Zyrtari policor dëshmon në gjykimin ndaj ish-togerit Menderes Sinani

Zyrtari policor dëshmon në gjykimin ndaj ish-togerit Menderes Sinani

Me dëshminë e dëshmitarit Vehbi Shahini, të propozuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka vazhduar të martën gjykimi ndaj ish-togerit të Policisë së Kosovës, Menderes Sinani, i akuzuar për veprat penale “moslajmërim i veprave penale ose kryesve të tyre”, “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, dhe “frikësimi gjatë procedurës penale”.

Në këtë rast, të akuzuar janë edhe Emrush Lalinovci, Remzi Bislimi dhe Kreshnik Sefedini.

Në pyetjet e prokurorit të rastit Rasim Maloku, zyrtari policor i Njësisë së Hetimeve Rajonale, Vehbi Shahini, ka thënë se lidhur me rastin që kishte ndodhur në vitin 2013, në restorantin “Montana” në fshatin Prelez, ishte njoftuar nga “Lima Control”, dhe se së bashku me kolegun e tij, Isa Osmani, kishin shkuar në stacionin policor për të marrë informata më të sakta për vendin dhe ngjarjen që kishte ndodhur.

“Pasi kemi shkuar në stacionin policor, për ngjarjen jemi informuar nga Kurtesh Frangu, e më pas jemi nisur për tek vendi i ngjarjes, ku së bashku me neve kanë ardhur edhe Njësia e Forenzikës Rajonale. Në restorant kanë qenë disa njerëz, nga policia ka pas hetues të stacionin, dhe ne nga Hetimet Rajonale. Kur kemi hyrë, i kemi pyetur kolegët polic se çfarë kishte ndodhë, por ata nuk na kanë dhënë sqarime meqë nuk e dinin”, tha Shahini.

Ai tha se nga disa persona që kishin qenë prezent, ishte informuar se në restorant ishte hedhur një petardë, por nuk e dinte saktë se kush kishte qenë.

Më pas, ai së bashku me Osmani , tha se kishin kërkuar pronarin, i cili nuk i kujtohet nëse ishte paraqitur, si dhe punëtorët të cilët nuk kishin treguar se çfarë kishte ndodhur.

“Kemi kërkuar kush është pronari, por nuk më kujtohet a është paraqitur pronari, por janë paraqitur punëtorët. Punëtorët nuk kanë treguar se çfarë kishte ndodhur, andaj kolegu im Isa ka dhënë urdhër që ata të shoqërohen për në stacionin policor”, shtoi Shahini.

Më pas, nga njëri prej punëtorëve tha se ishin njoftuar që aty kishte ndodhur një plagosje, por nuk kishin njohuri se ku ishin viktima dhe i dyshuari.

“Kur unë me kolegun im arritëm në stacion, që e kishim në shoqërim edhe personat që i ceka më lartë, aty i gjetëm të dëmtuarin dhe të dyshuarin, por se kush i kishte sjellë unë nuk e di dhe nuk më kujtohet a ka qenë pronari i restorantit aty. Kur hasëm tek i plagosuri dhe i dyshuari, kam biseduar me viktimën dhe ai më ka thënë që aksidentalisht është lënduar nga kolegu i tij i punës. Ma tregoi këmbën deri në gjunjë të cilën e kishte të lidhur me fashë dhe tha se nuk kam ndonjë problem shëndetësor. Po ashtu tha se ndihma e parë i ishte ofruar diku në një ordinancë private”, tha Shahini.

Për këtë, ai tha se nuk i kishte kërkuar ndonjë raport mjekësor, me arsyetimin se i dëmtuari i kishte thënë personalisht që nuk kishte ndonjë pengesë, meqë nuk ishte ndonjë plagë serioze, por vetëm një gërvishtje.

Pas vlerësimit të situatës, dhe atë, duke u bazuar në thëniet gjatë intervistimit të të dyshuarit dhe të dëmtuarit se rasti kishte ndodhur aksidentalisht dhe se sipas të dëmtuarit lëndimi nuk ishte serioz, kolegu i tij Isa Osmani, kishte kontaktuar me prokurorin kujdestar, ku më pas kishin konstatuar se rasti i tillë, nuk ishte në kompetencën e tyre, të Njësisë Rajonale të Hetimeve, andaj rasti kishte kaluar tek Hetuesit e Stacionit Policor.

