700 mijë euro për laboratorin e gjeologjisë në Universitetin e Mitrovicës

700 mijë euro për laboratorin e gjeologjisë në Universitetin e Mitrovicës

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim në mes të MZHE-së, përkatësisht Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Fakultetit të Gjeoshkencave të Universitetit të Mitrovicës.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është shfrytëzimi i ndërsjelltë i pajisjeve laboratorike të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Fakultetit të Gjeoshkencave, organizimi i konferencave të ndryshme shkencore nga fushëveprimi i tyre dhe ngritja profesionale e stafit përkatës.

Sipas MZHE, vlera totale e projektit përshin shumën rreth 700 mijë euro, investim ky i bërë nga MZHE.

Lluka theksoi se kjo marrëveshje bashkëpunimi është frytdhënëse pasi që studentëve u mundësohet të motivohen më tepër rreth studimeve në Fakultetin e Gjeoshkencave, pasi kanë mundësi që veç teorisë, të zhvillojnë edhe anën praktike dhe të njihen më thellësisht me këtë fushë.

Rektori i Universitetit të Mitrovicës Alush Musa, i cili priti në takim ministrin Lluka, e mirëpriti këtë marrëveshje dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunime akoma më të mëdha në këtë aspekt, fushë kjo e cila sipas tij ka nevojë për fokus të madh në të ardhmen dhe sjell benefite në të mirë të shoqërisë dhe vendit.