Bytyqi: Kosova nuk bëri reforma të thella fiskale

Bytyqi: Kosova nuk bëri reforma të thella fiskale

Përfaqësuesi i koalicionit AAK-PSD, Shyqri Bytyqi, gjatë emisionit “Debat” ku u debatua për politikat fiskale, ka thënë se reforma e thellë fiskale duhet të kuptohet drejt. Reformat e deritashme sipas tij më shumë ishin korrigjime se që ishin reformë e thellë e politikave fiskale.

“Para se të bëjmë një reformë fiskale ne si shtet duhet të dimë se cili është orientimi ynë i zhvillimit ekonomik. Politikat fiskale përtej asaj që janë të hyra të shtetit që mbulojnë të gjitha shpenzimet duhet të jenë përkrahje e zhvillimit ekonomik të vendit. Ne si koalicion AAK-PSD e kemi të qartë si do t’i qasemi zhvillimit ekonomik, duke i thënë theks të veçantë zhvillimit të bujqësisë. Mbi këto parametra të zhvillimit ekonomik ne mund të ndërtojmë politikat fiskale që duhet t’i favorizojnë qoftë prodhimet vendore të caktuara, qoftë produktet e caktuara. Pra, duhet ta kemi një strategji të qartë të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Bytyçi.

Tutje ai ka thënë se para ligjit duhet të jemi të barabartë, e kjo sipas tij realizohet me qasje profesionale dhe qëndrueshmëri të menaxhimit.

“Nuk duhet të kemi ulje të tarifave e të taksave, por duhet të gjejmë rrugën që të shtyjmë përpara bizneset e vogla dhe të mesme. Është e vërtetë se investimi ka qenë në bizneset e mëdha me shpresën se ata pastaj do të investojnë më shumë. Por, tani duhet ta rikthejmë fokusin edhe në bizneset e vogla dhe të mesme”, ka shtuar Bytyçi.

Ai ka thënë se tatimpaguesit duhet të ndjejnë siguri në politikat fiskale dhe deri më tash nuk ka pasur koherencë të krijimit të politikave të mira, pasi shpesh janë përdorur standarde të ndryshme.