Përurohet shkolla “Ismet Raci” në Klinë

Përurohet shkolla “Ismet Raci” në Klinë

Është përuruar sot objekti i ri i shkollës fillore të mesme të ulët “Ismet Raci” në Klinë, e cila me kushtet moderne pritet të shënojë rritje të vlerës dhe cilësisë në arsim.

Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se kjo shkollë e cila mban emrin e një patrioti të madh, po i bën krenar nxënësit e saj.

Sipas tij, me investimet moderne që po bëhen në shkollat e vendit, pritet që këto të fundit të jenë konkurrente edhe jashtë vendit.

Me një urim për ditën e kësaj shkolle, para të pranishmëve foli edhe kryetari i komunës, Zenun Elezi.

Ai tha se komuna e Klinës në bashkëpunim dhe me përkrahje të qeverisë, ka investuar vazhdimisht në krijimin e kushteve më të mira në edukim.

Drejtori i shkollës, Ahmet Krasniqi, tha se u deshën afër tri vite punë e mbikëqyrje për të arritur deri tek finalizimi i këtij objekti të ri.

Ai bëri të ditur se në këtë shkollë, këtë vit shkollor, mësimin vijojnë afër 1 mijë e 500 nxënës.

Me këtë rast, nxënësit e kësaj shkolle kishin përgatitur një program të pasur kulturor, të përgatitur me rastin ditës së shkollës dhe përurimin e objektit të ri.


MË SHUME NGA Nacionale