Prishtina me probleme të shtigjeve për çiklistë dhe hapësirës për këmbësorë

Prishtina me probleme të shtigjeve për çiklistë dhe hapësirës për këmbësorë

Në kuadër të Javës Evropiane të Mobilitetit, kolegji ‘Tempulli’ gjatë ditës sotme ka mbajtur një tryezë mbi temën “Ecja, çiklizmi dhe transporti urban”.

Me këtë rast u tha se duhet të punohet më shumë në krijimin e shtigjeve të reja për çiklizëm dhe hapësirës për ecje në Prishtinë, ndërsa për trafikun urban u theksua se është vendosur në binarët e duhur.

Drejtori i kolegjit ‘Tempulli’, Muhamet Krasniqi duke përmendur rëndësinë e kësaj jave të mobilitetit tha se duhet të krijohet vetëdija te qytetarët për të lëvizur pa makina.

“Trafiku urban është vendosur në binar të duhur dhe përditë e më tepër është i pranishëm te qytetarët me shërbimet e veta profesionale, por dhe miqësore te qytetarët e Prishtinës. Ndërsa, telashe ende kemi sa i përket çështjes së çiklizmit, apo me fjalë të tjera shtigjeve për çiklistë dhe hapësirës së dedikuar për këmbësorë”, tha ai.

Ndërkaq, asamblisti Adrian Berisha tha se është e rëndësishme promovimi i ecjes, çiklizmit jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë Kosovën.

Për mos realizimin e disa projekteve karshi këtyre aspekteve, Berisha tha se ende nuk ka një mendësi objektive për të punuar për të mirën e qytetit.

Nga Komuna e Prishtinës, koordinatorja për Plan të mobilitetit, Vjollca Podvorica dha detaje më shumë për javën e mobilitetit që ka nisur me 16 shtator dhe do të përfundojë më 22 shtator.

“Java do të fillojë me ditën pa automjete që do të mbahet të dielën dhe ku qendra e qytetit do të bllokohet për mjetet e motorizuara prej orës 11:00 deri në orën 20:00,” u shpreh ajo. 


MË SHUME NGA Nacionale