Në mungesë të ligjit, numri i Ministrive në dorën e subjekteve politike

Në mungesë të ligjit, numri i Ministrive në dorën e subjekteve politike

Mos miratimi i projektligjit për Qeverinë, sipas të cilit do të rregullohej numri i Ministrive, këshilltarëve, numri i zëvendësministrave dhe zëvendëskryeministrave, ka bërë që edhe qeveria e ardhshme, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit të mund të ketë numër të madh të ministrave, zëvendësministrave e këshilltarëve.

Numri i ministrave, zëvendësministrave, zëvendëskryeministrave dhe këshilltarëve mbetet ende në dorën e subjekteve të cilat fitojnë zgjedhjet dhe do të krijojnë  qeverinë.

Qeveria e fundit, sikurse edhe qeveritë e mëhershme ka nisur hartimin e projektligjit për qeverinë, por që nuk ka arritur ta dërgojë për miratim në Kuvend. Tani do t’i mbetet qeverisë së ardhshme, e cila do të dal nga zgjedhjet e 6 tetorit që të përfundojë hartimin e këtij projektligji dhe miratimin e tij në Kuvend.

Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reforma në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, thekson se projektligji i hartuar nga ta parasheh rregullimin e funksionimin e qeverisë me një numër shumë me të vogël të ministrive, zëvendësministrave, zëvendëskryeministrave dhe këshilltarëve.

“Projektligji i hartuar për Qeverinë, e i cili për shkak të rrethanave të dorëheqjes së qeverisë, i finalizuar për votim parasheh rregullim të plotë të funksionimit. Për më tepër vendos pronësinë e shtetit në formën e funksionimit duke zëvendësuar rregullativën e UNMIK-ut. Projektligji, përveç kufizimit në numër, vendos theks parimet e qeverisjes së mirë, duke rritur koordinimin përmes vendosjes së një sistemi të integruar të politikave. Kjo shmangë përsëritjen dhe copëzimin e politikave dhe buxheteve. Për më shumë, vendos vija të qarta të llogaridhënies, që aktualisht janë afro 40 agjenci, e ndërmarrje që raportojnë në Zyrën e kryeministrit”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, në projektligjin e hartuar kanë paraparë zvogëlimin e numrit të Ministrive nga 22 sa janë aktualisht, në 12 të tilla, duke i bashkuar disa që kanë fushëveprim të njëjtë.

Shoqëria civile e quan dështim mos miratimin e projektligjit për qeverinë, duke qenë se në shumë qeveri që prej pasluftës ka qenë në agjendën legjislative, por nuk është realizuar.

Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, thotë se deri më tani kanë parë vetëm rritje të numrit të ministrive, teksa flitej për zvogëlimin e tyre.

“Kjo nuk është hera e parë që një qeveri dështon që ta qoj deri në fund një nismë të tillë ligjore. Projektligji për Qeverinë ka qenë i paraparë edhe në Agjendën Legjislative të qeverive të kaluara. Çfarë kemi parë deri më tani kanë qenë nisma të qeverive për të diskutuar për zvogëlim të posteve të ministrave dhe zëvendësministrave përderisa në të njëjtën kohë numri i tyre vazhdonte të rritej”, ka thënë Mehmeti për FaktePlus.

Sipas tij, është i domosdoshëm miratimi i projektligjit për Qeverinë për shumë arsye.

“Ligji për Qeverinë mbetet edhe me tutje i domosdoshëm, dhe atë jo vetëm për të zvogëluar dhe kufizuar numrin e posteve qeveritare, por mbi të gjitha për t’i bartur përgjegjësinë Kuvendit për të vendosur për strukturën e qeverisë, funksionet e saj dhe detyrat e një qeverie në dorëheqje”, ka theksuar Mehmeti.

Edhe Mehmeti thotë se deri në miratimin e projektligjit për Qeverinë, subjektet që formojnë ekzekutivin do duhej ta kishin parasysh ristrukturimin e qeverisë dhe mos emërimin e me shumë se 13 ministrave.

“Deri në bërjen e Ligjit për Qeverinë, partitë që ndërtojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës, do duhej që nga fillimi të reflektonin se e kanë përnjëmend ristrukturimin e qeverisë, duke mos emëruar më shumë se 13 ministra/e me nga një apo dy zëvendësministra/e. Kosova ka nevojë për një qeveri më pak të kushtueshme dhe më efikase”, është shprehur Mehmeti nga Instituti GAP.

Qeveria e fundit, por edhe ato paraprake janë kritikuar ashpër për numrin e madh të ministrive, këshilltarëve dhe zëvendësministrave./FaktePlus

Numri i Ministrive të propozuara nga grupi punues për hartimin e Projektligjit për qeverinë: