 15 tetor dhe Këshillin Evropian më 17 dhe 18 tetor janë miratimi i vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim, pa shtyerje të tjera", u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Tusk takoi edhe presidentin Stevo Pendarovski. Ndalesa tjetër e tij ishte Tirana për të cilën po ashtu ka mesazhe pozitive, duke e cilësuar të përgatitur për të filluar negociatat. /Alsat-m