“Pasi ka kaluar rasti në sektorin tjetër, unë nuk jam marrë më tutje me këtë dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur. Gjatë tërë kësaj kohe, nga nata e ndodhjes së ngjarjes e deri më sot, unë nuk kam pas ndonjë telefonat nga ndonjë epror apo kolegë i imi, as në telefonin privat dhe as nga ai i punës”, deklaroi Shahini.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin edhe dëshmitarët tjerë, përkatësisht prokurori në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Ismet Rrahmani, eksperti i balistikës në AKF, Lutfi Rraci, si dhe dëshmitari Gazmend Nazifi, për të cilët, gjykata mori aktvendim që të mos dëgjohen.

Seancat e radhës janë caktuar më 21 dhe 22 tetor 2019, në ora 09:30, ku të akuzuarit do të japin mbrojtjen.

Lidhur me dëshmitarin Rrahmani dhe Rraci, kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, tha se dëshmia e tyre nuk është relevante dhe se nuk do të ndryshonte gjendjen faktike, meqë të njëjtit nuk kishin qenë dëshmitarë okular.

Kurse, lidhur me dëshmitarin Nazifi, për të njëjtin u tha se nuk kishte ndonjë të dhënë në bazë të të cilave do të identifikohej se kush është.

Në këtë rast, fillimisht kishin qenë të akuzuar edhe Ilzana Ajdini, Ramadan Ajvazi, Arben Rrustemi,  Begatim Ibrahimi dhe Jeton Tasholli.

Mirëpo, e akuzuara Ajdini kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me një vit burgim me kusht, ndërsa Ramadan Ajvazi kishte ndërruar jetë gjatë verës së vitit 2018.

Kurse, tre të akuzuarit e tjerë Arben Rrustemi, Begatim Ibrahimi dhe Jeton Tasholli, pas pranimit të fajësisë dhe veçimit të procedurës ndaj tyre, ata më 27 shkurt 2019, janë dënuar me nga një vit e katër muaj burgim me kusht, secili veç e veç.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 27 dhjetor të vitit 2013,  ngarkon dy të pandehurit Menderes Sinani dhe Emrush Lalinovci, me veprat penale “moslajmërimi i veprave penale ose kryesve të tyre”, “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, “frikësimi gjatë procedurës penale”, kurse Lalinovci akuzohet edhe për veprën “deklarimi i rremë nën betim”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit në fjalë, pasi kishin pranuar informacionin e drejtpërdrejtë nga kryesi, i dyshuari Kreshnik Sefedini, se e ka gjuajtur të dëmtuarin Qëndrim Mehmeti me armë zjarri në restorant “Montana”, nuk e kanë raportuar krimin tek autoritetet kompetente.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, i kanë ndihmuar Kreshnik Sefedinit, për t’iu shmangur zbulimit dhe arrestimit duke mos raportuar atë që e kanë ditur për gjuajtjen dhe bisedën telefonike si dhe për takimin me personat dhe duke i shtrembëruar provat, duke çorientuar hetimin policor dhe shpikur, duke e mbrojtur apo vërtetuar rrëfimin maskues të të pandehurit Sefedini.

I pandehuri Kreshnik Sefedini, sipas akuzës, akuzohet për veprat penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “frikësimi palës gjatë procedurës penale”, “shtytja” dhe “lëndim i rëndë trupor”.

Të pandehurit  Jeton Tasholli, Ilzana Ajdini, Remzi Bislimi, Begatim Ibrahimi, Arben Rrustemi dhe Ramadan Ajvazi akuzohen për veprat penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “frikësimi gjatë procedurës penale”, “moslajmërimi i veprave penale ose kryesve të tyre” dhe veprës penale ”shtytje”.

Ndryshe, ish-togeri Sinani, akuzohet edhe në një rast tjetër për vepra penale të korrupsionit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor të vitit 2013, kishte ngritur aktakuzë ndaj Menderes Sinanit, ku të njëjtin e akuzon se në cilësi të udhëheqësit të Njësisë Anti-Trafikim në Stacionin Policor të Ferizajt, kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Gjykata Themelore e Ferizajt, me trup gjykues të udhëhequr nga gjykatësi i EULEX-it Piotor Bojarchuk, në muajin tetor të vitit 2016, kishte dënuar ish-togerin ferizajas Menderes Sinanin, me dënim unik prej 7 vjetësh burgim, për katër vepra penale të korrupsionit.

Gjykata gjithashtu kishte obliguar Sinanin që palës së dëmtuar, familjes së Bidajet Sylejmanit, t’ia kompensonte dëmin në shumë prej 4750 eurosh.

Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast Vahid Tahiri, nga shkalla e parë, ishte liruar nga akuza për veprën penale “shmangie nga pagesat e taksave doganore”.

Mirëpo, rasti i ish-togerit Sinani dhe të akuzuarit Tahiri, është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit e Kosovës. /BetimipërDrejtësi